Sofia tregon Sofinë
Në 100-vjetorin e lindjes së piktores Sofia Zengo Papadhimitri, Akademia e Shkencave e kujton sot përmes botimit të një libri, ndërsa në Galerinë Kombëtare të Arteve do të hapet një ekspozitë me veprat e saj
Ajo është rritur duke dëgjuar kaq shumë për Sofinë. Kujtimet e gruas, që donte aq shumë ngjyrat, duket sikur e kanë orientuar drejt zgjedhjeve të saj në jetë. “Babai flet shpesh për të. E përshkruan si shumë të dashur, që i pëlqenin lulet, peizazhet, natyra… Sipas tyre, unë i kam ngjarë, sidomos kur vë syzet”, thotë Sofia Papadhimitri, mbesa e piktores Sofia Zengo Papadhimitri, së cilës i ka trashëguar dhe emrin. Ajo do kishte dashur shumë ta njihte gjyshen, portretin i së cilës i shfaqet ashtu i ëmbël përmes pikturave në familjen Papadhimitri, por ajo u nda nga jeta kohë para se ajo të lindte. Sofia ka lënë gjurmë kudo në jetën e dy djemve. Kujdesi i saj ndaj artit, ndihet në mënyrën sesi jetët e tyre u zhvilluan më pas. Të dy djemtë studiuan violinë, Sofia tjetër sot është një pianiste… Ajo e ka shndërruar në një tjetër formë dashurinë që Sofia e dikurshme kishte për pikturën, duke studiuar piano. Kjo grua nuk ka ndikuar tek ajo vetëm përmes emrit, por përmes një modeli, që Sofias i ka ardhur përmes rrëfimeve për të. Sot, në Akademinë e Shkencave, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së artistes, do të promovohet një libër mbi jetën e saj, ndërsa në Galerinë Kombëtare të Arteve do të çelet një ekspozitë retrospektivë me 80 punime të piktores. Ky përvjetor të bën të hidhesh pas në vite dhe të shohësh se çfarë dimë ne për një nga artistet e para në fushën e arteve pamore, një grua liberale që jetoi në një kohë ndryshimesh të mëdha politike.
Në vitin 1938, studio e vogël në shtëpinë e motrave Zengo ishte shndërruar në vendin e dashur për gratë e qytetit të Korçës. Nëse do t’i linin vetes një kujtim që mund të ngjante i bukur në muret e shtëpisë, ato mund të shkonin e të pozonin tek vajzat tepër të thjeshta, që përmes ngjyrave mund t’i jepnin jetë portretit të tyre si në një fotografi. Sofia duhet të ketë qenë 23 vjeç kur ka pikturuar portretin e një gruaje me vështrimin e humbur diku, flokët e shkurtra nën qafë dhe shallin e kuqërremtë bri bluzës blu, vepër e cila ruhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Në një Shqipëri të trazuar para luftës, Sofia kishte ngjyer ëndrrën e saj tek ngjyrat. E vetmja gjë që ëndërronte aty në studion e vogël që ndante me të motrën Androniqi, ishin sallat e mëdha me ekspozita, apo udhëtimet për të gjetur gjendje që do t’i sillte në tablo. Dikur pikturat murale të Kishave duket sikur e ftonin drejt një bote nga ku nuk donte të kthehej. Artin e pikturës, ajo e mësoi nga i ati, i cili është i njohur për punimet në kishat e Shën Gjergjit dhe të Shën Thanasit. Duket se vajzat e Angjeli Zengos, kishin marrë nga i ati, lojën e bukur me ngjyrat dhe aftësinë për ta shndërruar realitetin në telajo. Në vitin 1941, një tjetër dimension do të shfaqej përpara Sofisë. Ajo udhëton drejt Athinës, aty ku e motra Androniqi kishte nisur studimet për arte. Të njëjtat studime i nis dhe ajo. Shkolla në Greqi do ta ndihmonte Sofinë të njihej me elemente të reja në pikturë, modele që do të bëheshin më pas inspirimi dhe shkolla më e mirë ku ajo donte të ecte. Vitet në Athinë do të kujtoheshin gjithnjë me nostalgji nga vajza pas kthimit në atdhe. Kthimi në Korçë pas studimeve, ku e motra Androniqi kishte ardhur një vit më parë, do ta kthente sërish në marrëdhënie me qytetin. Vetëm një piktor di ta kuptojë mirë qytetin, përmes vëzhgimit që u bën rrugëve, njerëzve apo ndryshimeve që stinët sjellin në të. Korça ishte qyteti i Sofisë, qyteti ku ajo njihte mirë çdo pëshpërimë, për ta hedhur në telajo. Puna si mësuese vizatimi do ta lidhte më shumë me njerëzit. Pas kohës së shkollës ajo mbyllej në studio për të pikturuar. Gjithë krijimtarinë e asaj periudhe, ajo bashkë me të motrën, Androniqin, do ta sjellin në Tiranë në ekspozitën e tyre të parë të hapur në vitin 1942. Një ekspozitë që kujtohet ende sot për morinë e ngjyrave që mbarte. Kjo pasi Sofisë i pëlqenin ngjyrat. “Ajo çfarë më pëlqen më shumë tek pikturat e saj janë ngjyrat. Jo tepër të ndezura, por të bukura dhe natyrale, si dhe variacionet”, thotë Sofia tjetër.
Pas njohjes me Aqile Papadhimitrin, Sofia Zengo do ta linte qytetin e lindjes, Korçën, dhe do të zhvendosej për të jetuar në Tiranë ku lindi dhe dy djem (të dy violinistë). “Të dy jetonin me artin dhe këtë gjë e transmetuan dhe te bijtë e tyre, dhe ata tek ne. Nëna pikturonte peizazhe dhe lule, por edhe portrete duke i parë në një këndvështrim shumë të goditur. Vepra e saj ka shumë larmi”, tregon Sofia. Ajo mban në shtëpi, një pikturë ku shfaqet liqeni i Pogradecit, ku dikur Sofia Zengos i pëlqente të humbej në mendime. “Unë dhe nëna e duam shumë detin”, thotë ajo. 80 veprat që do të prezantohen në Galerinë Kombëtare të Arteve janë një rrugëtim në gjithë krijimtarinë e piktores. Në to ndihet stili i saj për ta parë pikturën si një formë për të shprehur qëndrimet e saj estetike, dhe për të qëndruar larg temave të kohës, siç ishin ato të realizmit socialist. “Gruaja me shall”, “Autoportreti”, “Peshkatari”, “Plaku me mjekër”, etj., sjellin tablo tepër interesante për kohën, veshur me ngjyra të ngrohta.