Soreca për “Euronews”: “Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshme që nga qershori 2018”
“Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshme që nga qershori 2018”, deklaroi në një intervistë për “Euronews”, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.
Këtë vit, për herë të dytë, Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë, shprehej, një vit pas fillimit të Strategjisë Komunitare për të Mbështetur Transformimin e Vendeve në Kufirin Lindor të Bashkimit Europian, kryediplomatja europiane, Federica Mogherini në lidhje me procedurat e mundshme të aderimit të Shqipërisë në BE, shkruan “Euronews” në publikimin e një interviste të bërë ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.
“Për këtë çështje Tirana ka punuar shumë. Qeveria socialiste e udhëhequr nga Edi Rama është përgëzuar njëzëri për reformimin e thellë të drejtësisë, që në atë kohë konsiderohej si një prej më të korruptuarve dhe të paefektshmit në gjithë Europën kontinentale. Por protestat e ashpra të drejtuara nga opozita, që akuzon qeverinë për korrupsion dhe vjedhje të zgjedhjeve, vazhdojnë të shqetësojnë Brukselin. Për këtë çështje kemi biseduar me Luigi Soreca, kryetari i delegacionit europian në Shqipëri”, thekson “Euronews”.
Ambasador Soreca, çfarë ka bërë vendi për të merituar një rekomandim të dytë pa kushte për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian?
Shqipëria, ka bërë progres të konsiderueshme që prej qershorit 2018. Së pari, për sa i përket reformës në drejtësi, ku kanë filluar punën institucionet e parashikuara në Kushtetutën e vitit 2016. Dhe tani, pasi procedurat e kontrollit kanë sjellë më shumë se 140 vendime, institucionet që ende duhet të fillojnë punën janë mbushur me gjyqtarë të rinj. Bëhet fjalë për një reformë të paprecedentë që po e bën të famshme Shqipërinë, jo vetëm në Europë, por në të gjithë botën.
Shqipëria nuk është e famshme në gjithë botën vetëm për reformën në drejtësi, por edhe për manifestimet e disa partive politike, partitë e opozitës. Mund të na thoni se cili është dallimi i vlerësimit mes rekomandimit të Komisionit Europian dhe akuzave të opozitës mbi të njëjtat çështje: krim i organizuar, korrupsion?
Akuzat e opozitës janë duke u shqyrtuar. Por duhet të shoqërohen me veprime që përputhen me shtetin e së drejtës. Për më tepër, nëse hetimet do të sjellin një vendim, një veprim penal apo ndonjë dënim, Bashkimi Europian do e marrë në konsideratë të gjithë këtë.
Ky proces mbështetet nga 93% e shqiptarëve, por kjo nuk përkthehet në veprime konkrete nga ana e të gjitha partive politike në vend…
“Me lejoni të them se jam shumë i lumtur që kjo përqindje është kaq e lartë. Në të vërtetë është më e lartë se sa shumë, më saktë nga të gjitha shtetet anëtare dhe sigurisht që është më e lartë se sa gjithë pjesa tjetër e rajonit. Kjo është meritë e sistemit politik në Shqipëri, por edhe e Bashkimit Europian. Tani i takon BE-së që t’i përgjigjet kësaj thirrjeje të qytetarëve shqiptarë.
Të gjithë presin që në mes të qershorit Këshilli Europian të marrë një vendim mbi Shqipërinë. Cili do të jetë vendimi?
Mendoj se duhet të kemi pjesërisht optimizmin e atij që e di se ka punuar mirë, që është edhe optimizmi mbi atë që ka realizuar Shqipëria. Por duhet të ketë edhe pak pragmatizëm. Për këtë arsye dua ta mbyll me një thirrje për të gjitha palët politike që të kalojnë situatën aktuale të bllokimit, duke pasur parasysh interesin kombëtar të shqiptarëve si dhe për drejtimin që duhet të marrë. Ky është çasti për të tejkaluar ndasitë dhe për të parë prioritetet e përgjithshme të qytetarëve shqiptarë.