Opinion

Skandali i TIMS dhe injoranca si mjet për të manipuluar opinionin!

FERDINAND DERVISHI

Sot, fillimisht personi kryesor i akuzuar për vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS, dhe më pas KM, në sinkron, deklaruan se me këtë sistem nuk ka ndodhur asgjë e paligjshme dhe se gjithçka është stisur. Sipas KM, gjullurdia bëhet nga ata që kanë humbur kontrollin mbi sistemin TIMS. Pyetjet që lindin, sidomos pas këtij deklarimi, janë shumë, pasi na dalka se deri më tani TIMS ka qenë i kontrolluar. Po nga kush? Ku janë tani personat që kontrollonin TIMS? Çfarë masash janë marre për këta persona që kontrollonin TIMS dhe që sigurisht cenonin sigurinë tonë kombëtare? A është vënë ne dijeni Presidenti i Republikës? A janë njoftuar shërbimet partnere? A kanë filluar hetimet për ata që kontrollonin TIMS etj, etj.

Ndërsa i akuzuari shkroi se të interesuar janë disa që endin rrjetëza shpifjesh, të cilët i cilëson edhe gomerë. Vjedhësi i akuzuar argumenton se ai ka kërkuar të bëjë vetëm “back-up” të sistemit TIMS. (Back-up i sistemit d.m.th, ang: Make a spare copy of data or a disk. Dhe shqip: Të bësh një kopje rezervë të të dhënave ose një disk.) I akuzuari e shpjegon me këto fjalë:

“Një ndër procedurat kryesore me punën e përditshme të sistemeve është back-up. Jetike për qëndrueshmërinë e sistemeve dhe rikthimin në funksion, në rast sulmesh a fatkeqësish (kujtoj sulmin kibernetik iranian, ku sistemet tona u ringritën pas asistencës se pakushtëzuar nga DART i Microsoft dhe partnerët tanë strategjikë SHBA). Pikërisht për këtë, unë në vijimësi kam kërkuar informacion mbi mënyrën e kryerjes së procedurës së back-up nga personat që e kishin detyrë funksionale. Vërejta se back-up, një proçedurë aq e domosdoshme dhe e rëndësishme, nuk ishte kryer siç duhej. Kërkova të ribëhej. Dhe… vini re: Si përgjigje kam marrë sabotimin…”

Pra, i akuzuari justifikon veprimin me kujdesin që ai po ushtronte pas marrjes së detyrës (katapultimit në fakt, ndërkohë që paraardhësja, pa asnjë arsye, shkelje apo rekord u largua nga posti duke u emëruar fillimisht këshilltare e Drejtorit të Përgjithshëm dhe menjëherë pas e-mail-it denoncues për vjedhjen e TIMS, u internua te Akademia e Sigurisë) dhe sepse vetëm atij i shkoi mendja të kujdesej për të bërë “back-up” të sistemit TIMS. Po kështu, në rreshtat që ai shkruan, aludon se paraardhësja nuk e ka bërë punën mire, d.m.th “back-up” të sistemit, qysh nga sulmet iraniane të një viti më parë dhe rrjedhimisht sipas tij faj ka edhe Drejtori i Përgjithshëm që nuk ka kontrolluar punën e vartëses për gati një vit.

Pyetja në këtë pikë është: Pse duhet t’i bëhet “back-up” një sistemi tejet të sofistikuar, i cili i bën automatikisht vetvetes “back-up” përditë, sa herë që në TIMS hidhen të dhënat ditore të emrave të qytetarëve që p.sh udhëtojnë me avion etj, etj? Pra, shkurt dhe pastër, TIMS nuk ka nevojë që të bëhet “back-up” me ndërhyrje nga jashtë, pasi përveç domosdoshmërisë për çështje sigurie, është dhe shumë e nevojshme për praktikën e punës dhe këto, ky eksperti dhe aktualisht Drejtuesi i Lartë, duhet t’i dinte.

Shkojmë më tej. I akuzuari bën një tentativë infantile për të hedhur tym, thotë se ka pasur një USB xhepi me anë të së cilës nuk mund të kopjohen mijëra TB. Këtu dalim dhe tek pyetja tjetër: Nëse mijëra TB nuk mund të kopjohen, cili “back-up” do të kryhej nga ky drejtues i lartë? Sepse kjo është si të nisësh e të vrasësh një elefant duke pasur si armë fshesën e plakës.

Por një gojë “e ligë” mund të thotë se ka edhe kopjim me përzgjedhje që nuk kërkon ndonjë depozitë të madhe. Dhe në kohët e sotme, në treg mund të gjesh hard drive të jashtëm deri 22 TB, mund të bredhësh dhe me dhjetëra-qindra TB ne xhep, e, në mos në xhep – në makinë, apo diku tjetër.

Gjithsesi USB apo hard drive, tashme mjeti është sekuestruar nga AMP dhe dërguar si provë Prokurorisë së Tiranës. Ajo, ose eventualisht SPAK, do japin një përgjigje më të saktë dhe gjithçka që i akuzuari shkruan për mediat mund të quhet gënjeshtër ose të vërtetohet.

Në këtë pike, duke u nisur nga deklarimet e të akuzuarit, një tjetër mendim plotësohet: me këto gënjeshtra ditën për diell, pra me përrallat e “back-up” dhe të USB-së së zvogëluar, a gjendemi përpara një tentative për të manipuluar opinionin përmes injorancës?

Me tej autori i akuzuar thotë se “të dhënat e sistemit TIMS as janë transferuar, as janë tjetërsuar”. Po, pjesërisht nuk gënjen. Aksionistët e kësaj historie u kapën me presh në duar duke kopjuar të dhëna nga TIMS, dhe sigurisht që për arsye që nuk varen nga ata, mund të mos kenë realizuar kryerjen e plotë të qëllimit të tyre, pra transferimin, ose jo, të të dhënave të TIMS – në hard drive. Këtë do ta mësojmë nga ekspertiza që prokuroria do të kërkojë duke shpresuar të ndodhë shpejt.

Tani të merremi pak me “gomerët”, pasi del që ky drejtuesi i lartë, i cili na jep mësime mbi situatën e gomerëve, duket se ka guxuar të marrë të dhëna nga TIMS pikërisht sepse ka menduar gjithmonë në të njëjtën mënyrë; se rreth vetes do të ketë gjithmonë gomerë. Dhe këtë logjikë vijuese vërtetojnë edhe përrallat e sotme me “back-up” edhe ato me USB xhepi.

Këto për të akuzuarin që guxoi dhe zuri për një çast edhe vendin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë duke bërë deklarime private dhe të paautorizuara ne media. Me KM nuk po merrem pasi, duke u nisur nga ato që tha në konferencën e sotme për shtyp, duket që, në rastin më të mirë, është tmerrësisht i pak informuar nga persona që ai ju beson dhe, në rastin më të keq, i mashtruar nga po ata. Sa duket edhe ai po vuan pasojat e inkursionit ndriçues të drejtuesit të lartë që vijon të mendojë se rrethohet vetëm nga gomerë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button