Kosova

Shteti s’mund të mbetet peng i koalicionit të dështuar

Një koalicion qeverisës që nuk është në gjendje të marr vendime të mëdha për shtetin, nuk ka pse të vazhdoi së funksionuari. Rrjedhimisht, partnerët që bashkëqeverisin duhet ta kuptojnë se qytetarët nuk mund të mbeten peng të pafuqisë së tyre për t’i quar proceset përpara. Këtë qëndrim e shprehin analistë të çështjeve politike duke e argumentuar në forma të ndryshme atë.

Në të vërtetë edhe vet liderët institucional kanë nisur ta pranojnë se nuk janë në gjendje t’i japin zgjidhje demarkacionit me Malin e Zi, Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si dhe krijimit të Ushtrisë.

Analisti politik, Halil Matoshi ka deklaruar për AktivPress se ka ardhur koha kur koalicioni qeverisës duhet ose t’i jap zgjidhje marrëveshjeve ose të lëshojë pe.

“Natyrisht se ky koalicion qeverisës dhe kjo Qeveri nuk mund ta mbajë peng shoqërinë kosovare me dy-tre tema të mëdha që nga fillimi. Koalicioni ose duhet t’i adresojë këto çështje në Kuvend dhe t’u japë zgjidhje ose duhet ta dorëzojë pushtetin”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjeve politike në vend ka shtuar se për shkak të kërkesave të aleatëve ndërkombëtar që të përfundohen demarkacioni dhe Asociacioni, duhet që Kosova t’i ruaj partnerët strategjik të saj që të marrë mbështetje për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Realisht aleatët strategjik të Kosovës janë që me urgjencë t’i thuhet po demarkimit të kufirit me Malin e Zi për shkak të disa dinamikave ndërkombëtare, përkatësisht bashkimit të Podgoricës me NATO-n. Po ashtu Bashkësia e komunave me shumicë serbe duhet të dekretohet e dialogu me Serbinë të rifillojë që Kosova t’i ruaj aleatët e saj strategjik, të hyjë në procesin e liberalizimit të vizave dhe të krijojë ushtrinë e saj kombëtare përmes ndryshimeve kushtetuese që të gjitha etnitë ta ndjejnë se është ushtri edhe e tyre dhe vërtet kosovare”, ka thënë Matoshi.

Sipas tij, sa i përket Ushtrisë dhe Asociacionit, palët mund të krijojnë marrëveshje që të dyja obligimet të shkojnë në një pako.

“Për ushtrinë dhe Asociacionin, palët mund të dakordohen që të shkojnë në pako, që të dyjave t’u gjendet vendi në kornizën kushtetuese të vendit, natyrisht duke e ruajtur të paprekur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës”, ka përfunduar Matoshi.

Ndërkaq, analisti politik Imer Mushkolaj, liderët e koalicionit qeverisës i ka quajtur të papërgjegjshëm për të përfunduar marrëveshjet e rëndësishme në vend dhe se sipas tij më në fund e kanë pranuar se nuk mund të vazhdohet vendi në këtë gjendje.

“Liderët e koalicionit qeveritar, të papërgjegjshëm dhe të paaftë të çojnë përpara çështje të rëndësishme, për shkak të të cilave edhe e kanë krijuar koalicionin, po e pranojnë më në fund se nuk mund të shkohet tutje në këtë mënyrë. Qytetarët nuk mund të mbeten më peng i pritjes së partnerëve të koalicionit që t’i sigurojnë një votë a dy më shumë për të kaluar demarkacionin”, ka thënë Mushkolaj për AktivPress.

Sipas tij, koalicioni ka dështuar dhe vazhdimi i qeverisjes do të thotë vazhdim i dështimit. Ai ka shtuar se Kosova nuk mund të pres dëshirat e partnerëve qeveritarë për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve.

“PDK është e interesuar për zgjedhje, ndërkaq LDK-së nuk i konvenojnë ato në këtë fazë. Me dëshirë, Isa Mustafa do të qëndronte në pushtet, duke i zvarritur çështjet, edhe për një kohë të gjatë. Por, Kosova nuk e ka luksin që të presë pa kufi që ai dhe partneri i tij i koalicionit të veprojnë”, ka shtuar Mushkolaj.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ditë më parë ka deklaruar se nëse nuk ratifikohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, atëherë nuk mbetet tjetër opsion përveç mbajtjes së zgjedhjeve.

Ai ka thënë se mohimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve është përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës dhe sipas tij ata duhet të ballafaqohen me të. Në anën tjetër sa më afër diskutimit të zgjedhjeve të parakohshme, kryeministri, kushtin e BE-së për liberalizimin e vizave përmes ratifikimit të demarkacionit e ka quajtur të pakuptimtë. “Jemi bllokuar nga BE, me një kusht të pakuptimtë ashtu siç jemi bllokuar nga vetvetja me një kauzë politike të paqëndrueshme por edhe të dëmshme për perspektivën e vendit”, kishte deklaruar Mustafa.

Në anën tjetër, lideri tjetër i koalicionit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli është shprehur hapur pro mbajtjes së zgjedhjeve. Ai ka deklaruar se nëse ka mungesë të vendimmarrjes, i humb kuptimi koalicionit.

“Pa vendimmarrje në Qeveri e Kuvend, i humb kuptimi një vazhdimësie politike dhe po ashtu koalicionit” ka deklaruar ndër të tjerash Veseli.

Qëndrimet e hapura drejt mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, vijnë edhe pas vizitës së dy zyrtarëve ndërkombëtarë në vend javën e kaluar.

Senatori amerikan John McCain i ka bërë thirrje Kuvendit që të përfundojë marrëveshjet dhe Ushtria të krijohet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese. Ndërsa, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel ka thënë se nuk e kupton se si vetë politikanët e një shteti ua pamundësojnë qytetarëve liberalizimin e vizave.

Prapa kërkesave të aleatëve ndërkombëtar qëndron edhe drejtori i Fondacionit ‘Rockefeller Brothers’ për Ballkanin Perëndimor, Haki Abazi.

Ai i sheh të natyrshme edhe reagimet e përfaqësuesve amerikan dhe gjerman për gjendjen politike të krijuar në Kosovë.

“Kosova është në krizë dhe bllokadë të funksionimit të institucioneve. Kjo bllokadë e ka izoluar vendin dhe ka sjellë në rrezik të gjithë investimin e bërë. Është e natyrshme që gjermanët dhe amerikanët janë të brengosur me situatën që është krijuar. Demarkacioni, Ushtria, Asociacioni dhe izolimi Janë pasoja të sistemit të kapur dhe mendësisë politike klanore”, ka deklaruar Abazi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button