“Shtrenjtimi i fshehur” i energjisë; Jaka: Nëse nuk fiksohet çmimi, biznesi ikën në rajon
Rreth 6300 biznese të konsumit 35 dhe 20 kilovolt të energjisë, duke filluar që nga muaji tjetër, mund ta blejnë energjinë elektrike 16-35% më shtrenjtë nga OSHEE si pasojë e hyrjes në fuqi të liberalizimit të tregut, nëse nuk do të arrijnë ta sigurojnë në treg të lirë. Bizneset janë të alarmuara nga mungesa e tregut, çmimet e larta dhe mungesa e rregullave. Çmimet në të gjitha produktet e pakicës rrezikojnë rritjen, për shkak të kostove të larta të energjisë. Nikolin Jaka i Dhomës së Tregtisë kërcënon: Nëse nuk zgjidhet kjo çështje ndërpresim aktivitetin dhe zhvendosemi në rajon
Blerina Hoxha
Bizneset do të përballen edhe këtë vit me rritje të kostove të aktivitetit që po vijnë nga vlera më e lartë e furnizimit me lëndë të parë. Pas rritjes me rreth 20% të çmimit të gazit në ditët e para të janarit, bizneset e mëdha muajin tjetër mund të paguajnë fatura më të larta të energjisë me të paktën 16%. Të përfshira në procesin e liberalizimit të tregut, 80 konsumatorët nga rrjeti 35 kilovolt, do të duhet të gjejnë energji në treg të lirë me tarifa tregu (minimumi 7.3 lekë/kvh) dhe krahas tyre do të faturohen që nga shkurti me 1.5 lekë më shumë për kilovatorë, si tarifë aksesi. Ndërsa 6200 bizneset e tjera që furnizohen nga rrjeti 20 kilovolt do të paguajnë nga mesi i vitit 3.9 lekë më shumë për kilovatorë, po i tarifë aksesi. Këto tarifa do t’i paguhen Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë për përdorimin e rrjetit si një shtesë mbi çmimin aktual të energjisë.
Këto biznese do të faturohen në këtë mënyrë pasi janë përfshirë në grupin e bizneseve që do të furnizohen në tregun e lirë të energjisë dhe duhet të nxitojnë për të gjetur tarifa më të lira, në mënyrë që të amortizojnë koston e përdorimit të rrjetit.
Të parët janë bizneset e rrjetit 35 KV, që duhet të gjejnë deri muajin tjetër një furnizues privat dhe në çdo rast do të paguajnë në kompaninë publike OSHEE tarifën e përdorimit të rrjetit prej 1.5 lekë për çdo kilovat. Edhe po nuk arritën të gjejnë furnizues, bizneset mund të furnizohen sërish nga OSHEE, por me çmime më të larta, – sqaruan burimet zyrtare të Ministrisë së Energjetikës.
Nëse nuk arrijnë ta gjejnë në treg të lirë, bizneset do i drejtohen OSHEE-së dhe do i paguajnë asaj tarifat shtesë përkatëse (krahas çmimit aktual 9.5 lekë për bizneset e linjës 35 kv dhe 11.5 për ata të linjës 20 kv).
Tashmë infrastruktura teknike për të nxjerrë në tregun e lirë fashën e parë të 40 konsumatorëve e mëdhenj është gati dhe ata do të duhet të paguajnë më shumë që nga muaji shkurt, ndërsa të tjerët në muajt në vijim.
Teksa entet publike kanë bërë gati të gjithë infrastrukturën e sistemit matës dhe bazën rregullatore për t’iu përgjigjur liberalizimit, bizneset që e pësojnë nga ky proces nuk janë gati. Adi Haxhiymeri nga fabrika e përpunimit të miellit “Bloja”, pjesë e bizneseve që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt tha se, ende nuk ka gjetur një furnizues energjie nga tregu privat. I gjetur mes disa problematikave të tjera, si rritja e çmimit të gazit dhe konkurrenca e pandershme e miellit nga Serbia, Haxhiymeri tha se ende nuk ka hulumtuar për një furnizues energjie. Ai pohoi se do të ishte shkatërrimtare për industrinë përpunuese nëse kostot do të rriteshin më tej.
