Kosova

Siguria në Evropën Juglindore, nis punimet sot konferenca ndërkombëtare “Germia Hill”

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, së bashku me institutin me famë botërore, Aspen Institute, sot dhe nesër organizojnë konferencën e tretë ndërkombëtare “Germia Hill”, ku do të flitet për Sigurinë në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale.

“Germia Hill” synon që të ndihmojë Kosovën në promovimin e axhendës së integrimit në NATO, duke e përfshirë vendin në debatet e rëndësishme të sigurisë rajonale.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, konferenca do të hapet nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të nisë panelin e parë me temë “Sfidat globale dhe rolet e NATO-s dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor”.

“Kjo do të jetë konferenca më e madhe që është organizuar viteve të fundit në Ballkan, ku do të marrin pjesë afro 200 mysafirë nga 40 shtete të ndryshme të botës. Në mesin e të pranishmëve do të jenë personalitete të njohur të politikës së jashtme botërore, por edhe gjashtë ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes, shumë përfaqësues politikë, redaktorë dhe ekspertë të sigurisë. Në mesin e folësve kryesorë do të jetë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maltës, George William Vella, i cili do të flasë mbi “Migrimin e parregullt, gjendjen në Libi, si dhe për prioritetet e Maltës në prag të marrjes së kryesimit të presidencës së BE-së”.  Në këtë konferencë do të ketë edhe redaktorë dhe gazetarë të shumtë të mediave botërore, si “New York Times”, “The Economist”, “The Times”, “Franfkurter Allgemeine Zeitung”, etj”, thuhet në njoftim.

Sipas MPJ-së, konferenca “Germia Hill” ofron një kornizë për të trajtuar dhe shtjelluar një peisazh të ndërlikuar gjeopolitik nga këndvështrimi i Evropës Juglindore.

“NATO vazhdon të mbetet aspiratë e vetme për siguri kolektive për Republikën e Kosovës, por edhe për shumicën e shteteve të tjera në rajon. Megjithatë, të gjitha vendet e Evropës Juglindore ndajnë të njëjtat shqetësime me pjesën tjetër të Evropës dhe nuk janë imune ndaj sfidave në fushat e politikës së jashtme dhe të sigurisë”, theksohet në njoftim.

E ballafaquar me një konflikt të ri të armatosur në Ukrainë dhe një luftë të përshkallëzuar në Siri, si dhe imigrim dhe rritje të ekstremizmit fetar dhe politik, Evropa Juglindore vazhdon të përballet me sfida të shumta në kontekst të integrimit euroatlantik, veçanërisht për sa i përket implikimeve komplekse gjeopolitike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button