Skenarët e buxhetit në vitin 2023/ Intervistë me Ministren e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj
Pasiguritë për vitin 2023 pritet të jenë mjaft të mëdha. E gjithë bota po lufton me rritjen e çmimeve, që nisi pas zhbalancimeve të krijuara nga pandemia dhe u përkeqësua, edhe më tej, nga sulmet e Rusisë në Ukrainë.
Në Shqipëri, inflacioni arriti në 8.1% në muajin shtator, niveli më i lartë që nga viti 1998. Kostoja e shërbimit të borxhit të qeverisë është rritur ndjeshëm, me yield-in (interesi) e bonove të thesarit njëvjeçare që ka kërcyer në 5.7%, më e larta në 9 vjet.
Banka e Shqipërisë ka rritur katër herë normën bazë brenda këtij viti, duke e çuar në 2.75%, niveli më i lartë që prej fundit të vitit 2013. Të gjitha parashikimet kombëtare dhe ndërkombëtare flasin për ngadalësim të rritjes ekonomike vitin e ardhshëm, në nivelet e 2-3%.
E gjithë kjo situatë pritet të ushtrojë presion mbi buxhetin e shtetit në vitin e ardhshëm. Ngadalësimi i rritjes mund të sjellë më pak të ardhura në buxhet, ndërkohë që nevoja për të kryer shpenzime do të jetë e lartë.
Por, Financat i kanë tashmë gati skenarët për të përballuar edhe një ngadalësim ekonomik përtej pritshmërive.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, znj. Delina Ibrahimaj, në një intervistë të posaçme për “Monitor”, thotë se janë marrë të gjitha masat, në mënyrë që të mos ketë vështirësi në zbatimin e buxhetit dhe në likuiditetet e nevojshme për të vepruar në vitin 2023.
Nëse kushtet do të jenë të favorshme, Financat parashikojnë emetimin e një eurobondi të ri prej 500 milionë eurosh. Në ndihmë do të vijnë kreditë nga Banka Botërore, Agjencia Franceze për Zhvillim, apo fondi i mbetur pa shfrytëzuar, që u dha gjatë pandemisë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Si pritet ecuria e ekonomisë në vitin 2023. Çfarë skenarësh rezervë ka buxheti, në rast se ekonomia do të përkeqësohet përtej parashikimeve?
Për sa i takon kuadrit makrofiskal, ne presim që në vitin 2023 të kemi ngadalësim të rritjes ekonomike në nivelin 2.6%. Parashikimi, sigurisht, ka pasiguri qoftë në rënie, qoftë edhe në ngritje, duke qenë se ne parashikojmë që gjatë këtij viti, Europa të ketë një recesion teknik dhe jo recesion të thellë.
Në rast se në Europë do të ketë recesion të thellë, sigurisht që parashikimi edhe për rritjen ekonomike shqiptare do të jetë më i ulët, pasi në një masë të konsiderueshme, ne ndikohemi nga kërkesa e huaj, e cila, në pjesën dërrmuese, është e lidhur me BE-në.
Megjithatë, në të gjitha rastet, ne nuk parashikojmë recesion, apo rënie ekonomike gjatë vitit 2023.
Ne presim që në total, parametrat kryesorë makroekonomikë të jenë në konsolidim, që do të thotë se borxhi të reduktohet të paktën me 1 pikë përqindje nga niveli i fundit të vitit 2022.
Presim dhe që deficiti të jetë më i ulët se viti 2022 dhe të kemi balancë primare jo negative për vitin 2023.
Kjo na garanton stabilitet të financave publike. Megjithatë, ne kemi qenë shumë të kujdesshëm të parashikojmë disa skenarë të ndryshëm, që lidhen me financimin.
Kriza që po përjetojmë tani, ndryshe nga kriza e vitit 2020, ka më së shumti të bëjë me mungesat e financimit në tregjet ndërkombëtare, ose me kushte shumë më të shtrënguara të financimit, nisur nga normat e larta të interesit që po aplikohen nga bankat qendrore kryesore ndërkombëtare.
Në skenarin bazë, ne shohim rritje prej 2.6% dhe parashikojmë inflacion prej 3.6% mesatarisht gjatë vitit 2023 dhe gjithashtu, kurs këmbimi stabël.
