Skenarët e turizmit këtë verë, çmimet e paketave do jenë më të ulëta
Shqipëria ka në tryezë tre opsione për turizmin. Ai i brendshëm, ai i koordinuar me vendet e rajonit, si dhe ai përtej këtyre kufizimeve. Teksa opsioni i parë është në dorën tonë, dy të tjerët varen nga vullneti i qeverive të Ballkanit për të koordinuar masa të përbashkëta dhe Bashkimi Europian për të vendosur mbi kufijtë. Strukturat hoteliere dhe tur-operatorët shprehen se janë të gatshëm për të pritur turistë në çdo moment që jepet drita e gjelbër dhe theksojnë se zbatimi i protokolleve të reja nuk do të jetë problem. Të gjithë bien dakord se ky nuk do të jetë një vit që do të gjenerojë fitime për industrinë, por synojnë të paktën të sigurohet mbijetesa e sektorit. Sytë, së fundmi, janë drejtuar nga Kosova ku tregu po testohet me paketa të reja ndërkohë që çmimet priten të jenë të ulëta.
Nga Nertila Maho
I keni parasysh ato “meme”-t që qarkullojnë në rrjetet sociale ku shfaqen njerëz që presin të hyjnë në det pas një numri në tabelën elektronike apo ata që po shijojnë rrezet të veshur plotësisht me veshje mbrojtëse me dorashka e maska, apo të tjerë brenda disa flluskave.
Mund të duket ironike dhe një lloj humori i zi në kushtet ku jetojmë, por tashmë të gjithë e kanë të qartë se turizmi, ashtu si jeta e secilit në përditshmëri, nuk do të jetë ai që kemi njohur para COVID-19. Mund të mos ketë këto përmasa ekzagjerimi si në botën virtuale, por do të ndjekë protokolle dhe rregulla strikte, të cilat do të duhet të zbatohen nga biznesi që operon në sektor dhe nga vetë turistët.
Turizmi nuk kishte marrë asnjëherë një goditje të këtyre përmasave në nivel global, pasi krizat financiare, konfliktet politike apo ato mes vendeve, që kanë sjellë edhe përplasje ushtarake, kanë qenë të izoluara. Kjo është një krizë atipike ku duhet të vendosen përparësi dhe përgjigjja e parë erdhi nga Organizata Botërore e Turizmit. “COVID-19, vendos njerëzit të parët”.
Kjo është motoja e OBT duke e shoqëruar me hashtagun “#Travel tomorrow” (udhëto nesër). Të vetëdijshëm për risqet që paraqet aktualisht pandemia, por edhe për nevojën që të mbahet në këmbë një nga industritë me ndikim më të lartë social dhe ekonomik, institucionet ndërkombëtare, qeveritë dhe sektori privat po përpiqen të gjejnë alternativat e mbijetesës.
Shqipëria, një nga destinacionet që është futur në hartat e agjencive ndërkombëtare vitet e fundit, po përpiqet gjithashtu të gjejë rrugën e saj. Po cilat janë opsionet që kemi sot mbi tavolinë?
Skenarët për turizmin në vitin 2020, çfarë mundësish ka Shqipëria
Është e qartë që lëvizje të lirë dhe kufij të hapur ashtu si para COVID-19 nuk do të ketë, derisa të mos kemi një vaksinë. Ky është mendimi i ekspertëve të sektorit, por edhe përshtypja që merr nga qëndrimet e qeverive europiane dhe më gjerë. Duke pasur parasysh këtë izolim, pothuajse të gjithë po shohin mundësitë që kanë për turizmin këtë verë. Për Shqipërinë, janë të paktën tre skenarë.
Por ndërsa njëri është i qartë, dy të tjerët nuk varen nga vullneti ynë. “Kemi tre skenarët e mundshëm: Turizëm i Brendshëm / Turizëm Rajonal / Turizëm pa Kufizim. Mendoj se duke u nisur nga situata, ku për një kthim në normalitet do të duhet një vaksinë dhe imunitet i popullsisë, vendi duhet të përgatitet për një turizëm të brendshëm kombinuar gradualisht me turizmin rajonal” shprehet Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit.
