Si i përdorin vrasësit mediat sociale?
Krimi & teknologjia
Shpërndarja e të dhënave personale në rrjetet sociale është paragjykuar shpesh si një nga shkaqet kryesore të krimeve, sidomos të vrasjeve, që në disa raste janë shfaqur me postime live në internet. Një studim, tregon se cili është rreziku i vërtetë
Në nëntor 2013, një burrë nga Kolorado i quajtur, Merrick McKoy, bëri një foto me vajzën e tij 19-muajshe dhe e postoi në Facebook – përpara se të vriste beben dhe të vetëvritej. “Mos më gjykoni, nuk kisha zgjidhje”.
Krimi ishte tragjik dhe tmerrues, me apo pa postimin në Facebook. Por fytyra e qeshur e babait e bënë situatën edhe më të rëndë, jo vetëm për të njohurit e tyre, por edhe për kriminologët, sociologët dhe personat e tjerë që vëzhgojnë marrëdhëniet mes shoqërisë dhe krimit.
Për këta persona, sjellja e McKoy-t nuk ishte vetëm një rast. Sipas tyre, ajo është formuar pjesërisht prej atij që duket si një lloj trendi shoqëror, një trend që përfshin krime shqetësuese nga Australia në Nju Jork. Media e quajti trendin “vrasjet e Facebook”-ut dhe kështu u lind një shpirt i ligë interneti.
“Të fajësosh Facebook-un për këto krime”, sqaroi kriminologia Elizabeth Yardley, “është si të fajësosh thikat për therjet”.
Drejtoreshë e Qendrës për Kriminologjinë e Aplikuar pranë Universitetit të Birminghamit, Yardley dhe kolegu i saj, David Wilson, kanë botuar studimin e parë për “vrasjet e Facebook”-ut. Studimi analizoi 48 vrasje të ndodhura brenda familjes në kohët e fundit dhe shqyrtoi rolin që luanteFacebook në ngjarjen në tërësi.
Përfundimi ishte befasues; Facebook është në fakt një mjet modern i reklamimit të vrasësve, por studimi zbuloi se mediat sociale nuk luajnë asnjë rol në shkaktimin apo mundësimin e aktivitetit kriminal.
Në fakt, Yardley dhe Wilson kundërshtuan me forcë termin “Vrasjet e Facebook”-ut.
Kjo, sepse ata zbuluan se nga aspekti demografik, vrasjet që përfshinin Facebook-un, nuk ndryshonin shumë nga vrasjet e tjera ku Facebook-u nuk ishte i përfshirë.
Në të dyja rastet, agresorët janë shumica meshkuj, krimet ndodhin kryesisht në shtëpi dhe vrasësi zakonisht e njeh viktimën e tij, jo në pak raste edhe nga aspekti romantik.
Por ka një kleçkë: edhe pse “Vrasja e Facebook”-ut, nuk përfshin një gjeneratë të re vrasjesh brenda familjes, agresorët vetë priren të përputhen me një nga gjashtë profilet specifike, bazuar mbi mënyrën sesi e përdorin rrjetin për të treguar krimet e tyre.
Teksa disa, si puna e McKoy-t i lajmërojnë qëllimet e tyre në Facebook, të tjerë e kanë përdorur atë për të deklaruar fajin.
Një rast i veçantë është ai i të ashtuquajturit “vrasësi i Facebook”-ut, Derek Medina, i cili postoi një foto të trupit të gruas së tij në rrjetin social pas një zënke.
Më shumë vrasës ose të dyshuar për vrasje, e përdorin faqen e internetit për të treguar jetën e tyre te miqtë, partnerët, ish-ët dhe për të marrë njëkohësisht informacion se çfarë ndodh me ta.
Yardley dhe Wilson e quajnë këtë tipologji, “reaktori”.
Këta tipa, pra, ”reaktorët”, “informatorët” dhe “antagonistët” janë shumë të përhapur në një shumëllojshmëri çështjesh.
“Grabitqarët” dhe “viktimat” përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të internetit dhe të rreziqeve që ai paraqet dhe mundësive që u jep kriminelëve.
Në një farë mënyre, media është kryesisht e fokusuar te rreziku i madh që paraqesin përdoruesit e panjohur ndaj njëri-tjetrit në rrjetet sociale. Cenimi i privatësisë së të tjerëve është fare i thjeshtë tani që njerëzit po shpërndajnë vullnetarisht informacion për jetën e tyre. KompaniaFacebook është hasur me problematikën e privatësisë shpeshherë dhe ka vendosur rregulla strikte për të mbrojtur të dhënat personale.
Megjithatë, në një mënyrë apo në një tjetër, njerëzit po shpërndajnë gjithnjë e më shumë informacion për veten me ose pa vetëdije.
Studimi i “Vrasësve të Facebook”-ut ka zbuluar se nga personat që përbëjnë një rrezik tepër të madh në rrjetet sociale vetëm 12.5 për qind të rasteve janë anonimë dhe të huaj.
Në fakt, shumica e këtyre vrasjeve “alla Facebook”, kryhen nga vrasës të vërtetë në jetën reale dhe prej personave që viktimat i njohin.
Për mirë apo për keq, studimet tregojnë se Facebook është qëllimi dhe jo mjeti i vrasësve.