Në skenarët tanë rezervë kemi marrë parasysh nëse rritja ekonomike do të bjerë në nivelin 1%, apo do të kemi zhvlerësimi të monedhës vendase ndaj Euros, e cila është monedha jonë kryesore tregtare, por edhe një nga monedhat kryesore që ne e kemi të emetuar borxhin e huaj.
Gjithashtu, kemi marrë parasysh një përkeqësim edhe më të madh të kushteve të normave të interesit, pra një rritje më të lartë sesa parashikimi.
Në të gjitha këto raste, nevoja për financim e qeverisë shqiptare vjen e kuadruar, pasi ne kemi disa alternativa të ndryshme të financimit që parashikohen vitin e ardhshëm.
Ne kemi parashikuar se do të emetojmë një eurobond, i cili është në nivelin 500 milionë euro. Një pjesë e këtij eurobondi do të përdoret për financimin e nevojave të rëndësishme buxhetore dhe pjesa tjetër do të përdoret për blerjen e borxhit të parakohshëm, i cili pritet të maturohet në vitin 2027.
Ndërkohë, ne parashikojmë të tërheqim një financim të brendshëm në nivelin 25 miliardë lekë.
Nevoja totale për financimin vitin e ardhshëm është rreth 55 miliardë lekë, si financim i ri, përveç eurobondit, i cili është një alternativë.
Në këtë alternativë ne do tregohemi shumë të kujdesshëm dhe do të dalim në eurobond, në rast se kushtet do të jenë të favorshme, d.m.th. të merret me një normë interesi të kënaqshme për normat e interesit që janë tashmë në treg.
Jemi duke diskutuar me Bankën Botërore, me qëllim marrjen e një borxhi i cili do të jetë në nivelin 120 milionë euro dhe e njëjta shumë do të jepet edhe nga Agjencia Franceze për Zhvillim.
Në total, do të jetë një shumë prej 240 milionë eurosh dhe në rastin që edhe kjo nuk do të jetë e mjaftueshme, ne kemi një sasi SDR[1]-je të alokuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që prej periudhës së pandemisë, e cila ende nuk është përdorur dhe është mbajtur gjatë gjithë kësaj periudhe, si fond kontingjence, në rast se do të kishim vështirësi të likuiditetit, ndërkohë që është disponibël.
Vlera totale e saj, e balancuar në euro, është rreth 180 milionë euro.
Pra kemi disa alternativa, qoftë në drejtim të financimit, të llojit të financimit, të llojit të normave që ne kemi të parashikuara.
Nëse kushtet do të përkeqësohen, nëse rritja ekonomike do të jetë më e ulët dhe normat e interesit më të larta, si dhe nëse inflacioni do të jetë më i lartë se sa ne e kemi parashikuar, ne i kemi marrë të gjitha masat, në mënyrë që të mos ketë vështirësi në zbatimin e buxhetit dhe në likuiditetet e nevojshme, për të vepruar në vitin 2023, i cili ka pasiguri të larta.
Energjia ka qenë një barrë e rëndë për buxhetin në vitin 2022. Në buxhetin e vitit 2023 parashikohet më pak se gjysma e fondeve që u garantuan nga buxheti për blerjen e energjisë këtë vit. Cilat janë vlerësimet e buxhetit për situatën energjetike në vitin 2023?
Në fakt, pesha kryesore që buxheti ka pasur në vitin 2022 lidhej me financimin për energjinë elektrike.
Kanë qenë të parashikuara 28 miliardë lekë dhe deri më tani, janë disbursuar 24 miliardë lekë dhe janë për t’u disbursuar edhe 4 miliardë lekë të tjera, me qëllim mbështetjen e KESH për importin e energjisë elektrike.
Sigurisht këto 4 miliardë lekë do të lidhen ngushtë edhe me situatën e reshjeve në pjesën e fundit të vitit.
Siç shihet, vjeshta ka filluar e thatë dhe ne urojmë që gjatë vijimit të vitit, të ketë më shumë reshje, por nëse kushtet do të vazhdojnë të tilla, fondi prej 4 miliardë lekësh, i cili nuk është dibursuar ende, me siguri do të shpenzohet brenda vitit.
Vitin e ardhshëm, ne gjithashtu urojmë se do të kemi një vit të mbarë me reshje. Fillimisht kemi alokuar një vlerë prej 12 miliardë lekësh, me qëllim mbulimin e kostove shtesë të blerjes së energjisë elektrike.