Në këto kushte, konsumatorët e mëdhenj të energjisë do të dalin në një treg jo të plotë. Nga krahu tjetër, prodhuesit privatë (HEC-et koncesionare) që presupozohet se do të furnizonin, pohojnë se e kanë të pamundur. Varësia nga reshjet i bën ata të padisponueshëm për të furnizuar në mënyrë konstante me energji konsumatorët, cilësdo kategori qofshin. Bledar Mehmeti, që po administron me koncesion hidrocentralin e Tervolit, një nga më të mëdhenjtë në sektorin privat të HEC-eve, pohoi se nuk mund të lidhte kontratë shitje energjie me asnjë biznes. Mehmeti thotë se prodhimi në HEC-in e Tervolit është i varur plotësisht nga reshjet, kushtet atmosferike dhe duke mos qenë i bazuar në prodhimin e energjisë me basen, ai nuk mund të sigurojë energji në mënyrë konstante. Në këtë mënyrë, prodhojnë energji edhe të 110 HEC-et e tjera që janë në punë.
Koncesionarët aktualisht kanë blerës të sigurt OSHEE me 7,3 lekë për kilovat orë dhe nuk do të rrezikonin me bizneset private të cilat shpesh kanë edhe vështirësi në pagesa. Kështu bizneset e mëdha nuk kanë shumë zgjidhje në sfond, ndaj do të duhet ose të kenë në pronësi vetë një burim energjie ose ta blejnë tek OSHEE me çmime 15% më të lartë.
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në Shqipëri po kalon në një terren të brishtë, pasi dalja në treg e bizneseve është bërë pa krijuar tregun dhe modelin e tij. Krijimi i bursës shqiptare të energjisë, e cila do të funksiononte si një platformë ditore për blerjen dhe shitjen e energjisë, duket se ka ngelur një projekt në letër që nuk do të mund të materializohet shumë shpejt, për shkak të angazhimit teknik dhe ekspertizës së lartë që kërkon.
Deri tani bizneset 20 dhe 35 KV furnizoheshin nga OSHEE me çmim fiks të përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë. Bizneset e linjës 20 KV paguajnë 11 lekë për kv/orë dhe ata të linjës 35 kv paguajnë 9.5 lekë për kv/orë (çmimet janë pa TVSH).
Me liberalizimin e tregut këto biznese janë të detyruara ta gjejnë vetë energjinë në treg të lirë, me çmimin e tregut nga tregtarët e energjisë ose prodhuesit vendas. Aktualisht, çmimi me të cilin OSHEE u blen energjinë prodhuesve vendas është 7.3 lekë/kv orë. Nëse supozohet se biznesi do e blejë po me këtë çmim, do të paguajë 7.3 lekë+1.5 lekë = 8.8 lekë (pa TVSH) për linjën 35 kv dhe 7.3 lekë+3.9 lekë =11.2 lekë për linjën 20 kv.
Në rast se biznesi nuk arrin ta sigurojë vetë energjinë në treg të lirë, burimi i fundit është OSHEE, por kjo e fundit tashmë mbi çmimin e fiksuar 9.5 dhe 11 lekë/kvh do të marrë tashmë dhe tarifën përkatëse të aksesit, prej 1.5 lekë dhe 3.9 lekë. (përkatësisht 11 lekë dhe 14.9 lekë). OSHEE i ka vendosur këto tarifa aksesi që t’i nxisë sipërmarrjet të kërkojnë energji në treg dhe t’i dekurajojë t’i drejtohen asaj, përveçse si alternativë fundore.
