Shumica janë myslimanë, por kjo nuk e bën Shqipërinë myslimane
Mustafa Nano
Lajmi që kish të bënte me atë djalin 24-vjeçar nga Librazhdi që mbeti i vrarë në Siri, kaloi pa shumë zhurmë. U publikua thjesht një njoftim i disa miqve të vet, të cilët ishin të parët që lajmëruan se “kish rënë shahid”, dhe me këtë donin të thoshin, përveç të tjerash, se “ka shkuar në parajsë”. U publikua dhe një shënim i tij në “Facebook”, ku shkruante se “ne jemi kërkues të shahidllëkut; nuk kujdesemi për jetën e kësaj bote të mangët … synimi ynë është jeta e përhershme” (sipas së përditshmes “Tema”). Dhe gazetat nuk dhanë më shumë sesa kaq, gjë që është e pritshme dhe e kuptueshme. Lajmi i një shqiptari të vrarë në Siri nuk shoqërohet më me vëmendjen e interesin e disa muajve më parë, kur të vrarët (shqiptarë) përbënin një lajm a një ngjarje të pazakontë. Tani që të vrarët janë bërë shumë, çdo vrasje (vdekje), edhe pse në thelb ka të njëjtën peshë e simbolikë me vrasjet (vdekjet) e mëparshme, të trondit më pak. Për rrjedhojë, vlen më pak në pikëpamje mediatike. Por, pavarësisht cinizmit e ftohtësisë mediatike përballë së njëjtës ngjarje që përsëritet, Idajet Balliu, përndryshe Ebu Derda esh Shami, tok me miqtë e tij që janë duke luftuar në Siri a në Irak në të gjitha frontet e mundshme, shpesh kundër njëri-tjetrit, e në çdo rast – kështu u është mbushur mendja – “për të provuar adhurimin për Zotin”, janë që të gjithë një arsye për të mbajtur gjallë diskutimin publik mbi shoqërinë shqiptare e mbi sëkëllditë e saj në këto kohë moderne.
Nuk dihet sesa është numri i shqiptarëve që kanë shkuar të luftojnë e që kanë mbetur të vrarë në tollovinë e madhe në atë qoshe prore të nxehtë të botës. Shifrat që jepen nga burime të ndryshme janë të ndryshme. Por kur vjen puna te një logjikë e përafruar e shifrave, të gjitha burimet janë në një mendje: shqiptarët që po luftojnë atje janë me qindra, ndërsa të vrarët janë me dhjetëra. Të njëjtat shifra jepen edhe kur flitet për “kontributin” boshnjak në ato luftëra. E duhet thënë se “kontributi” ballkanas ka tërhequr më së shumti vëmendjen e vëzhguesve perëndimorë. Kuptohet pse. Nuk kish se si t’i shpëtonte syrit të këtyre vëzhguesve kjo çalltisje e myslimanëve boshnjakë e shqiptarë, së pari ngaqë këta janë në një mënyrë a në një tjetër myslimanë europianë, e së dyti ngaqë vendet e tyre të origjinës, nëse gjërat nuk do të marrin ndonjë rrjedhë të papritur në të ardhshmen, do të jenë nesër pjesë e BE-së. Identiteti mysliman i Bosnjës e i Shqipërisë është parë apriori nga shumë europianë si një yçkël që komprometon europianitetin e tyre, dhe kjo rrethanë e militantizmit fetar u ka shërbyer atyre, por edhe të tjerëve, që këtë punë e shohin ndryshe, për të bërë rishqyrtime të caktuara. E ka rrezik që këto rishqyrtime të mos bëjnë gjë tjetër, veçse të shndërrojnë paragjykimet e tyre në opinione e bindje. Pas kësaj, do ta kenë më të lehtë ta mbrojnë e ta nënvizojnë me forcë më të madhe pretendimin e tyre se shqiptarët nuk kanë lidhje me Europën, dhe se Shqipëria është një vend mysliman (në këtë pikë po e lë mënjanë Bosnjën). Afërmendsh, nuk është se qullosin gjë me përgjithësime të kësaj natyre, s’ka gjë se në to ka pjesë të së vërtetës, por kjo gjë ka kohë që ndodh tanimë; përveç kësaj, efekti i bujës së provokuar nga militantët shqiptarë në Siri e Irak (me termin “militantë” synoj të jem neutral, por edhe i saktë; fare i pasaktë është termi “mercenarë” që përdoret nga shumë autorë shkrimesh; nuk përjashtohet që të ketë me qindra, ndoshta mijëra, mercenarë në ato luftëra, por mes tyre, sipas shumë gjasave, ka pak apo aspak shqiptarë; këta të fundit kanë shkuar atje si militantë, e jo në këmbim të parave që u japin; e ky fakt, të paktën sipas meje, as i nderon, as i përligj; përkundrazi), efekti i bujës pra është i pashmangshëm.