Ky është skenari pozitiv i sjellë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për mbështetjen e nevojshme për energjinë elektrike vitin e ardhshëm.
Megjithatë, siç jeni bërë të ditur, do të kemi mbështetje edhe nga Bashkimi Europian, në formën e një granti, i cili do t’i jepet jo vetëm qeverisë shqiptare, por të gjithave vendeve të Ballkanit Perëndimor, për ta mbështetur për krizën energjetike.
Nëse do të duhen më shumë financime, ne kemi në dispozicion grantin e Bashkimit Europian, i cili supozohet që do të hyjë në buxhetin e shtetit në 3-mujorin e parë të vitit 2023.
Këto fonde do të përdoren në raste nevoje, njësoj siç ndodhi këtë vit. Nëse kushtet do të jenë të tilla, që do të ketë nevojë për mbështetje për energji elektrike, atëherë këto fonde do të përdoren për zbutjen e efekteve të krizës dhe mbështetjen e kategorive në nevojë.
Gjithnjë ka një përqendrim të shpenzimeve për investime në muajt e fundit të vitit, që është kritikuar dhe nga FMN. Sërish e njëjta praktikë duket se po ndiqet edhe këtë vit. Pse po ndodh kjo?
Po, në fakt, ky vit ka qenë një vit atipik, pavarësisht se kjo është një sjellje normale e buxhetit, ku pjesa më e madhe mund të disbursohet në tremujorin e fundit të vitit.
Këtë vit kemi qenë shumë të kujdesshëm për të ndjekur investimet dhe shpenzimet, në mënyrë të vazhdueshme.
Ky ka qenë një vit atipik, pasi në radhë të parë, të ardhurat kanë tejkaluar parashikimet tona, si nga çmimet më të larta, ashtu edhe nga ecuria ekonomike, e cila ishte më e mirë sesa u parashikua në fillim të vitit, jo vetëm nga ne, por të gjitha institucionet ndërkombëtare.
Suficiti ka ardhur si pasojë e tejkalimit të të ardhurave, por edhe ngadalësimit të shpenzimeve.
Në tremujorin e dytë të vitit ka pasur një tërheqje të realizimit kryesisht të investimeve kapitale, për shkak të rritjes së kostove të ndërtimit, në pjesën më të madhe. Ka pasur një ngadalësim dhe në fakt shifrat e PBB-së, që u bënë të ditura në fund të muajit shtator, e konfirmuan këtë, duke qenë se sektori i ndërtimit doli me rënie në tremujorin e dytë të vitit.
Ndërkohë që ne na është dashur që gjatë vitit të bëjmë rialokime të ndryshme, me qëllim realizimin e shpenzimeve të cilat janë prioritet, në mënyrë që ato të shkojnë në mbështetje të shtresave në nevojë.
Gjatë vitit ne kemi eliminuar projekte të shpenzimeve kapitale, apo kemi vendosur të tjera, të cilat janë konsideruar më prioritare dhe kjo ka sjellë ngadalësim të shpenzimeve të këtij vit.
Vërtet ka pasur realizim të ulët, por fondet e dedikuara deri në fund të muajt tetor arrijnë në nivelin rreth 70% të fondeve totale. Kontratat janë të lidhura dhe disbursimi do të bëhet së shpejti për pjesën më të madhe të investimeve kapitale.
Ka pasur kritika, edhe nga institucionet ndërkombëtare, për mënyrën se si rialokohen shpenzimet buxhetore, duke u përqendruar më shumë tek investimet e mëdha dhe më pak tek arsimi, shëndetësia e mbrojtja sociale, ndërkohë që shtrenjtimi i çmimeve pritet të shtojë më shumë varfërinë. Si bëhet ndarja e shpenzimeve buxhetore?
Shifrat e fundit për varfërinë, që ne kemi të disponueshme janë të vitit 2020. Sipas INSTAT, nuk kemi ende shifrat e vitit 2021 dhe të 2022, që mund të dalin pas dy viteve.
Vetëm kur të dalin shifrat zyrtare mund të shohim se si është ndikuar varfëria. Sigurisht që rritja e çmimeve në çdo logjikë ndikon varfërinë dhe sidomos ato kategori, të cilat nuk e përballojnë dot shtrenjtimin e produkteve. Këto janë kategori që ne i kemi targetuar me paketat tona të mbështetjes, si me paketën e parë, ashtu edhe me të dytën.