Këtu ka disa probleme, sipas prodhuesve:
-Çmimi nuk është i fiksuar dhe prodhuesit mund ta shesin më shtrenjtë se ia japin sot OSHEE-së pasi ka risk më të lartë, pra bizneset edhe në tregun e lirë mund ta blejnë energjinë më shtrenjtë sesa sot.
-Në kohë thatësire apo konsumi të lartë, çmimi mund të rritet dhe bizneset do të jenë të pambrojtura, ndryshe nga konsumatorët që do të vazhdojnë të paguajnë energjinë me tarifë fikse.
-Vetë prodhuesit kanë pohuar se nuk kanë interes të furnizojnë bizneset, sidomos për linjën 20 KV, sepse sasia e energjisë e kërkuar është relativisht e ulët, dhe kanë frikë nga mungesa e korrektesës në pagesa. Për konsumatorët 35 kv leverdia është më e madhe, sepse konsumi i tyre është më i lartë.
Ishte
Deri tani bizneset 20 dhe 35 KV furnizoheshin nga OSHEE me çmim fiks të përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë. Bizneset e linjës 35 KV paguanin 9.5 lekë për kv/orë dhe ata të linjës 20 kv paguanin 11 lekë për kv/orë (çmimet janë pa TVSH).
Bëhet
Me liberalizimin e tregut bizneset e linjës 35 dhe 20 kv janë të detyruara ta gjejnë vetë energjinë në treg të lirë, me çmimin e tregut nga tregtarët e energjisë ose prodhuesit vendas. Krahas çmimit të blerjes në treg (për referencë prodhuesit sot ia shesin OSHEE me 7.3 lekë për kv/orë) do paguajnë dhe tarifë aksesi (1.5 lekë për linjën 35 kv dhe 3.9 lekë për linjën 20 kv). Nëse nuk e blejnë në treg varianti i fundit do jetë OSHEE, por çmimi tani shkon përkatësisht 11 dhe 14.9 lekë/kvh pa TVSH.
Do të rriten çmimet e produkteve
Në një vështrim të shpejtë duket se rritja e kostove të furnizimit me energji për konsumatorët e mëdhenj përfshin vetëm pak biznese të mëdha. Por ato janë furnitorët më të mëdhenj të ekonomisë me artikujt më sensitivë të konsumit. Fabrikat e miellit, ato të qumështit, sallamit dhe ato të materialeve të ndërtimit si tulla, tjegullat penalizohen rëndë nga nxjerrja në tregun e lirë të energjisë, pa asnjë masë mbrojtëse. Energjia elektrike në këto linja prodhimi zë 10-30% të kostove.
Industria e qumështit ka përllogaritur se çmimi i energjisë zë mbi 10% të kostove, por për fabrikat e mëdha, që nuk përdorin solar, kjo i kalon edhe 20%. Kjo kosto, sipas zotëruesve të disa prej këtyre fabrikave, do të transferohet menjëherë në çmime. Një pjesë e këtyre njësive janë të lidhura në rrjetin 20 kilovolt dhe do ta paguajnë 35% më shtrenjtë energjinë. Për rrjedhojë, transferimi i këtyre kostove do të ndikojë me 10 lekë më shumë çmimin e produkteve që prodhohen nga fabrikat e mëdha. Rritja së paku me 10 lekë të çmimit për një litër qumësht ose për një kilogram sallam do të ketë ndikime të shumanshme te konsumatorët dhe te bizneset.
Alban Zusi, i cili administron një njësi të përpunimit të peshkut, pohon se çdo presion nëpërmjet tarifave në kostot e bizneseve transferohet në çmime. Të ndodhur përballë çmimeve gjithnjë e më të larta, konsumatorët do të tentojnë të konsumojnë prodhime gjithnjë e më të lira. Në afatgjatë, kjo ka kosto më të rënda në shëndetin e tyre. Veç të tjerash, rritja e çmimit të energjisë e bën gjithashtu industrinë jokonkurruese. Nëse kosto e një produkti që prodhohet në vend rritet me 10 lekë, pa dalë nga fabrika, atëherë produktet e importit bëhen tërësisht konkurruese, dhe kjo tashmë i ka ndodhur industrisë vendase edhe pa këtë rritje.
