Smart City apo Syri i Ciklopit?

Si shumë risi të tjera moderne, duket se edhe Smart City po vjen në Shqipëri jo për të zgjidhur problemet, por thjesht për t’i bërë ato më bashkëkohore. Bota evropiane, pjesë e së cilës duam të bëhemi, probleme të ngjashme i zgjidh me punë, ndërsa ne duam t’i menaxhojmë me terminologji. Kështu po ndodh edhe me Smart City, ose në përkthimin shqip “qyteti i mençur”, të cilin Kryeministri i vendit po e paraqet si qytetin vigjilent: gjithmonë me sy hapur, për të survejuar qytetarët e vet.
Nuk është hera e parë që ai ka folur për këtë gjë. Kur u bë një vrasje te rrethrrotullimi i aeroportit, ai tha se, po të mos e kishin penguar procedurat burokratike për të instaluar Smart City, vrasësit do të ishin kapur në kohë rekord. Ndërsa dje, duket se i kishte tejkaluar pengesat burokratike, ai doli dhe shpjegoi se Policia e Shtetit po pajisej me një “sy magjik”. Nuk foli për ligje, për standarde dhe reforma institucionale, por për kamera survejimi në kohë reale.
Deklaratat e kryeministrit Rama për projektin “Smart City” ndërtohen mbi një krahasim të pambështetur në fakte, kur ai sjell si shembull Jordaninë, të cilën e cilëson si “njëri nga tre vendet më të sigurta në botë”, duke e lidhur këtë siguri drejtpërdrejt me përdorimin e teknologjisë. Rama thotë se, në bisedat me autoritetet e atjeshme, “fjala e përbashkët ishte Smart City, me teknologji nga Abu Dhabi”, duke krijuar idenë se siguria publike është produkt pothuajse ekskluziv i sistemeve inteligjente dhe jo i një kombinimi kompleks faktorësh institucionalë, politikë dhe shoqërorë.
Më problematike se krahasimi është mënyra se si përshkruhet vetë sistemi që parashikohet të instalohet në Shqipëri. Sipas Ramës, “ky sistem i ri i sigurisë regjistron çdo shkelje ligjore në kohë reale dhe e dërgon menjëherë në sallën operative të Policisë së Shtetit”, ndërsa “i jep Policisë një sy magjik për të parë në kohë reale gjithë territorin e saj”. Edhe pse ai këmbëngul se “ky nuk është një projekt kamerash” dhe se nuk bëhet fjalë për mbikëqyrje klasike, gjuha e përdorur përshkruan në thelb një formë kontrolli të vazhdueshëm dhe të përgjithshëm, ku policia shfaqet si një “kryeinspektor i territorit që i ka sytë gjithandej”.
Kjo mënyrë të foluri e zhvendos debatin nga Smart City në kuptimin evropian, që lidhet me përmirësimin e shërbimeve dhe jetës urbane, drejt një vizioni të sigurisë që mbështetet te shikimi i përhershëm dhe reagimi në kohë reale. Kur kryeministri e paraqet teknologjinë si një “sy magjik”, pa sqaruar kufijtë ligjorë, kontrollin institucional dhe garancitë për privatësinë, projekti më shumë është një instrument mbikëqyrjeje sesa një hap drejt një qyteti vërtet të mençur.
Në botën moderne, atë të qyteteve që funksionojnë pa konferenca propagandistike, ku kryeministrat nuk shpjegojnë teknologjinë, Smart City do të thotë bashkërendim dhe administrim efikas në dobi të qytetarit. Atje teknologjia është si një nëpunës i vjetër: flet pak, por di shumë dhe punon me rendiment. Kamera ka, por askush nuk i konsideron ato si organe kryesore të mendimit shtetëror. Tek ne, kamera po paraqitet si truri, zemra dhe ndërgjegjja e sistemit.
Estonia, për shembull, e ndërtoi shtetin digjital pa zhurmë e pa metafora. Qytetari nuk është i survejuar. Sistemet flasin me njëra-tjetrën dhe çdo veprim lë gjurmë. Zyrtari e di se, nëse gabon, gabimi do të regjistrohet për t’u riparuar pa u trashur. Jo nga qielli, por nga ligji.
Në Barcelonë, Smart City nënkupton menaxhim inteligjent të energjisë, ujit dhe trafikut. Sensorët dhe algoritmet përdoren për të kursyer burime dhe për ta bërë jetën urbane më të lehtë.
Në Amsterdam, teknologjia shërben për qëndrueshmëri dhe planifikim afatgjatë. Në Singapor, të dhënat urbane përdoren për të parashikuar nevojat e së ardhmes: banim, transport, shërbime publike. Në të gjitha këto modele, kamerat ekzistojnë, por ato janë detaj, jo filozofi qeverisëse.
Në botën e qytetëruar, Smart City do të thotë që koshi i plehrave të lajmërojë vetë kur është plot dhe duhet zbrazur; që linja e autobusëve të tregojë se është e mbingarkuar dhe të shtohet një korsi apo një mjet; që semafori të kuptojë kur ka trafik dhe të mos të mbajë kot në radhë; që drita e rrugës të ndizet vetëm kur kalon dikush; që uji dhe dritat të maten saktë dhe të mos humbasin në rrjet; që parkimi të të tregojë ku ka vend të lirë dhe të mos xhirosh kot nëpër qytet; që një leje, një certifikatë apo një pagesë të merren online, pa sportel, pa radhë dhe pa mik.
Me pak fjalë, Smart City është qyteti që mundëson lidhjen efektive të sistemeve, kursen kohë, nerva dhe para; Smart City nuk është syri i ciklopit që të survejon.