Të kuptohemi, kur thuhet që Shqipëria është një vend mysliman, nuk është se duhet ta marrim për fyerje (ka ndoca që e kanë interpretuar kështu, gjë që është thënë, në mos është lënë të nënkuptohet, në reagimet e tyre). Jo, problemi është se thuhet një gjë e pavërtetë. Dhe të pohosh se “nuk është se vërtet që Shqipëria është një vend mysliman” nuk do të thotë se nuk pranohet fakti që myslimanët janë shumicë në Shqipëri. Jo, janë të sakta të dyja pohimet, d.m.th. edhe që “myslimanët janë shumicë në Shqipëri (me myslimanë po kuptoj të gjithë ata shqiptarë që janë të traditës myslimane)”, edhe që “Shqipëria nuk është vend mysliman”. Dhe ne duhet ta shprehim me forcë këtë gjë. Të tjerët duhet të na njohin ashtu si jemi, e jo ashtu si duan ata të na njohin.
Por në këtë histori ka edhe një të vërtetë tjetër që duhet bërtitur me të madhe. Shqiptarët që kanë shkuar të luftojnë në Siri e Irak nuk janë një masë përfaqësuese. Ata janë një pakicë që nuk mund t’u japin imazh e nam as shqiptarëve në tërësi, as myslimanëve shqiptarë. Nuk është se me këtë dua të idilizoj situatën. Jo, jam i sigurt se ata përbëjnë gjithsesi një problem për myslimanët e Shqipërisë, e për Shqipërinë. Por të gjithë e dimë se masa e madhe e myslimanëve tanë nuk ka lidhje me ta. Dhe ky është fakti i dytë që ne duhet t’ua bëjmë të ditur të gjithë atyre që kanë marrë përsipër të flasin për punët tona pa i njohur mirë këto punë.
Madje, sot janë vetë myslimanët që po merren me këtë problem, janë ata që po e trajtojnë më së pari si një sfidë të tyren. Nuk është se po bëjnë ndonjë gjë kushedi se çfarë, por po vihen re shenja të qarta që demonstrojnë se, në ndryshim nga më parë, drejtuesit e komunitetit mysliman janë duke i dhënë munxët ekstremizmit e fanatizmit, janë duke e bërë këtë faqe botës, e janë duke i inkurajuar anëtarët e grigjës së tyre për t’u integruar në shoqërinë shqiptare e për t’u bërë pjesë e axhendave të përbashkëta. Ka qenë një befasi e bukur që disa prej këtyre drejtuesve nuk kanë ngurruar që të distancohen prerë nga imamët që nuk përfaqësojnë mainstream-in brenda komunitetit mysliman, që nuk përfaqësojnë mbi të gjitha doktrinën e fesë së tyre, e të dënojnë në të njëjtën kohë çalltisjen e atyre që lënë vendin e tyre, marrin me vete gra e fëmijë dhe e mbajnë frymën atje, ku ata besojnë se bëhet një luftë e bekuar nga Zoti.
Post Scriptum: Të njëjtat përpjekje po bëhen edhe në Kosovë, por këtu vështirësitë duket se janë më të shumta, ngaqë edhe plaga e fanatizmit është më e moçme e më e mahisur, edhe drejtuesit e komunitetit demonstrojnë se kanë një axhendë që s’është shumë fetare, e aq më pak shqiptare.