Industria bëhet jokonkurruese
Rritja e taksave në vitin 2014, rritja e çmimeve të naftës, solarit dhe gazit, rritja e taksave dhe tarifave vendore i kanë bërë disa prodhime vendase tërësisht jokonkurruese me importin. Adi Haxhiymeri nga fabrika e përpunimit të miellit “Bloja”, pohoi se industria e blojës është në zgrip për shkak të rritjes së kostove dhe konkurrencës së pandershme që bëhet me importin e miellit të pastandardizuar nga Serbia. Nëse kostot do të rriten më lart, përpunimit në vend do t’i vijë fundi, pohoi ai.
Ndërsa një administrator i një fabrike qumështi, i cili kërkoi të prononcohej në kushtet e anonimatit, tha se rritja e çmimit të energjisë do të nxjerrë nga tregu shumë operatorë të vegjël. Ai pohoi se nënçmimi i euros i ka bërë importet më të lira dhe rritja e mëtejshme e kostove në tregun vendas e bën të papërballueshme konkurrencën. Me çmime energjie 35% më të larta mund të mbijetojnë vetëm pak operatorë të mëdhenj që kanë realizuar ciklin e mbyllur pasi kanë në pronësi edhe ferma që furnizojnë fabrikat, të tjerët do të mbyllin aktivitetin.
Bizneset që preken nga liberalizimi janë të shqetësuar se entet publike nuk i kanë asistuar për këtë proces. Përtej të gjitha ngjarjeve, qeveria mund të kishte zhvilluar seanca trajnimi se si bizneset mund të gjenin energji në tregun e lirë, të orientoheshin për modelin e kontratave, rregullat, modelin e tregut etj.
Jaka: Nëse nuk zgjidhet energjia, ndërpresim punën dhe transferohemi në rajon
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, po e sheh me shqetësim këtë situatë.
Dhoma e Tregtisë dhe Shoqata e Prodhuesve ka organizuar tryezën e pare lidhur me liberalizimin e energjisë dhe rrezikun që i paraqitet industrisë përpunuese, por edhe konsumatorëve nga shtrenjtimi i çmimeve.
“Shumë shpejt do dalim me propozim për të mundësuar që tarifat të mos ndryshojnë”, thotë Jaka.
Sipas tij, do të kryhet një analizë e detajuar e kostove të prodhimit dhe do të bëhet krahasimi me çmimet e energjisë në rajon, që ai thotë janë sa gjysma e atyre në Shqipëri. “Nëse nga analiza na rezulton që kostot e produktit janë të papërballueshme, alternativa do të jetë diversifikimi në rajon”, thotë ai.
Jaka shton se nëse çmimi i energjisë do të shkojë deri në 18 lekë/kvh, industria përpunuese, që përdor energjinë si lëndë të parë, do të shkonte drejt një falimenti të pashmangshëm.
Çmimi i energjisë është dyfishuar që nga 2013
Çmimi i energjisë për industrinë vendase thuajse është dyfishuar që nga viti 2013. Linjat prodhuese në vend, të lidhura me rrjetin 20 kilovolt, e kanë paguar një kilovator energji elektrike para 2015-s me 8.1 lekë për kilovator. Me vendimin e dhjetorit të 2014-s, çmimi i energjisë për këto subjekte shkoi 9.5 lekë për kilovatorë.
Por Operatori i Shpërndarjes i faturoi bizneset e mëdha me çmime edhe më të larta.
OSHEE ka kategorizuar në 2015-n shumë biznese si klientë që furnizohen nga Tensioni i Ulët (TU) pika e matjes, ndërkohë që faktikisht furnizohet nga Tensioni i Mesëm (TM) pika e lidhjes. Kjo mënyrë faturimi çoi çmimin e energjisë për industrinë në 14 lekë për kilovatorë (pa TVSH).
