Politika

Soreca flet pas takimit me Bashën: Nesër presim të mos ketë dhunë

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susane Schutz si dhe ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca kanë zhvilluar një takim me kreun e PD, Lulzim Basha në selinë blu. Fillimisht Basha ka pritur në takim ambasadoren gjermane dhe më pas edhe ambasadorin e BE në Tiranë.

Pas takimit, duke iu referuar protestës se opozitës tek parlamenti, ambasadori i BE ka thënë për gazetarët se nesër është një ditë e rëndësishme dhe ndërkombëtarët presin të mos ketë dhunë.

“Kam qenë shumë i qartë… është e nevojshme që të diskutohet. Mendoj se nesër është një ditë e rëndësishme ne presim të mos ketë dhunë dhe të ndiqen proceset demokratike”- është shprehur Luigi Soreca.

Takimi mes ambasadorëve dhe Bashës ka ardhur pas vendimit për djegien e mandateve nga opozita. Sot në orën 17:00 PD ka thirrur Këshillin Kombëtar, i cili do të jetë organi përfundimtar që do të vendosë për lënien ose jo të mandateve.

Ditën e djeshme PD mblodhi Kryesinë e cila zgjati rreth 2 orë. Pas mbledhjes së kryesisë, Basha foli për mediat, ku njoftoi se Kryesia ka vendosur djegien e mandateve.

“Mbledhja e Kryesisë së PD sapo përfundoi me votë unaime u miratua vendimi për djegie mandatesh”, tha Basha.

Kryedemokrati Basha shtoi se djegia e mandateve nuk është një qëllim në vetvete, por fillimi i një sfide e cila synon të garantojë një qeveri për njerëzit, e jo për krimin.

“Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete. Djegia e mandateve është alternativa e  fundit që i është lënë opozitës që të arrijë një qëllim madhor. Të shembë një qeveri të krimit dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit”, tha Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button