Si do mbrohen zonat natyrore
Ligji i ri që u miratua në Kuvend parashikon një mbrojtje më të mirë të zonave natyrore, sanksione më të ashpra, si dhe më shumë garanci për miratimin e projekteve që do të zhvillohen në to, duke futur për herë të parë në ‘lojë’ Këshillin Kombëtar të Territorit
Në dhjetë vitet e fundit, Shqipëria ka bërë progres sa i përket shtimit të sipërfaqeve të zonave të mbrojtura. Nga rreth 6% që kemi pasur 10 vjet më parë, tani rrjeti është rritur, kjo edhe për shkak të detyrimeve që kemi sa u përket konventave ndërkombëtare. Sot, vendi ka rreth 16.61% të territorit të saj, zona të mbrojtura, ndërsa parashikohet që kjo sipërfaqe të rritet në rreth 18% brenda këtij viti. Një shifër që na pozicionon shumë afër mesatares europiane dhe ndjeshëm më mirë se vendet e rajonit.
Me ligjin e ri, pjesë e këtyre zonave do të jenë edhe ato detare dhe bregdetare (parku i parë kombëtar detar është shpallur Karaburun – Sazani në 2010-n).
Deri në vitin 2020 është miratuar një sistem përfaqësues i zonave të mbrojtura, baza e të cilit përbëhet kryesisht nga 15 parqe kombëtare, disa rezervate natyrore të menaxhuara e peizazhe të mbrojtura, në të cilat strehohen vlerat më të mëdha natyrore dhe biodiversitetit në vend. Përveç kategorive kryesore, përfshihet edhe ajo e Parqeve Natyrore Rajonale, që janë nën menaxhimin e pushtetit vendor.
Në total, numërohen 798 zona të mbrojtura, me sipërfaqe prej rreth 460,060 m².
Ligji tërësisht shqiptar dhe mbi të gjitha, konservator
Flet Zamir Dedej, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura
Në seancën e fundit për këtë legjislacion, Kuvendi miratoi ligjin “Për zonat e mbrojtura”, përse u panë të nevojshme këto ndryshime?
Ne kishim një ligj për zonat e mbrojtura që nga viti 2002 e që nuk i ishte nënshtruar ndryshimeve thelbësore (përveç disa amendimeve të vogla që u bënë në vitin 2008), ndaj lindi si domosdoshmëri hartimi i një dokumenti të ri. Ky do të ishte edhe një përafrim me direktivat bazë të BE-së. Përpara dy vjetësh, ne nisëm punën për hartimin e këtij ligji.
Hartuam një draft të parë, të cilin e qarkulluam mes specialistëve dhe njerëzve që kanë përvojë të gjatë në këtë fushë. Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndërmorën një fushatë për grumbullimin e opinioneve dhe vërejtjeve dhe në total u realizuan 12 dëgjesa në qytetet kryesore me shoqëri civile dhe pushtet lokal.
Pjesa më e madhe e komenteve, që ishin edhe nga ekspertët e huaj pranë institucioneve ndërkombëtare, u reflektuan në draftin e ligjit, i cili u miratua së fundmi në Kuvend. Me hyrjen në fuqi të tij do të nisë edhe puna për realizimin e dispozitave kalimtare.
A kemi të bëjmë me një ligj me natyrë konservatore, pra më të ashpër nga ai që ka qenë deri tani?
Ka pasur komente në media mbi këtë ligj, por që unë i hedh të gjitha poshtë për ta lidhur me disa investime (Mabetex në Divjakë). Ligji nuk u hartua se do të vinin investimet. Gjithmonë do të jetë i pranishëm ‘konflikti’ mes investimeve dhe zonave të mbrojtura. Në të gjitha vendet e botës ka një debat të tillë, ku vullneti për të mbrojtur natyrën vihet përballë nevojës për investime. Ndaj në këtë rast, gjithmonë synohet që të gjendet një vijë e mesme.
Zonat e mbrojtura nuk janë zona “ushtarake”, por që zhvillohen duke i dhënë prioritet natyrës, në raport me investimin. Nga kjo pikëpamje nuk ka pasur asnjë tendencë për ta vënë ligjin në shërbim të këtyre investimeve. Duhet t’ju përmend edhe rastin e kërkesave të vazhdueshme që ne kemi pasur nga Ministria e Energjisë për investimet në burimet hidro dhe ne kemi përcaktuar qartësisht se nuk do të lejohet asnjë investim në zonat “A strikte”. Ka qenë një nga pikat që ka pasur debate. Ndaj nuk duhet ta shohim gjithmonë debatin si një konflikt, por si një mundësi për të arritur në praktikën më të mirë.
Më duhet të theksoj se ligji nuk është bërë për të rënë ndesh me investimet. Nëse do të lexohen 75 nenet e këtij ligji do të kuptojmë se këtu flitet vetëm për mbrojtje.
Çfarë sjell ky ligj, në ndryshim nga ai i vjetri?