Sa i takon një hapjeje të mundshme të kufijve rajonalë, që ende mbetet në diskutim, ai vlerëson se Shqipëria mund të përfitojë nga kjo situatë, duke pasur parasysh që 80% e turistëve që e vizitojnë hyjnë në rrugë tokësore. “Pika e dytë e fortë janë kategoritë e turistëve që vizitojnë vendin tonë rrugë tokësore, ku rreth 55% vijnë nga vendet fqinje si: Kosova 35%, Maqedonia Veriut 11% dhe Greqia 9%. Operatorët, në bashkëpunim me grupet e tjera të interesit, po punojnë për të paraqitur disa oferta të plota që do të kenë kosto rreth 15-20% më të lirë” nënvizon Topuzi.
Edhe Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve Royal G në Golem, shprehet se aktualisht ka një debat për të lejuar vetëm fluturimet charter, që do të ishin një ndihmë e madhe për Shqipërinë nëse Europa do ta konsideronte si opsion. “Po presim si do të vijojnë ngjarjet. Por ka një lloj optimizmi së fundmi edhe nga Ministria përgjegjëse e Turizmit dhe po diskutohet plani i masave dhe mundësia e hapjes së charter-ave. Flitet për hapje të charter-ave vetëm nga Europa pasi edhe kjo e fundit nga bilanci që po bën, po e sheh se turizmi ka sjellë një humbje të jashtëzakonshme dhe normalisht duhet të shihet një variant si të shpëtohet” – shprehet Norja. Nëse Shqipëria hapet para Turqisë dhe Greqisë, sipas tij do të ketë avantazh dhe mund të përfitojë më shumë.
COVID-19, Shqipëria konsiderohet vend i sigurt, kërkohen masa shtesë
Të dhënat e publikuara mbi Shqipërinë lidhur me infektimet nga COVID-19 apo fatalitetet e klasifikojnë vendin tonë tek vendet e sigurta. Të paktën kështu shprehet kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa. Sipas tij, gjithçka varet nga vendimi që do të marrë Bashkimi Europian për kufijtë, pasi nëse jepet drita e gjelbër, agjencitë e huaja janë të gatshme të nisin operimet me turistë nga vendet nordike apo polakët dhe çekët. “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe të rregullt me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Nga ajo çka na kanë komunikuar janë gati të vijnë pas dy javësh, pra në mes të majit, por problem mbetet mbyllja e kufijve që është një vendim i përbashkët që i takon Bashkimit Europian. Nga shifrat që ne kemi, ata e cilësojnë Shqipërinë si një vend të sigurt. Si pikë e dytë e rëndësishme për ta është plotësimi i infrastrukturës bazuar në rekomandimet dhe protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetit, të mos kemi vatra të reja në mënyrë që klientët të ndihen sa më të sigurt. Kërkohet që të jetë një numër emergjence si dhe një mjek brenda strukturës akomoduese, me qëllim që të konsultohen simptomat nëse janë normale, apo mund të cilësohen si COVID-19. Të jetë në gatishmëri ambienti i izolimit për çdo rast” pohon Kasa.
Në funksion të rritjes së sigurisë për turistët, edhe hotelet janë angazhuar për të zbatuar protokollet e nevojshme, madje ata shprehen se kjo nuk është diçka e re në kushtet kur agjencitë ndërkombëtare kanë kërkuar edhe vite më parë disa standarde. Por tani, të gjitha do të shtohen në funksion të parandalimit të COVID-19. Problem për hotelet nuk janë përshtatja e kushteve, por ardhja e turistëve.
Hotelet nisin publikimin e ofertave të para, më shumë vëmendje edhe tek Kosova
FAFA Group, që menaxhon disa struktura hoteliere në zonën e Golemit, një nga më të mëdhenjtë për nga kapaciteti dhe aktiv në turizmin e organizuar kryesisht me nordikët dhe polakët, testoi situatën fundjavën që shkoi me ofertën e parë për turistët. Arjol Haxhillari, Menaxher i Përgjithshëm, tha se ka interes nga qytetarët brenda vendit që të lëvizin, por nuk arrijnë dot të sigurojnë autorizime për të lëvizur për këtë arsye. Ai theksoi se struktura është gati, duke përfshirë edhe investimin më të ri të FAFA Group. Nëse hapen kufijtë, puna mund të nisë edhe nga 2 qershori. Por sipas Haxhillarit, situata është ende e paqartë. Ai nënvizon se në këto kushte është shtuar vëmendja edhe në tregun e Kosovës.
