Ekonomia

SME-të, rrugë të reja zhvillimi

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, (MZHETTS) organizoi sot tryezën e rrumbullakët me aktorët dhe grupet e interesit për Aktin e Vlerësimit të Biznesit të Vogël 2015 (SBA), që ka si synim, prezantimin e gjetjeve paraprake të vlerësimit aktual të SME-ve, diskutimi i mospërputhjeve të mundshme në analizë dhe vlerësimi i gjetjeve.

Aktiviteti i organizuar nga ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Komisioni Evropian në bashkëpunim me BERZH-in (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim), Fondacionin Evropian të Trajnimit (EFT) dhe Qendrën Evropiane të Mësimit (SEECEL), shërben si një mënyrë e mirë e ballafaqimit të gjendjes së sotme të SME-ve dhe rrugët e reja për përmirësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre, në kuadër të zbatimit të strategjive dhe praktikave më të mira sipas Kartës Europiane të SME-ve.

Zv/ministre e MZHETTS-së, Brunilda Paskali theksoi rolin e madh që kanë SME-të në Shqipëri si dhe politikat e nisrua për zhvillimin e tyre të mëtejshëm. “SME-të zënë 98% të sipërmarrjes në vend, japin rreth 73% të PPB ndërsa sigurojnë 71% të punësimit në vend”, tha Paskali.

Përfaqësuesi i Komisionit Europian, Christos Kyriatzis, theksoi se niveli dhe suksesi i SME-ve lidhet me njohjen e tyre nga të rinjtë e sidomos nga publiku. “Të rinjtë nuk kanë nevojë të emigrojnë nëse ata njihen me mundësitë e hapjes së një biznesi, ku prioritet është krijimi i kushteve të duhura, aksesi në financë, krijimi i legjislacionit të përgjithshëm dhe zbatimi rigoroz i strategjive”, theksoi Christos Kyriatzis.

Anketimi bazë për realizimin e vlerësimit të biznesit të vogël në Shqipëri ka nisur në muajin mars dhe do të përfundojë në shtator, kur do të jepen sugjerimet për përmirësimet e mëtejshme ligjore, që sjellin zhvillim më të mirë të bizneseve.

SME-të në Shqipëri sipas vlerësimit, marrin 2,5 pikë dhe si dobësi, theksohet moszbatimi i strategjive të miratuara.

Zhvillimi i bizneseve në Shqipëri bazohet tek “Strategjia për Biznesin dhe Investimet 2014-2020″, që synon zhvillimin e Inovacionit dhe Teknologjisë, rritja e sipërmarrjes femërore, inovacionit, për rininë, rritjen e konkurrueshmërisë, etj, përmes disa projekteve me financime. Konkurrueshmëria e bizneseve shqiptare për periudhën 2014-2020 synon rritjen e mëtejshme të prodhimit cilësor. Strategjia kombëtare parashikon instrumentet financiare, të duhura për përshtatjet me teknologji të reja për përmirësimin e konkurrencës së industrisë në tregjet vendase dhe të huaja.

Vlerësimi i Aktit të Biznesit të Vogël 2015, (SBA) paraqet gjetjet paraprake të vlerësimit aktual, diskutimin mbi mospërputhjet e mundshme në analizën dhe sygjeron gjetjet e rrugëve për përmirësimin e mëtejshëm pas monitorimit të progresit në zbatimin e 10 parimeve të Aktit të Biznesit të Vogël për Evropën dhe masat e konvergjencës drejt praktikave dhe standardeve të BE-së.

Ky vlerësim identifikon përparësitë dhe dobësitë në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave, programeve mbështetëse, por edhe krahason progresin e vendit me vlerësimet e mëparshme. Këto masa në tërësi janë të projektuara në mënyrë që të nxisin zhvillimin e SME-ve dhe konkurrencës.

Bazë e studimit janë anketimet tek SME-të për vendet e rajonit të Europës Juglindore, ku përfshihet prej vitit 2012 dhe Turqia, si vende, që janë para pranimit në BE. Sivjet vlerësimi për SME-të bëhet për të 4-tën herë që prej fillimit në vitin 2006 për çdo vend dhe përfshihen në botimin rajonal, Indeksi i Politikave të NVM-ve, si mjet krahasimi për ekonomitë në zhvillim.

Indeksi i NVM-ve e kryer nga OECD është përpjekje e përbashkët me Komisionin Evropian, BERZH dhe ETF dhe zbatohet në katër rajone në 32 vende në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, Evropën Lindore dhe Kaukazin e Jugut, Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe Azia Juglindore.

Ky indeks studion cilësinë dhe efektin e politikës për të siguruar më shumë rekomandime në prioritete si gatishmëria e investimeve, politikave inovatore, zhvillimin e kapitaleve, licencimin e biznesit, etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button