Ligji i vjetër shkaktonte përplasje sa i përket përcaktimit të kategorive të zonave të mbrojtura, përcaktimit të parkut kombëtar, atij natyror etj., dhe shkallës së mbrojtjes. Kjo është një nga gjërat që ne e kemi hasur vazhdimisht në problematikat e atyre që do të njihen si zona të mbrojtura. Kategoritë ndahen në zoonime. Një kategori është parku i cili ka disa standarde dhe brenda saj ne bëjmë diferencime në zhvillime. Në zonat qendrore, ne nuk lejojmë ndërtime, në një tjetër disi më pak e kështu me radhë. Ne kemi përcaktuar tre shkallë mbrojtjeje, që është shumë e rëndësishme nga pikëpamja teknike. Gjithmonë ka pasur interpretime që mund të kenë qenë edhe të gabuara.
Një tjetër përmirësim është qartësimi i lidhjes mes kategorive të zonave të mbrojtura dhe objektivit të zhvillimit të përcaktuara në planin e menaxhimit. Kemi të bëjmë me një diapazon modern dhe që i përgjigjet zhvillimeve të kohës.
Divjaka mbrohet se ka lagunën, ka pelikanin kaçurrel; sikundër mbrohet edhe Buna e Velipoja, që kanë një vizion të qartë me një natyrë të veçantë. Pra, përcaktohet objektivi që do të mbrohet dhe pastaj bëhet diferencimi i mbrojtjes sipas shkallëve.
Për herë të parë është parashikuar si institucion që do të miratojë shpalljen e këtyre zonave Këshilli Kombëtar i Territorit. Kemi pasur problemin e mosnjohjes së entiteteve lokale të zonave të mbrojtura me zoonimin e brendshëm. Por, me ligjin e ri do të jetë KKT-ja që do të vendosë si institucioni më i lartë i planifikimit hapësinor të vendit. Ky është një element pozitiv në vendimmarrje.
Kjo nuk e përjashton hierarkinë e mëparshme. Pra, zonat e mbrojtura do të çohen për miratim në KKT dhe më pas secila prej tyre do të miratohet edhe me VKM. Nuk ndryshon procedura e miratimit, por u shtua një hallkë e re e cila do të shërbejë edhe si një garanci më shumë. E kjo duhet kuptuar qartë.
Një tjetër element i rëndësishëm është edhe përcaktimi i rolit të atyre që do të njihen si ‘rengers’. Ky është një term që njihet në të gjithë botën. Dikur ne i quanin roje mjedisore, por menduam se statusi i tyre duhej përmirësuar dhe të kishin më shumë kompetenca. Ligji përcakton një nen të veçantë, por do të ketë edhe një VKM që do të përcaktojë detyrat e kësaj figure. Në këtë mënyrë do të krijojmë atë që do të njihet si trupa e mbrojtjes.
Si do të ndihmojë ky ligj për të bërë të mundur shtimin e sipërfaqeve të zonave të mbrojtura?
Ligji ka elementet që do të bëjnë të mundur këtë gjë. Ne sot kemi rreth 16.6% të sipërfaqes me zona të mbrojtura. Një nivel mjaft i mirë dhe afër mesatares europiane që është 17%.
Me këtë ligj, ne do të mund të shpallim si zonë të mbrojtur zonën e Alpeve, një kërkesë e vjetër e jona. E së bashku me disa zona të tjera, do të mund të arrijmë brenda këtij viti rreth 18% të sipërfaqes. Gjithashtu do të fillojmë të përcaktojmë më mirë kufijtë fizikë të zonave të mbrojtura.
Nuk duhet të harrojmë se për disa zona, ne kemi vendime të vitit 1966 që janë të vakëta në përcaktimet e kufijve. Pra, ligji të jep elementet por nuk përcakton detyrimin. Çdo qeveri ka prioritetet e saj. Është e rëndësishme që kemi arritur të krijojmë një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura dhe që po e kthen fokusin tek ato. Siç është rasti kur ne kemi kthyer mbrapsht vendime për ndërtimin e HEC-eve. Edhe në rastin e investimit që parashikohet në Divjakë nga kompania Mabetex, nuk është marrë asnjë vendim. Kundërshtimin e shoqërisë civile nuk e shoh si diçka të gabuar.
Por, ligji parashikon edhe njohjen e investimeve private, si dhe pronën private në zonat e mbrojtura…
Ne jemi shumë mbrapa në futjen e këtyre koncepteve. Për herë të parë ne kemi parashikuar në ligj konceptin e menaxhimit financiar. Agjencia do të menaxhojë 100% të ardhurat që do të vijnë nga zonat e mbrojtura dhe kjo është një risi. Në njëfarë mënyre ne do të bëjmë të mundur që të investojmë ato para që do të grumbullohen nga menaxhimi i këtyre zonave, këtu përfshihen tokat me qira, struktura turistike, kullotat. Ato subjekte që do të marrin leje për të ndërtuar në zonat e mbrojtura do të paguajnë për tokën e zënë. Me paratë që do të grumbullohen do të krijojmë një fond të dedikuar që më pas të shërbejë për investime. Asnjë shtet nuk do të jetë i prirë për t’u dhënë këtyre agjencive fonde të konsiderueshme, ndaj ne duhet të përpiqemi që t’i sigurojmë vetë.