Për shpërndarjen e buxhetit të këtij viti, shpenzimet për arsimin dhe shëndetësinë janë rritur në vlerë nominale në buxhetin e vitit 2023, në krahasim me atë të vitit 2022, ndërsa në përqindje të PBB-së, kanë qenë në një nivel pak a shumë konstante të mesatares së viteve të fundit.
Ndërkohë, ka pasur rritje të investimeve ndaj PBB-së në krahasim me buxhetin e vitit 2022. Ne mendojmë se duhet të vijojmë t’i japim stimuj ekonomisë, pasi në kushtet kur mund të ketë shumë pasiguri për kërkesën e huaj, që mund të ndikojë ekonominë shqiptare, ne do të vijojmë stimujt e investimeve në infrastrukturë, në shëndetësi dhe në infrastruktura arsimore.
Ndërkohë që shpenzimet për çështjet sociale janë rritur në mënyrë të konsiderueshme. Vetëm nëse shohim pensionet, në krahasim me atë që ne parashikonim gjatë hartimit të buxhetit para se të vendosnim indeksimin e dytë në tetor, kemi një kosto të rritur të pensioneve për vitin e ardhshëm me 8.4 miliardë lekë, përveç indeksimit që pritet të kryet sërish vitin e ardhshëm, në varësi të indeksimit të shportës së mallrave.
Nga ana tjetër, kemi rritur ndihmën ekonomike, me një vlerë 10% në fillim të këtij viti dhe në tetor, me një tjetër 10%.
Ndërkohë, kemi marrë masa për disa politika sociale brenda paketës së ndihmës ekonomike, duke dyfishuar ndihmën për nënat me tre fëmijë dhe për ata pensionistë që nuk marrin një pension social, ose kategorinë e personave mbi 65 vjeç.
Do të fillojë ndërkohë një tjetër ndihmë sociale për pagesën e kontributeve për sigurimet shoqërore për nënat, të cilat kanë tre apo më shumë fëmijë, kur fëmija më i vogël është deri në 5 vjeç dhe fëmija më i madh është deri në 18 vjeç, që t’u japim mbështetje dhe atyre nënave që nuk mund të punojnë, sepse duhet të kujdesen për fëmijët.
Ka edhe elemente të tjera sociale, të cilat ndikojnë në buxhetin për mbështetjen sociale të vitit të ardhshëm. Si përfundim, buxheti është më i orientuar drejt investimeve, por kostot e shpenzimeve sociale janë më të larta se ato të investimeve.
Sa po i ndien buxheti presionet demografike, si në drejtim të skemës së pensioneve, ashtu edhe rënies së mundshme të produktivitetit në ekonomi, si rrjedhojë e emigracionit të lartë?
Të gjitha janë problematike, qoftë për buxhetin, rritjen ekonomike të vendit dhe qoftë edhe për ecurinë e bizneseve.
Kur takojmë sipërmarrësit, problematika më e madhe e tyre është forca punëtore, nëse para 10-20 vitesh kemi pasur avantazh për forcën punëtore, e cila ka qenë e re, e lirë dhe e arsimuar, tashmë kemi arritur në nivelin ku kompanitë kërkojnë forcë punëtore.
Emigracioni është një proces, i cili ka ndodhur edhe në vende të tjera të stadit tonë, të Ballkanit Perëndimor, si dhe vendeve të tjera që kanë filluar procesin e anëtarësimit në BE.
Por mendoj se është një proces, që siç ka filluar, do të ketë dhe rikthime, pasi janë dukuri që ndodhin në ciklin e jetës së një ekonomie në zhvillim.
Ne sigurisht që kemi menduar disa projekte, të cilat synojnë mbajtjen e të rinjve, kryesisht edhe në Shqipëri, por edhe riintegrimin e atyre që kthehen.
Kemi pilotuar skemën e garancisë rinore, që ka qenë shumë e suksesshme në vende të tjera, ku është zbatuar.
Ajo do të zbatohet në bashkëpunim me BE-në. Për çdo të ri nga mosha 15 deri në moshën 29 vjeç do të sigurohemi që të kenë një ofertë pune, qoftë nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit ku investohet në vendet e punës të këtyre të rinjve, qoftë edhe nëpërmjet programeve të formimit profesional, apo arsimit profesional, me të cilat po mundohemi t’u japim aftësitë e duhura çdo të riu.
