Sistemi “Smart”, si funksionon matësi inteligjent i energjisë
OSHEE-ja pritet të testojë këtë vit matësit inteligjentë të konsumit të energjisë elektrike. Teknologjia që pritet të hyjë për herë të parë në vendin tonë është shumë e re edhe për vendet e zhvilluara të Europës.
Sistemi inteligjent, i quajtur AMI (Advanced Metering Infrastructure), realizon matjen dhe transmetimin e të dhënave në kohë reale, informacion për cilësinë e energjisë (ngarkesa, tensioni etj.), ndërprerjen dhe rilidhjen e energjisë në distancë, komunikimin në dy drejtime për në qendrën ku ndodhet sistemi i faturimit dhe opsione të tjera që janë në dëshirën e klientit.
Burime nga OSHEE-ja bëjne të ditur se për vitin 2015 është parashikuar të nisë zbatimi i planit për furnizimin dhe vendosjen e aparateve inteligjente të tipit “IIB AMI” në disa zona të vendit.
Aparati Smart, që do të vendoset në shtëpitë dhe bizneset e vogla në Shqipëri, sipas burimeve nga OSHEE-ja, është i tipit “IIB AMI”, një pajisje elektronike që regjistron në kohë reale dhe raporton konsumin e energjisë elektrike në intervale të cilat i cakton operatori (p.sh. çdo një orë), duke mundësuar monitorimin dhe faturimin. Këto aparate kanë komunikim të dyanshëm (marrje dhënie) me sistemin qendror. Aparatet e sistemit AMI përfshijnë reagimin në kohë reale, njoftimin e ndërprerjeve të energjisë, si dhe monitorimin e cilësisë së rrymës. Në Shqipëri, këto aparate do të komunikojnë përmes teknologjisë celulare me drejtoritë rajonale të OSHEE-së dhe me klientët, të cilët do të mund të parapaguajnë energjinë.
Teknologjia
Më 1972, Theodore George “Ted” Paraskevakos, duke punuar me kompaninë “Boeing” në Alabama (SHBA), zhvilloi një sistem monitorimi që përdorte transmetimin dixhital për sigurinë, zjarrin dhe sistemet e alarmit mjekësor. Kjo teknologji ishte e ngjashme me sistemin e sotëm automatik të identifikimit të linjës telefonike, e njohur si “Caller ID”. Në 1974, Paraskevakos iu njoh patenta amerikane për këtë shpikje. Në vitin 1977, ai filloi punë në kompaninë “Metretek Inc.”, e cila nisi prodhimin në seri të matësve në distancë dhe të menaxhimit të ngarkesës së energjisë elektrike. Ky sistem i parapriu përdorimit të internetit për komunikimin me matësit inteligjentë. Problemi kritik teknologjik i sistemit AMI është komunikimi.
Çdo aparat matës duhet të jetë në gjendje që në mënyrë të besueshme dhe të sigurt të komunikojë informacionin e mbledhur deri në një vend qendror. Ndër zgjidhjet e propozuara janë: përdorimi i ndërlidhjes celulare, satelitore, me radio, përmes rrjeteve wireless, ose kombinime të tyre, konfigurime që përdorin Wi-Fi dhe rrjeteve të tjera të internetit të lidhura. Aplikimi në zonat rurale ka probleme shumë të ndryshme të komunikimit nga shërbimet urbane apo shërbimet e vendosura në rajonet malore ose zona të pambuluara nga kompanitë celulare dhe interneti.
AMI bën të mundur që komandat të dërgohen në drejtim të shtëpisë për qëllime të shumëfishta, duke përfshirë kohën e përdorimit, informacion për çmimin, veprimet kërkesë-përgjigje apo shkëputjet e shërbimit nga distanca. Konsumatorët mund të përdorin informacionin e dhënë nga sistemi për të ndryshuar modelet normale të tyre të konsumit, (në disa vende mund të përfitosh nga çmime më të ulëta në orë të caktuara të ditës. Çmimet e larta në disa vende përdoren për të frenuar rritjen e konsumit në orët e pikut). Ky lloj matësi ofron përfitime potenciale për familjarët. U jepet fund mbifaturimeve, të cilat janë një burim i madh i ankesave për shumë konsumatorë; ndihmohet konsumatori për të menaxhuar më mirë përdorimin e energjisë.