Siguria në shkollë-Tahiri: Aplikacion i ri për të denoncuar problemet nga nxënësit
Shumë shpejt nxënësit e shkollave të mesme do të kenë në telefonat e tyre celular një aplikacion të ri për të denoncuar rastet e dhunës apo armëmbajtjes pa leje nëpër shkolla.
Këtë lajm e bëri të ditur Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, gjatë një takimi me të rinj të organizatave të ndryshme të zhvilluar sot në Tiranë, ku merrnin pjesë 4 ministra të kabinetit qeveritar. Forumi i organizuar nga UNFPA, mbahet njëkohësisht në të gjitha vendet e botës anëtare të kësaj organizate.
Ministri Tahiri duke i’u përgjigjur interesit të të rinjve lidhur me sigurinë në shkolla tha se të gjithë ne fillimisht duhet të gjejmë heroin brenda vetes dhe të kemi kurajon për të denoncuar, ndërsa më tej njoftoi se shumë shpejt në smartphonët e të rinjve do të jetë një aplikacion i ri, prej nga ku mund të denoncohet shkelja e ligjit nëpër shkolla, duke ruajtur dhe anonimatin.
“Unë nuk besoj se mund të kërkojmë ndonjë hero në politikë, nëse nuk gjejmë një hero brenda vetes. E dyta, tha Tahiri, nuk mund të bëhet siguria ashtu siç ne do të donim të ishte, në qoftë se ne nuk mësohemi të sillemi si qytetarë të mirë”.
Duke i’u drejtuar nxënësit që drejtoi pyetjen, Tahiri tha se “klasa jote nuk mund të bëhet dot e sigurt në qoftë se nuk jeni ju brenda klasës, ose të ndërtoni mekanizma të tilla me mësuesit dhe me bordin e prindërve, për të garantuar që shkolla është më e sigurtë dhe e dyta të vësh në provë organet e rendit. Unë, nënvizoi Tahiri, nuk di që të denoncosh në numrin 129 shton rrezikun si qytetar. Unë mendoj që nuk është kështu. Megjithatë shumë shpejt ne do të bëjmë një aplikacion që secili prej jush do ta ketë në telefon, ku mund të denoncosh pa detyrimin që të identifikohesh. Mund të denoncosh për disa lloje veprash penale të cilat prekin më shumë brezin e ri”, tha Tahiri.
Duke folur për aplikacionin në fjalë, Ministri Tahiri bëri të ditur se me këtë aplikacion synohet rritja e aksesit të të rinjve për të denoncuar, duke hequr barrierën dhe nga ana tjetër secili prej jush bëhet kontributor i sigurisë. “Mos mendoni se siguria ndërtohet ekskluzivisht nga policia. Nuk është kështu. Në qoftë se vdesim nervin e qytetarëve duke menduar që sigurinë na e bën patjetër policia e shtetit, nuk ka për të ndodhur kurrë sepse nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës dhe eksperienca e ka treguar këtë. Por në qoftë se njerëzit janë shumë më shumë në shoqëri sesa ata pak që kanë guximin ta shkelin ligjin, ky vend bëhet më i sigurt. Nëse njerëzit që e respektojnë semaforin janë më shumë sesa ata që e shkelin, ky vend bëhet më i prirur ta respektojë rregullin e ligjin”, vijoi Tahiri.
-Gjakmarrja, Tahiri: Problem i trashëguar
Ministri Saimir Tahiri, i pyetur për çështjen e gjakmarrjes tha se nga pikëpamja ngushtësisht qeverisëse kjo është vështirësisht e ndryshueshme në një kohë të shkurtër. “Kjo, sqaroi ai, ndodh për shkak të situatës shoqërore në zona të caktuara dhe për shkak të traditës së hershme, e cila trashëgohet brez pas brezi, për shkak të mungesës së instrumenteve parandaluese ose edukues që të shkëputej ky zinxhiri i trashëgimisë së gjakmarrjes e kështu me radhë.”
Ne, tha Tahiri, po ecim nga njëra anë me penalizmin e fortë, proces hetimor, policor dhe pastaj drejtësi penale, dhe nga ana tjetër me mekanizma parandalues që kanë të bëjnë si me bashkëpunimin me organizata lokale për pajtim ose për shuarje të konfliktit të origjinës në një moment të caktuar, por gjithsesi mbetet thelbësisht një çështje kulturore.”
“Bëhet fjalë, vijoi ai, për konflikte që kanë lindur shumë vite më parë, që në një moment të caktuar kthehen në arsye personale për të çuar përpara familjen të marrë gjak e kështu me rradhë.”
Kjo, veçoi Ministri i Punëve të Brendshme, shkon përtej punës specifike të policisë. “Pavarësisht se dënimi është i fortë nga pikëpamja penale, mekanizmat e tjerë që janë mekanizmat parandalues shoqëror, edukativ dhe institucional janë aty. Bashkëpunimi me organizatat lokale në zona të caktuara funksionon mirë, partnerët ndërkombëtarë kanë pasuir një fokus të fortë te kjo çështje, gjithsesi mbetet ende shumë për të bërë”, përfundoi Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri.