Opinion

Shuplakat e Përmetit

Nga Arben Manaj

Kush mendon se përmetarët në shumicë dërrmuese nuk janë të majtë, ose nuk e njeh atë popull ose nuk njeh politikën.

Por ajo që po quhet “çudia e Përmetit”, pas fitores së të djathtës në lokalet e fundit, nuk përbën dhe aq çudi, nëse nuk analizohet fenomeni dhe shkaku.

Përmetarët e zëmëruar votuan kundër kandidatit të së majtës për kryetar bashkie, por ua dhanë votën në shumicë këshilltarëve të majtë.

Dukshëm, ata kanë qenë të pakënaqur me kandidaturën e rikonfirmuar të kryebashkiakut të ikur tashmë, për arsye që ata i dinë më mirë.

Me siguri, të gjithë e mbajnë mend episodin e disa muajve më parë, kur deputeti i Përmetit, Lad Kosta, për pak sa nuk la grupin parlamentar të Partisë Socialiste, për shkak të arrogancës së selisë së PS në Tiranë, për të rikandiduar kryetarin e deriatëhershëm të bashkisë.

Dhe qartazi, as ky kërcënim i deputetit, nuk e sprapsi as arrogancën e as injorancën e Kryeministrit vulëvënës, për gjendjen reale në atë qytet dhe rreth të majtë politikisht.

Siç ndodh shpesh në kësi rastesh, kur dëgjohen deputetë të tjerë të rrethit të ngushtë e të preferuar të kryeministrit si Arben Ahmetaj, që duhet të mbajë përgjegjësi direkte dhe injorohen sensibilitetet lokale, shuplakat nuk ka sesi të mos kthen në bumerang.

Është kjo arrogancë dhe përbuzje e vënë re edhe në bashki të tjera, kur votuesit e majtë merren si të mirëqenë e tufa njerëzish, që do të duhet të votojnë symbyllazi ata që emëron qendra, në një shenjë të hapur shpërfillje për inteligjencën dhe pavarësinë e tyre të vendimmarrjes politike.

Në Përmet, një qytet dhe rreth që e njoh mirë personalisht, kandidaturat alternative ishin potencialisht më shpresëdhënëse se kandidati i imponuar me fodullëk dhe prepotencë.

Mes tyre, shumë mirë mund të kishte fituar edhe publicisti i njohur, me kontribute të njohura për fitoren e së majtës dhe Rilindjes si Bledi Mane, njeri që punonte në atë bashki dhe një flambojant me një vizion modern për të ardhmen e qytetit, që fundja ka minimalisht po aq shumë vlera, edhe intelektuale, edhe si njeri i formuar në Perëndim, pa folur dhe krahasuar kontributet e identifikuara respektive, sa edhe kandidati i së majtës në Vlorë për shembull, që fitoi atje sikur edhe çdo emër tjetër të vihej do fitohej në hambare kaq të mëdha elektorale.

Por interesa okulte duket se fatkeqësisht janë vendimtare në vendimmarrje që kanë mbështetjen e Kryeministrit dhe njerëzve më të afërm të tij apo eminencave gri dhe këshilltarëve 99-ësh informalë mediatikë të tipit “55”, të shumë pushteteve në post-diktaturë.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Bashkinë e Këlcyrës, ku Aleanca e Majtë ishte në prag infarkti për humbjen deri në minutën e fundit të kandidatit të së majtës, kryetarit të disa mandateve në atë qytet, ku pritet të investohen miliona euro për sistemin e ujësjellësit, që pritet të sjellë ujë në rubinetet e banorëve të Këlcyrës, dhe siç spekulohet lokalisht ekziston edhe frika për korrupsion të mundshëm në këtë investim nga sponsorë mediatikë me influencë pranë kryeministrit.

Dhe këtu do duhet që këtej e tutje të mbahet nën vëzhgim një mundësi e tillë, si nga opozita ashtu dhe shoqëria civile e elektorati i majtë i pakënaqur përmetar.

Votimi përmetar, në një kontekst të tillë, nuk duhet të përbëjë çudi e do duhet të shihet si një shuplakë a shpullë që votuesit e majtë i dhanë partisë dhe qeverisë së tyre, duke dëshmuar integritet dhe vetërespekt.

Ky votim tregoi sesa pa bazë dhe sa të pavërteta dhe të pasakta kanë qenë ato pseudosondazhe të pretenduara nga Partia Socialiste dhe kryeministri, kur kanë vendosur kë të kandidojnë në këtë qytet, të paktën.

Nëse nuk kanë bërë sondazhet e tyre partiake, të paktën të konsultoheshin edhe me sondazhet online dhe në Facebook të kandidatëve për kryetarë bashkish të mediave që janë më afër mazhorancës në prag të fushatës, për të mësuar se cilët kishin më shumë shanse për të fituar në dy bashkitë e Përmetit.

Por arroganca shkoi kaluar në Përmet dhe u kthye në këmbë, si çdo tangërllëk, falë dinjitetit të pasardhësve të majtë në shumicë të rilindjes së Naim Frashërit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button