Prodhuesit e qumështit shpjegojnë se, rritja e çmimit të energjisë në këto nivele rriti gati me 5 lekë për kilogram djathërat dhe deri 20 lekë kilogramin e qumështit.
Por gjëma do të ndodhë me liberalizimin teksa, entet publike nuk kanë shpallur asnjë skemë mbrojtëse për biznesin.
Shqipëria e ka të varur çmimin e energjisë tërësisht nga reshjet. Në periudhë thatësirash të gjata, ku kërkesa mbulohet nga importi, çmimi mund të arrijë në nivele të papërballueshme që kalojnë të 18 lekët për kilovatorë.
Rritja e kostove për shkak të taksave, çmimit të lartë të energjisë dhe mungesës së ekonomisë së shkallës bëri që marka e njohur gjermane e prodhimit të qumështit “Megle” të mbyllte linjën e prodhimit në Shqipëri më 2015. Për shkak se kompania respektonte parimet për standardet dhe cilësinë nuk e përballoi rritjen e kostove dhe konkurrencën e pandershme, çka bëri që ajo të merrte vendimin e largimit nga Shqipëria.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, thotë se çmimet e larta për efekt të liberalizimit të tregut do ta bëjnë Shqipërinë vendin me energjinë më të shtrenjtë në rajon për biznesin. Aktualisht vendet e rajonit ofrojnë një çmim prej 0.08 euro për kilovatorë të energjisë për industrinë, ndërsa në Shqipëri, me tregun e liberalizuar, çmimi në Shqipëri e tejkalon vlerën rajonale.
Të pambrojtur nga luhatjet e çmimeve në kohë krize energjetike
Shqipëria e ka të varur çmimin e energjisë tërësisht nga reshjet. Në periudhë thatësirash të gjata, ku kërkesa mbulohet nga importi, çmimi mund të arrijë në nivele të papërballueshme që kalojnë të 18 lekët për kilovatorë.
Si do të nisë liberalizimi
Burimet zyrtare në Ministrinë e Energjetikës pohojnë se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE, ka bërë gati 40 subjektet e para për të dalë në tregun e lirë të energjisë. Në këtë grup biznesesh janë bërë instalimet e pajisjeve të matjes dhe tashmë janë gati të shkëputen nga rrjeti i OSHEE-së. Të njëjtat burime pohojnë se pagesa e aksesit në rrjet për konsumatorët në 35 kV është 1.5 lekë për kilovatorë.
Ministria e Energjetikës sqaron se, nëse ndonjë nga bizneset nuk gjen dot furnizues, OSHEE mbetet alternativa e fundit, por do ta ofrojë energjinë me çmime të tjera. Nëse OSHEE nuk iu ka krijuar mundësinë e aksesit në rrjet për t’u shkëputur, bizneset e fashës 35 kilovolt furnizohen me çmimin aktual. Sapo të pajisen me sistemin matës, ato do të faturohen rishtas me çmime më të larta edhe nëse nuk shkëputen nga rrjeti, shpjeguan burimet zyrtare të Ministrisë.
“Nëse OSHEE ta ka krijuar mundësinë e aksesit, por ti nuk del se nuk gjen furnizues dhe shfrytëzon aksesin e alternativës së fundit do paguash jo më të njëjtin çmim”, pohuan të njëjtat burime.
Të pambrojtur nga çmimi
Të 6300 bizneset e mëdha që konsumojnë 35 dhe 20 kilovolt, sapo të pajisen me sistemin e ri matës, do të nxirren në tregun e lirë të energjisë dhe për rrjedhojë nuk do të jenë të mbrojtur nga çmimet e tregut. Sipas ligjit të ri për sektorin e energjisë, ata duhet ta gjejnë lirisht energjinë që ju duhet për konsum nëpërmjet një ndërmjetësi apo një furnizuesi.
