Sir Keir Starmer zgjidhet drejtues i Partisë Laburiste të Britanisë
Starmer fitoi me 56,2 për qind të votave në raundin e parë, që paraqet një fitore vendimtare. Ai e drejtoi fushatën e tij nga qendra e partisë, duke u zotuar se do të bashkojë fraksionet e konfrontuara centraliste dhe socialste brenda partisë.
Starmer nënvizoi se partia humbi katër zgjedhje rresht dhe se “para nesh kemi një mal për t’u ngjitur”.
“Por ne do të ngjitemi dhe do të bëj çmos që të lidhemi përsëri me gjithë vendin, të riangazhohemi me komunitetet dhe votuesit tanë, të lidhim koalicion nëpër qytetet dhe rajonet tona me të gjitha besimet dhe komunitetet, duke folur për gjithë vendin”, shtoi ai.
Duke premtuar se do të bashkojë Partinë Laburiste, Starmer tha se do të merret me pretendimet për antisemitizëm brenda partisë.
“Në emër të Partisë Laburiste, më vjen keq”, tha ai.
“Unë do ta heq këtë helm nga rrënjët dhe do të gjykoj për sukses me kthimin e anëtarëve hebrenj dhe atyre që mendojnë se nuk mund të na mbështesin më”, shtoi Starmer.
Starmer pasoni Jeremy Corbyn, i cili vinte nga krahu më i ashpër socialist i partisë.
Gjatë udhëheqjes pesëvjeçare, Corbyn e zhvendosi partinë në të majtë, pas disa dekadëve në pizicionin e qendrës.
Starmer iu drejtua mbështetësve të Corbyn dhe tha se do të mbështesë pasuesit e tij me qëndrime radikale të politikës, por gjithashtu synon t’u prijë laburistëve drejt fitores.
Sfiduesja e tij kryesore ishte Rebecca Long-Bailey, e cila gjerësisht shihej si pasardhëse e Corbyn.
Gjithashtu, në listë ishte dhe Lisa Nandy, e cila i bëri përshtypje disa ekspertëve politikë, por nuk arriti të bindë anëtarët laburistë.
Starmer është një avokat dhe ish-Drejtor i Prokurorisë Publike. Ai gjithashtu shërbeu si Sekretar në hije i Brexit në kabinetin e Corbyn. Gjithashtu, ai është fitues i Çmimit të Kalorësit në vitin 2014 për shërbimet në ligjet dhe në drejtësinë penale.
Zgjedhjet e brendshme të udhëheqjes së laburistëve përfshinë gjithashtu pozicionin e nënkryetarit, të cilin e fitoi Angela Rayner, sekretare e arsimit në hije, me 52,6 për qind të votave.
Laburistët kanë humbur katër zgjedhje që nga viti 2010, kur ata ishin në pushtet për herë të fundit. Humbja e tyre e fundit e vitit 2019 ishte më e madhja që nga viti 1935.