Kryeministri ynë, për Tiranën, ka zgjedhur modelin e syrit. Në fillim mori me qira dy satelitë, të cilët u prezantuan si dy inspektorë kozmikë. Ata do të shihnin çdo çati dhe çdo beton pa leje. Publiku priti. Satelitët panë, ose nuk panë, por në asnjë rast nuk folën. Asnjë hartë, asnjë raport, asnjë bilanc. Ishin satelitë shumë të edukuar: rrinin e vështronin pa u përzier.
Pastaj erdhi faza tokësore: kamerat inteligjente. Kamera që sinjalizojnë vetë, që ankohen kur fiken dhe që i sjellin problemet drejt e në sytë e policisë. Po krijohet përshtypja se problemi kryesor i shtetit ishte mungesa e syve, jo mungesa e sistemeve, e përgjegjësisë dhe e besimit.
Aq e madhe është propaganda, sa nuk na lë të marrim frymë dhe të shohim ndonjë punë. E di që disa qytetarë të ndershëm do të thonë: ku ishim dhe ku jemi? Gjendja ka ndryshuar. Dhe si shembullin më të madh sjellin e-Albania-n, që ka zhdukur ato radhët e tmerrshme dhe të mërzitshme kur njerëzit kërkonin qoftë edhe një certifikatë familjare.
Por edhe e-Albania, shumë e lavdëruar për zhdukjen e radhëve, në fund të ditës rezulton të jetë thjesht një portal aplikimesh. Qytetari aplikon online, merr një numër dhe pastaj pret. Dosja e tij kalon në duar njerëzish, me letra, vula dhe verifikime manuale. Për certifikatën e pronësisë aplikon online, por përgjigjja varet nga letra që lëviz në korridoret e kadastrës. Për pensionin aplikon online, por dokumentet duhet t’i dërgosh me postë. Jemi shumë larg ditës kur sistemi (pjesë e të ashtuquajturit Smart City) të veprojë automatikisht dhe të zgjidhë problemet në kohë reale, siç presupozon qeverisja digjitale.
Kulmi i “zgjuarsisë” digjitale shihet te pensionistët. Në këtë gjoja sistem, me satelitë dhe kamera që shohin gjithçka, një kategori qytetarësh mbetet ende nën dyshim: të moshuarit. Ata, çdo gjashtë muaj, duhet të paraqiten fizikisht te sporteli për të marrë një dokument madhështor me emrin “certifikatë gjallësie”, për të vërtetuar se janë ende gjallë. Që të marrin pensionin, duhet prezenca fizike. Duhet dëshmia vizuale që janë ende gjallë. Duket se këtu syri i ciklopit nuk bën dot punë.
Pra, në një shtet që sheh gjithçka nga sateliti, pensionisti duhet të shkojë vetë të tregojë se nuk ka vdekur. Një paradoks i vogël administrativ, por shumë domethënës.
Modeli jordanez që sjell Rama nuk është ai ku duhet të shkojë Shqipëria. Jordania është një monarki me pushtet real shumë të përqendruar te mbreti. Në Jordani ka një farë pluralizmi formal, por liritë civile, media e pavarur dhe e drejta e protestës janë të kufizuara, sidomos kur preken çështje të sigurisë, monarkisë apo politikës së jashtme.
Kjo është thelbësore për ta kuptuar edhe referencën e Ramës: siguria e lartë në Jordani nuk vjen nga demokracia, por nga një shtet me kontroll të fortë vertikal, rol të madh të shërbimeve të sigurisë dhe tolerancë të ulët ndaj devijimeve.
Rama gjithashtu theksoi se “miqtë nga Emiratet” i kanë vënë Shqipërisë në dispozicion “një teknologji të natyrës strategjike që mund të përdoret për sigurinë në shkolla”, term që në vetvete është i paqartë dhe alarmues, sepse arsimi nuk është fushë sigurie kombëtare, por hapësirë formimi, edukimi dhe autonomie mendimi.
Pohimi se futja e këtij sistemi në shkolla në Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas Edi Ramës, paska ulur “në mënyrë drastike krimet e çdo natyre”, “mungesat”, “kopjet” dhe madje edhe sjelljen fëminore në klasë, paraqitet si një sukses i padiskutueshëm, por pa asnjë të dhënë konkrete, studim pedagogjik apo analizë psikologjike. Në këtë logjikë, disiplina dhe përmirësimi i sjelljes nuk arrihen përmes mësimdhënies, autoritetit të mësuesit dhe kulturës shkollore, por përmes vëzhgimit të vazhdueshëm teknologjik, duke e zhvendosur edukimin nga marrëdhënia njerëzore te frika se “dikush po të sheh”.
Sipas mënyrës se si e shpjegon Rama “qytetin e mençur”, Shqipëria nuk po shkon drejt një qyteti që punon më mirë për qytetarët, por drejt një qyteti që i survejon më mirë. Teknologjia, pa dyshim, e bën survejimin më efikas, por pyetja mbetet po aq e thjeshtë sa edhe e sikletshme: a kështu qeveriset një shtet demokratik? Qytetari njihet, skanohet dhe regjistrohet nga sistemi, por për të vërtetuar se ende është gjallë, duhet të paraqitet personalisht çdo gjashtë muaj. Në këtë mënyrë, ndërsa flasim për “shoqëri të mençur”, në praktikë po ndërtojmë një realitet ku shteti hap një sy gjithnjë e më të madh, ndërsa qytetari mëson të jetojë nën vështrimin e ciklopit.



