Opinion

Si vëllavrasës dhe vëllagjetës politikë

Nga Aleksandër Çipa

Një akt qesharak dhe një konsistencë oponenciale po rikthejnë në realitetin e brendshëm të PS-së një moment të munguar të debatit rreth lirisë dhe demokracisë së brendshme.

Akti qesharak është ai që pati për protagonist të dikurnjohurin Shkëlqim Meta, i cili kërkoi përballë ish-kryetarit Fatos Nano formularin për kandidimin, si rival. Militanti i vjetër provincial i PS-së, është rikthyer me një grup të vogël sërish, si protestues para selisë së PS-së. Kësaj here pa kërkuar formular, por duke akuzuar kryetarin aktual Rama, si monopolist i partisë. Aktin gati komik të Sh. Metës, i vetmi që e përcolli me analizë serioze ishte Sali Berisha, politikani i pensionit të papranuar që vijon t’u gëzohet komenteve dhe akuzave komike në hapësirën e vet të rrjeteve sociale. Zoti Berisha me fantazi minore, komentoi se Shkëlqim Metën dhe grupin e vogël para selisë së PS-së i nxori Ilir Meta. Ky version nuk gjeti jehonë dhe akti qesharak jetoi sa një çast.

Konsistenca oponenciale në Partinë Socialiste ka për përfaqësues serioz dhe natyrisht edhe si zotërues të plotë të fjalës dhe argumentit, deputetin Ben Blushi. Ky politikan i afirmuar dhe në ngjitje të vijueshme dëgjueshmërie, në raport me opinionin publik, po shndërrohet në protagonist dhe aktor artikulues i tezave për identitetin dhe majtizmin e kësaj force politike. Pohimet dhe fjalimet e tij intensive të kohës së fundit, pashmangshmërisht po e rihapin debatin e brendshëm në PS, jo thjesht në kuadër të kongresit të shtyrë të saj, por në një rrafsh më të thellë. Ben Blushi po shndërrohet në orator dhe përfaqësues i një platforme, e cila ka lidhje me thelbin e devijuar të udhëheqësimit që Edi Rama i bën forcës kryesore të së majtës në dy pozicionet aktuale të tij; si kryetar i partisë dhe si kryeministër i koalicionit të majtë qeverisës.

Tezat, por sidomos kritikat e mprehta që deputeti Blushi artikulon, falë dy mundësive dhe mjeteve të zotërueshme (shtypit dhe foltores në Parlament), e kanë evidentuar atë si protagonistin e vetëm potencial në përballje me kryeministrin Rama. Zoti Blushi konsiderohet kundërshtar potencial përballë kryeministrit, vetëm në rrafshin e polemistit dhe të kritikut. Ndërsa si rival për kryetar PS-je mbetet ende për t’u parë dhe ka ende shumë e shumë skepticizëm për të besuar dhe për të shpresuar në barazitizëm konkurrimi.

Deputeti rebel është fitues ngadhënjues i heshtjes-dëgjuese në Parlament, jo vetëm nga grupi i deputetëve opozitarë apo aleatë të LSI-së, por më së shumti, nga deputetët e vetë PS-së (!) Kjo heshtje dëgjuese dhe sidomos interesimi i secilit deputet socialist për të qenë në korrent me përgatitjet apo me artikullin e radhës së deputetit-publicist Blushi, përbëjnë një komponent shprehës për vijueshmërinë e debatit dhe pritmërisë së zhvillimeve në PS. Koha po rrjedh dhe tashmë gjendemi në fushatën para-kongres. Aktorët brenda PS-së dhe sidomos situata, po e rrisin pritshmërinë e debatit dhe polemikave në këtë parti. Kjo mundësohet edhe prej imponimit të ndryshimeve në qeveri, që lidhen me nevojën apo pakënaqësinë e gjithëpërfaqësimit.

Për shkak të Kongresit, zhvillimeve në raportet realitet-qeveri, qeverisje-PS dhe krizë-qeverisje, të cilat po komplikohen indirekt edhe prej marrëdhënies me aleatin Ilir Meta dhe LSI-në, skena politike dhe e nesërmja e afërt e saj, po bëhen më komplekse dhe me mjaft dilema.

Jashtë këtij kuadri dhe për qëllime të saja, opozita e pastrukturuar ende si potencial, po investohet fuqishëm dhe ringjallshëm në dy aspekte: Po shfrytëzon maksimalisht dhe me gjithë kapacitetet ndikimin mbi drejtues dhe institucione të larta kushtetuese, të cilat i trashëgoi nga koha e qeverisjes tetëvjeçare. Si dhe në lëmin e diplomacisë së afiniteteve dhe lobimit me faktorin dhe partnerët ndërkombëtarë. Këtë të fundit, Kryeministri Rama dhe aleati i tij Meta, mund ta kenë në qendër të vëmendjes dhe investimit, por e realizojnë individualisht dhe jashtë konstruktivizmit partnerial dhe aleancës për llogari të bashkëqeverisjes.

Në këto kushte, bashkëqeverisja Rama-Meta sjelljen dhe ngërçin që i ka sjellë gjer në krizën e përfolur e mbartin te thelbi, të cilin Giovanni Sartori e shpreh në librin e tij “Ç’është demokracia”, te pasazhi: “Ndryshimi midis pushtetit dhe autoritetit mund të përkthehet si ndryshim midis mënyrave të papëlqyeshme dhe mënyrave të dëshirueshme të kontrollit. Pushteti, si i tillë, është një akt force i mbështetur në ndëshkimet, është një forcë që ushtrohet nga lart mbi ata që i nënshtrohen”. Sjellja e ndryshme brenda partneritetit bashkëqeverisës mes zotit Rama dhe zotit Meta, pikërisht në këtë pikë i dallon: Meta është zotërues i mënyrave të dëshirueshme për mbështetësit militantë, ndërsa Rama i atyre të papëlqyeshme duke kërkuar dhe duke diktuar autoritet përmes pushtetit.

Nën këtë subjekt dhe brenda këtyre konteksteve, pozitën më problematike e ka Kryeministri Rama. Ardhmëria politike e tij përcaktohet njëkohësisht prej zhvillimeve brenda PS-së dhe prej situatës në zhvillim, në raportet e bashkëqeverisjes. Kohën midis së sotmes dhe Kongresit të PS-së, ai e ka njëherësh një nyje, por edhe kulm të karrierës politike të vet. Rivalët-ortakë dhe kundërshtarët politikë të tij, këtë fragment kohe dhe situatash po përpiqen t’i shfrytëzojnë si koniunktura dhe lojëra për imponime dhe përcaktueshmëri në zotërime pushtetesh të reja. Loja dhe zhvillimet politike pa mbërritur marsi i Kongresit socialist, përcaktojnë presidentin e ri të Shqipërisë së vitit 2017, si dhe raportet e reja me disa pushtete dhe institucione të larta kushtetuese. Gjer atëherë, gjithë aktorët dhe partnerët e kësaj politike kanë skenarët e tyre të vëlla-vrasjes dhe të vëlla-gjetjes politike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button