“Ne kemi operuar me kontrata me garanci dhe në strukturat tona kemi pasur shumë pak gatishmëri për turistët vendas apo ata nga rajoni. Në kushtet ku jemi, kjo duket një zgjidhje premtuese. Edhe nëse nuk hapen kufijtë dhe do të punohet me tregun e Ballkanit, mendoj se do të jetë mirë. Ne vetë kemi nisur të kontaktojmë tur-operatorët në Kosovë dhe t’ju japim paketa fikse që ata të vazhdojnë shitjen. Kjo mbetet e pafinalizuar dhe jemi në bisedime. Nga përshtypjet që kemi marrë nga agjencitë në Kosovë, na thonë se ka interes por e shohin pak të vështirë situatën prej izolimit. Në këto kushte, nëse do të ketë një izolim të ngjashëm me këtë sot sigurisht që do të duhet të mjaftohemi vetëm me tregun shqiptar” – nënvizon Haxhillari.
Çmimet do të ulen, por familjet mund të kenë më pak mundësi për pushime
Ajo që konfirmojnë njëzëri në sektor është që këtë vit do të kemi çmime më të lira për të pushuar. Hotelierët presin që zënia e dhomave edhe në pikun e sezonit të variojë diku tek 65% ndërkohë që vetëm në raste të rralla kjo mund të arrijë deri në 80%. Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, vlerëson se këtë vit sfidë është edhe mundësia që mund të kenë familjet shqiptare për të pushuar në kushtet kur një pjesë kanë ezauruar lejet, por edhe për shkak të kushteve ekonomike dhe uljes së shpenzimeve të luksit.
“Ky vit do të jetë i vështirë, në kufij mbijetese. Në rastin më të mirë, mendohet se do të punohet me kapacitete të reduktuara (rreth 65%). Një pjesë e mirë e punonjësve të turizmit do ta humbin vendin e punës. Janë disa faktorë që do të ndikojnë, si zbatimi i protokolleve të mbrojtjes COVID-19, pamundësisë kohë (pushuesit vendas kanë përfunduar lejet vjetore), rënies së konsumit dhe kufizimit të lëvizjeve të moshës së tretë” nënvizon Topuzi.
Një situatë e tillë, automatikisht imponon rregullat e tregut kërkesë-ofertë e për rrjedhojë, mungesa e kërkesës pritet të ushtrojë presion mbi çmimet. “Çmimet këtë vit do të ulen, nëse gjithmonë do të kemi një sezon turistik. Sigurisht që nuk presim që të jetë një sezon me fluks. Ne si strukturë kemi qenë mesatarisht gjithë vitin e shkuar me zënie të dhomave të hotelit 80%. Në sezon kemi qenë 100%. Këtë vit mendoj se në sezon do të jemi 80%” – nënvizon Blerim Norja.
Arjol Haxhillari, Menaxher i Përgjithshëm në hotelet e FAFA Group
“Po shohim tregun e Kosovës, situata e paqartë sa u takon vendeve të BE”
Strukturat hoteliere në vend, që kanë kontrata me garanci me agjencitë e huaja, janë të gatshme të presin turistët në çdo moment, nëse do të lejohen fluturimet. Arjol Haxhillari, Menaxher i Përgjithshëm në hotelet FAFA Group në zonën e Golemit, u shpreh se vendimet e Bashkimit Europian po mbajnë pezull situatën. Ai konfirmon se aktualisht, grupi i hoteleve FAFA po tenton të shohë si mund të reagonte tregu i Kosovës në kushtet kur izolimi me BE-në do të vazhdonte dhe përshtypjet që janë marrë nga agjencitë kanë qenë pozitive. Sipas tij, ky vit pritet të jetë i vështirë dhe çdo mundësi për të mbajtur në këmbë industrinë, qoftë përmes koordinimit të vendeve të Ballkanit, do të shërbente pozitivisht.
