Sot shpallet aktgjykimi ndaj Millorad Gjokoviqit për krime lufte në Ozdrim
Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të shpallë sot në orën 13:30 aktgjykimin ndaj Millorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatrat përreth.
Sot në orën 13:30, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë pritet të shpallë aktgjykimin ndaj Millorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte, siç njofton Zëri.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Gjokoviqi akuzohet se gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës, dhe në fshatrat përreth, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka kryer vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestim, torturë dhe trajtim mizor e çnjerëzor ndaj civilëve.
Ai akuzohet gjithashtu për mbajtjen e civilëve në kushte skllavërie, dëbimin dhe deportimin e dhjetëra shqiptarëve, si dhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrim të shtëpive të popullsisë shqiptare.
Sipas aktakuzës, gjashtë civilë shqiptarë janë vrarë; tre të tjerë, të plagosur fillimisht, u transportuan në spitalin e Pejës, por më pas u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë; pesë civilë të tjerë u vranë gjatë ofensivës, por trupat e tyre nuk janë gjetur dhe ende figurojnë si të zhdukur.
Me këtë, Gjokoviqi ngarkohet në bashkëkryerje për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Vendimi i sotëm pritet të përcaktojë epilogun e këtij procesi gjyqësor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.