Ekspertët e sektorit rekomandojnë që këto biznese, deri në krijimin e Bursës së Energjisë, duhet të prokurojnë energjinë, duke bërë kërkesa në shumë operatorë dhe të lidhin kontrata furnizimi të paktën njëvjeçare. Në këtë mënyrë, ato kanë mundësi të shmangin luhatjet e çmimeve në treg gjatë vitit.
Bizneset do të jenë të ekspozuara ndaj rritjes së çmimit të energjisë, sidomos në kohë thatësirash, pasi furnizimi i vendit në këto periudha është i varur tërësisht nga importet. Nëse KESH-it i duhet të blejë energji me çmim 120 euro megavatori, siç ka ndodhur në vitin 2011, sigurisht që edhe bizneset janë të ekspozuara nga çmimet e larta, nëse kjo ngjarje përsëritet.
Këshilltarja e ministrit të Energjisë, Entela Çipa, thotë se ka më shumë gjasa që çmimi i energjisë të ulet pas liberalizimit të tregut. Ajo thotë se vendi po shton çdo ditë kapacitetet e furnizimit dhe linjat e transmetimit gjithashtu. Në këto kondita, konkurrenca në treg do të rritet e për rrjedhojë kjo do të shtojë presionin në uljen e çmimeve, thotë ajo.
Gjithsesi, edhe pas liberalizimit të tregut, bizneset rrezikohen nga furnizimi me energji. Operatori i Shpërndarjes do të mbajë përgjegjësinë e furnizuesit më të fundit. Që do të thotë se, nëse një nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë do të dështojë të gjejë furnizuesin në tregun e lirë, atëherë OSHEE do të vijojë të furnizojë. Por në këtë rast ndryshon kushti për çmimin, i cili do të jetë më i lartë. Gjithsesi tarifat do të miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë duke marrë një konsideratë analizën e kostove.
OSHEE mund të amortizojë rritjen e çmimeve
Në kuadër të ndryshimeve në tregun e energjisë elektrike, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, kompania më e madhe e tregtimit të energjisë në vend me pronësi publike, do të përfshihet në një proces transformimi për t’i shërbyer për mirë zhvillimeve në treg. Elton Sevrani, drejtori i Tregtimit në OSHEE, pohoi se kompania është përfshirë në një proces reformimi ku njësia e tregtimit do të funksionojë më vete. Në këtë mënyrë, OSHEE mund të ofrohet si tregtar energjie në tregun e lirë. Duke qenë se është operator i madh, kompania publike do të ushtrojë presion me çmime, duke mos lejuar operatorët privatë që të ofrojnë çmime të palogjikshme për bizneset. Sevrani tha se ky është mjeti kryesor që ka OSHEE mbi tregun. Mirëpo edhe transformimi i OSHEE duke ndarë funksionet e shpërndarjes nga ato të tregtimit kërkon kohë, teksa liberalizimi për bizneset po ndodh më shpejt.
Por Drejtori i Operatorit të Transmetimit, Engjëll Zeqo, i cili ka një përvojë shumëvjeçare në sektorin publik të energjisë, tha se bizneset nuk duhet të kenë frikë nga dalja në tregun e lirë. Në vitin 2011, kohë në të cilën kam qenë drejtor i përgjithshëm i KESH sh.a., tregon Zeqo, me nismën dhe këmbënguljen tonë dhe me mbështetje të Ministrisë u bë një amendim në Ligjin për sektorin e energjisë elektrike, në të cilën parashikohej detyrimi i klientëve të lidhur në Rrjetin 110 kV e lart apo që kishin një nivel konsumi mbi 50 milionë KWh në vit. Fillimisht hasëm në një kundërshtim nga konsumatorët në fjalë, bëhej fjalë për një grup prej 7 konsumatorësh të mëdhenj, për shkak të moseksperiencës në dalje në treg për furnizimin me energji elektrike, gjithsesi brenda shumë pak kohe, gjërat u stabilizuan dhe furnizimi me energji elektrike i këtyre konsumatorëve në tregun e lirë të energjisë elektrike vazhdon dhe sot pa asnjë problem.