Ju keni qenë aktivë së fundmi duke publikuar edhe oferta si strukturë për të pritur pushuesit e parë këto ditë. Si ka qenë interesi i njerëzve?
Ne kemi qenë aktivë me prezantimin e një oferte në rrjetet tona sociale për turistët vendas dhe njerëzit i janë përgjigjur pozitivisht asaj por sigurisht, ka vështirësi. Kjo ishte një formë e jona për t’u kthyer drejt normalitetit, në kushtet kur protokollet për turizmin pritet të miratohen shumë shpejt. Sot që flasim, për të ardhur në hotelin tonë, edhe pse ne i kemi kushtet njerëzit e kanë të pamundur të vijnë. Pengesë për këtë është kufizimi i qarkullimit pasi nuk merr dot autorizim. Deri në momentin që nuk do të kemi protokollet, ne mbetemi pezull.
Ju si strukturë, a jeni gati të prisni turistët e huaj nëse fillojnë fluturimet nga vendet e BE-së?
Ne kemi gjithçka gati për të pritur turistë në çdo moment. Ajo që mbetet për t’u zgjidhur janë protokollet. Pasi të kalojë kjo pjesë dhe nëse do ketë ndonjë lehtësim sa u takon fluturimeve, shpresojmë shumë që në 2 qershor të fillojmë punë. Kjo gjithmonë nëse situata do të normalizohet disi. Gjithsesi nuk duhet të harrojmë se aktualisht, çdo gjë mbetet e paqartë dhe ardhja e të huajve tek ne do të varet nga vendimi i BE-së.
Po agjencitë e huaja, çfarë kanë thënë gjatë komunikimeve tuaja. A janë të gatshëm? Aktualisht ju çfarë po bëni me strukturën tuaj?
Aktualisht ne kemi të hapura dy hotele tek Mali i Robit, për këtë pjesën e riatdhesimeve që janë në karantinë. Sa u takon agjencive të huaja, ata janë të gatshëm të vijnë, ashtu sikurse ne jemi të gatshëm të përshtasim të gjitha kushtet me kërkesat e reja që imponon kjo situatë. Ne kemi vazhduar punën edhe për strukturën e re me 60 dhoma që kishim nisur dhe në mes të qershorit, edhe ajo do të jetë gati, e mbyllur sipas planit. Njëkohësisht kemi parë edhe gatishmërinë e stafit i cili aktualisht është në shtëpi, sepse të tilla janë kushtet. Vetëm një pjesë janë në punë.
Si e shihni ju idenë e turizmit patriotik, pra të pushuarit brenda vendit si dhe koordinimit me vende që tradicionalisht na vizitojnë në verë, si Kosova apo Maqedonia?
Ne kemi operuar me kontrata me garanci dhe në strukturat tona, kemi pasur shumë pak gatishmëri për turistët vendas apo ata nga rajoni, por në kushtet sot, kjo duket një zgjidhje premtuese. Edhe nëse nuk hapen kufijtë dhe do të punohet me tregun e Ballkanit, mendoj se do të jetë mirë. Ne vetë kemi nisur të kontaktojmë tur-operatorët në Kosovë dhe t’ju japim paketa fikse që ata të vazhdojnë shitjen, por kjo mbetet e pafinalizuar dhe jemi në bisedime. Nga përshtypjet që kemi marrë nga agjencitë në Kosovë na thonë se ka interes, por e shohin pak të vështirë situatën prej izolimit. Në këto kushte, nëse do të ketë një izolim të ngjashëm me këtë sot, sigurisht që do të duhet të mjaftohemi vetëm me tregun shqiptar.
Si i prisni çmimet këtë sezon veror, duke pasur parasysh kushtet ku jemi?
Çmimet do të jenë më të ulëta. Normalisht një situatë si kjo me koronavirusin, këtë efekt do të ketë në industri, jo vetëm në vendin tonë.