Kjo është një problematikë, e cila ndikon në buxhetin e shtetit jo vetëm në këtë aspekt, por edhe në aspektin e skemës së sigurimeve shoqërore dhe asaj shëndetësore. Do të preket jo vetëm nga emigracioni, por edhe nga moshimi i popullsisë, i cili, si çdo vend tjetër i Europës, edhe pse Shqipëria ka një moshë mesatare relativisht të re, ka pasur rritje nga viti në vit.
Sigurisht, që politikat tona do të drejtohen në nxitjen e lindjeve. Ne kemi politikën e bonusit të bebeve që tashmë aplikohet ndër vite.
Kemi menduar që vitin e ardhshëm, si pjesë e politikave sociale të jetë edhe një garanci sovrane që do t’i dedikohet punonjësve në sektorët e sigurisë, apo në profesionin e infermierit në strukturat shtetërore, me qëllim blerjen e banesës së parë, për t’i dhënë mbështetje familjeve të reja, të cilat mund të mos kenë mundësi për pagesë të kredisë.
Paketa fiskale e këtij viti është kundërshtuar nga bizneset për shkak të shumëfishimit të disa gjobave dhe heqjes së diferencimeve të akcizës për disa industri. Cili është komenti juaj?
Si për gjobat, ashtu dhe për heqjen e diferencimit të akcizës, ka pasur debate të mëdha. Kemi vendosur që shumëfishimin e gjobave ta aplikojmë vetëm për bizneset e mëdha.
Gjatë viteve të fundit kemi investuar shumë në sisteme, me qëllim reduktimin e informalitetit dhe tashmë sistemet operojnë.
Duhet me patjetër që nëpërmjet këtyre sistemeve të monitorojmë ecurinë e shitjeve, pra sistemet e fiskalizimit të cilat monitorojmë ecurinë e shitjeve, ndërkohë që kemi reduktuar, në mënyrë të ndjeshme, kontrollet në biznese nga të dhënat e sistemit të fiskalizimit.
Nëpërmjet shumëfishimit të gjobës duam të përdorim një mekanizëm, i cili të ndërgjegjësojë bizneset që të mos e kryejnë shkeljen e moslëshimit të një fature dhe mosshoqërimit të mallrave me faturë tatimore.
Një nga problematikat e hasura është që bizneset e mëdha shesin te bizneset e vogla pa faturë tatimore. Me qëllim që të eliminojmë këtë dukuri, kemi vendosur të shumëfishojmë gjobat.
Nga njëra anë, kemi një rritje të penaliteteve, dhe në anën tjetër kemi vendosur që në gjobën e parë të mosshoqërimit të mallrave me faturë, administrata tatimore nuk do të ketë të drejtë që këtë subjekt ta procedojë penalisht për shkeljen e kryer.
Nga njëra anë, ne shumëfishojmë gjobat me qëllim që të rrisim nismën që subjekti të mos bëjë evazion dhe, nga ana tjetër, kemi bërë një lloj lehtësimi në drejtimin e moskallëzimit penal.
Për sa i përket akcizës së birrës, propozimi është diskutuar disa herë dhe është rekomandim i BE-së që të mos kemi diferencime me pagesat e BE-së. Edhe FMN-ja na nxit që të eliminojmë diferencimet në sistemin fiskal dhe kjo është arsyeja pse ne menduam ta heqim lehtësimin që kemi bërë në të kaluarën.
Kemi parë gjatë viteve se ky lehtësim nuk e ka nxitur rritjen e prodhimit të birrës në vend. Fabrikat kanë mbetur në të njëjtin nivel kur ky diferencim nuk ishte, kjo do të thotë, se kjo nismë nuk e ka nxitur sektorin ku është aplikuar.
Në përgjithësi, lehtësi aplikohen aty ku do të ketë nxitje. P.sh., në disa sektorë si turizmi dhe teknologjia e informacionit, ka pasur ndikim pozitiv dhe janë zhvilluar më tej, pas zbatimit të lehtësive.
Por, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me sektorin e birrës. Kjo është një arsye pse ne kemi hequr diferencimin dhe birra do të ketë të njëjtën pagesë, qoftë në prodhimin nën 200 mijë hektolitra dhe mbi 200 mijë hektolitra.
E lexova me vemendje intervisten dhe nje gje me beri pershtypje se nuk foli fare per pacientet e hemodializes se kush do i rimbursoje ato per transportin.