“Këshilla për këta konsumatorë, nga ana ime, është të mos frikësohen nga procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike, siç ndodh me çdo lloj tregu tjetër. Mund ta kuptoj që fillimisht, furnizimi i energjisë elektrike në tregun e lirë do të dojë njëfarë kohe dhe pak përvojë në ndryshimin e furnizuesit nga OSHEE, gjithsesi mund t’ju siguroj se ligji i sektorit aktualisht u ka dhënë këtyre konsumatorëve të gjitha mundësitë dhe mbrojtjet e nevojshme për të siguruar furnizimin e tyre të sigurt nga tregu i lirë i energjisë elektrike me çmime dhe më konkurruese sesa furnizimi nga një furnizues i vetëm, i cili është monopol”, pohoi ai.
Koncesionarët e HEC-eve: Pa treg energjie, liberalizimi nuk vlen
Prodhuesit vendas të energjisë nuk e shohin me perspektivë liberalizimin e tregut të energjisë. Dalip Spahiu, zotëruesi i HEC Gjançit, por edhe disa HEC-eve të tjera, thotë se liberalizimi i tregut, sipas ligjit aktual, nuk do mund të funksionojë, pasi qeveria ka vendosur hapjen e tregut pa pasur treg.
Ai tha se nuk mund të furnizojë asnjë konsumator tjetër veç OSHEE-së pasi ka një kontratë ligjore më të, e cila nuk mund të prishet në mënyrë të njëanshme. Spahiu tha se nuk ekziston baza ligjore se si veprohet kur një HEC privat shkëputet nga OSHEE për të furnizuar një operator tjetër. “Aktualisht, e shes një kilovator energji në OSHEE me 7.3 lekë. Nëse e shes te një biznes, këtij çmimi do t’i shtoj tarifën e aksesit në rrjet 3.96 lekë që OSHEE ma faturon mua. Këtyre u shtohet edhe një fi që i përgjigjet riskut që ka sektori privat në pagesa”, – shtoi Spahiu. Sipas kësaj logjike, çmimi i energjisë për bizneset, nëse do të furnizoheshin nga prodhuesit vendas, shkon në minimumi 13 lekë.
Për Spahiun, këto llogari janë hipotetike, pasi qeveria e ka të paqartë edhe modelin që do të aplikohet për të sjellë më shumë operatorë që shesin dhe blejnë energji. Ai tha se, energjia që prodhohet në HEC-et e tij e ka të pamundur të shitet në tregun vendas. “Nuk kam ndër mend të lidh asnjë kontratë më bizneset shqiptare që konsumojnë energji, pasi nuk kanë likuiditet”, thotë Spahiu. Ai tha se, edhe tani kishte kërkesë nga klientë të kualifikuar për të shitur energjisë që prodhon nga HEC-et, mirëpo nga verifikimet që ka bërë, ka rezultuar se, i interesuari ka borxhe dhe kredi të këqija në banka, detyrime tatimore dhe për pasojë mundësia për të marrë pagesat në kohë është e pakët. Por ai nuk e sheh si perspektivë edhe shitjen e energjisë jashtë vendit. Pasi aktualisht sistemi i transmetimit është monopol dhe nuk ka linja alternative që të mundësohet transmetimi me kostot të lira. Duke qenë se nuk ka mundësi zgjedhje të shesësh energjinë me kosto të lira transmetimi, interesi për të fituar nga shitja në tregjet e huaja mbetet i ulët. Ai tha se, në të gjithë botën po ndërmerren politika favorizuese në drejtim të energjive të pastra si HEC-et, por në vendin tonë politikat e dy viteve të fundit kanë krijuar ngërç në biznesin e prodhimit të energjisë.