Çfarë kushtesh duhet të plotësojë një kompani për të investuar në zonat e mbrojtura?
Ne ende nuk e kemi kuptuar se në zonat e mbrojtura investohet për të zhvilluar, jo për të shfrytëzuar. Deri më sot ne njohim vetëm rastet e shfrytëzimit, siç janë hidrocentralet, minierat, prerja e druve. Por, turizmi nuk shfrytëzon, por zhvillon. E gjithmonë do të bëhet fjalë për zona me ndikim të ulët në natyrë, kryesisht lëndina, livadhe etj.
Po ju sjell si shembull parkun e Sherbenikë-Jabllanicë, e cila mund të tërheqë vëmendjen e investitorëve të huaj për ngritjen e fshatrave ekologjikë. Ne nuk i kemi këto investime, por ato do të ishim mjaft të rëndësishme për zhvillimin e këtyre zonave. Ndërsa sot mund të sjellim shembujt pozitivë të Valbonës dhe Thethit, ku kemi investime private. Por, ne duhet të tregohemi të kujdesshëm, pasi ndërtimet sjellin urbanizim e mbetje. Kemi rastin e Shishtavecit, ku është bërë një investim privat me shtëpi të vogla prej druri dhe është mjaft pozitive.
Ndaj investime të tilla janë të mirëpritura gjithmonë.
A ka forcim të masave administrative për shkelësit?
Gjobat dhe sekuestrimet janë dy masa të parashikuara në ligjin e ri dhe janë forcuar. Por, qëllimi ynë nuk është ndëshkimi, por ndërgjegjësimi. Natyra mund të ruhet vetëm përmes ndërgjegjësimit pasi nuk mund të vëmë roje për çdo pemë.
Në zonat e mbrojtura, aktiviteti joligjor është më i vogël se në zonat e tjera, kjo për faktin se vetë banorët janë të prirë që ta mbrojnë. Prerjet e paligjshme bëhen nga subjekte që përmbushin kërkesat e jashtme. Ne në ligj kemi parashikuar që banorët t’i mbështesim për të siguruar nga burime të tjera lëndën drusore dhe jo nga zonat rreptësisht të mbrojtura. Në zonat e pyllëzuara, ne çdo vit bëjmë përzgjedhjen e atyre sipërfaqeve që do të pastrohen dhe që lënda drusore mund të përdoret për nevojat e banorëve. Natyra do të bëjë punën e saj dhe ne duhet të kujdesemi për ta mbarështuar dhe mirëmbajtur. Ka pyje në zonat qendrore që nuk preken dhe ku ndalohet rreptësisht prerja e drurëve. Me këtë logjikë komuniteti do të kthehet në mbrojtësin më të madh pasi do ta ketë të siguruar lëndën drusore. Deri tani kemi ndjekur një praktikë të gabuar duke e prerë pyllin në shtator, por do të duhet ta ndryshojmë për ta bërë në periudhën mars- prill që të rritet fuqia kalorifike. Pra, për një sasi më të vogël druri, sigurohet fuqi më e madhe ngrohjeje.
Nga ana tjetër, a do të kemi edhe zona detare të mbrojtura?
Me ligjin e ri, do të shtohen edhe zonat detare dhe bregdetare (parku i parë kombëtar detar, është shpallur Karaburun – Sazani në 2010-n) duke bërë të mundur shtimin e kësaj sipërfaqeje.
Aktualisht jemi në proces negocimi për një tjetër park detar, që është ai i Porto Palermos për ta shpallur zonë të mbrojtur të kategorisë 4, sipas klasifikimit ndërkombëtar.
“Dëmtuesi paguan”
Zonat e mbrojtura kanë të përqendruar gjithë biodiversitetin dhe vlerat më të mëdha për llojet e ndryshme të habitatit. Për zonat e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë, parimet janë më të forta. Në këto kategori do të kemi përdorim të elementeve të natyrës vetëm për qëllime shkencore. Në zonat për përdorim tradicional do të lejohet përdorimi i drurëve të zjarrit për popullatën sipas vlerësimit të ekspertëve.
Do të jetë detyra e administratës që të inkurajojë popullsinë e këtyre zonave që të zhvillojnë forma të eko-turizmit, përdorimin e vlerës së zonave, por edhe të promovimit të turizmit dhe biodiversitetit.Eko-turizmi
Do të jetë detyra e administratës që të inkurajojë popullsinë e këtyre zonave që të zhvillojnë forma të eko-turizmit, përdorimin e vlerës së zonave, por edhe të promovimit të turizmit dhe biodiversitetit. Pra, duhet të kuptohen përfitimet që sjellin zonat e mbrojtura dhe të mos konsiderohen si vende ku thjesht nuk lejohet kryerja e një aktiviteti të caktuar.
Ligji
Është një ligj autentik shqiptar që është hartuar nga përvoja e deritanishme. Kemi bërë një ligj që i përshtatet mjedisit tonë nisur nga problemet e hasura. Gjithashtu ka nisur puna për hartimin e kateve nënligjore.