Spajiq: E papranueshme që opozita për shkak të Mandiqit ta bllokojë rrugën evropiane
Kryeministri malazez Milojko Spajiq e quajti të papranueshëm kushtëzimin e rrugës evropiane të Malit të Zi me nismën për shkarkimin e kryeparlamentarit Andrija Mandiq, duke e ftuar opozitën të marrë pjesë me kapacitet të plotë në fazën përmbyllëse të integrimeve evropiane.
Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) njoftoi se nuk do të bashkëpunojë me qeverinë dhe mazhorancën parlamentare, as për integrimet evropiane, derisa Kuvendi të shqyrtojë nismën e saj për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq.
Kryeministri malazez Milojko Spajiq, në një deklaratë për Televizionin e Malit të Zi (RTCG), e cilësoi të papranueshëm kushtëzimin politik të rrugës evropiane të vendit. “Të gjithë janë të shkarkueshëm, përfshirë edhe mua personalisht. Por nuk mund të zemërohesh kur kjo nuk merr përgjigje mazhoritare. Që për këtë arsye — se ndonjë nismë apo ide juaja nuk arriti mbështetje mazhoritare — tani ta shantazhosh rrugën evropiane të Malit të Zi dhe të bëhesh pengesë, këtë nuk e mbështes”, tha Spajiq.
Ai tha se opozita nuk i ka mbështetur gjithmonë ligjet evropiane dhe vlerësoi se ajo duhet të jetë me 100 për qind të kapacitetit e kthyer nga hyrja e Malit të Zi në BE. “Nuk mund të jemi evropianë vetëm me fjalë, duhet të jemi edhe me vepra”, shtoi kryeministri.
Në lidhje me stabilitetin e qeverisë pas daljes së DNP-së nga pushteti dhe kërkesave të Forumit Shqiptar, Spajiq tha se pushteti është stabil dhe se përgjigjja e qeverisë ndaj shantazheve politike do të jetë e njëjtë — shantazhet janë të papranueshme. Por ai theksoi se qeveria do t’i shqyrtojë me kujdes kërkesat legjitime që kanë të bëjnë me të drejtat e grupeve të ndryshme të qytetarëve — shqiptarë, malazezë, serbë, boshnjakë, kroatë, romë apo të tjerë: “As qeveria nuk është llambë magjike, as unë Aladini që t’i plotësojmë dëshirat e çdo politikani në këtë vend”.
Burimi: Portal Analitika



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.