Opinion

Edi dhe Ahmedi… Kur historia katandiset një vizatim me laps e gomë në zyrën e Kryeministrit

Nga BEDRI ISLAMI

Është e habitshme kurajo e Edi Ramës, për të ndryshuar historinë dhe për të ribërë atë sipas bindjes së tij të përkohshme. Në asnjë figurë tjetër të lartë të politikës së pas vitit 1990 nuk është shfaqur një pasion i tillë revizionues, duke tejkaluar çdo mendim shkencor dhe çdo saktësi historike, edhe aty ku ajo tashmë është krejtësisht e qartë.

Rasti i fundit është ai me Ahmet Zogollin, i vetëshpallur mbret nën emrin e Ahmet Zogut, i arratisur trupërisht në momentet më vendimtare të atdheut, thellësisht i korruptuar, i shitur dhe i blerë, herë nga strukturat serbe e herë ato fashiste, aleat i Pashiqit, që e solli në pushtet. Dhe i vetmi nga qeveritarët shqiptarë të pas vitit 1912, që Shqipërinë e la më të vogël nga sa e gjeti, gjë që desh u përsërit nga pasardhësit e tij politikë me marrëveshjen fatkobe të detit me shtetin grek.

Shefi i qeverisë, ndoshta njeriu me më shumë autoritet absolutist në vitet pluraliste, vendosi që në Kullën e Sahatit, në Vlorë, të ngritur në vitin 1937, ku ishin gdhendur portretet e Skenderbeut, të Ismail Qemalit, Flamuri Kombëtar, dhe ku Zogu kishte vendosur veten e vet, portreti i këtij të fundit, pasi ishte hequr nga italianët në vitin 1941, të rivendosej.

Mbi bazën e cilit vendim?

A ka ndonjë vendim bashkiak apo qeveritar që portreti i gdhendur i Zogut të vendoset krahas shtyllave historike të kombit, si të Skenderbeut, Ismail Qemalit dhe Flamurin Kombëtar?

Historia nuk është pjesë e penelit së shefit të qeverisë dhe as e tekave të tij estetike! Nuk mund të sillet me historinë si me “fluturaket” në zyrën e vet. Nuk mund të vizatosh me laps e gomë në tavolinë historinë e një figure politike, duke e ringritur atë në majat e kombit.

Është e habitshme se sa e gatshme është e majta e sotme, e drejtuar nga Rama, por edhe përtej tij, për të flirtuar me figura të dënuara nga historia. Nga njëra anë i rrahin shpatullat veteranëve të luftës antifashiste, nga ana tjetër ngrenë përmendore për ata që ishin kundërshtarë, deri vrasës të tyre.

Por e majta e sotme nuk është as e majtë, as e djathtë, është një bashkësi njerëzish që në majën e tyre kanë vënë një detashment. Këta mendojnë si financierë, e trajtojnë historinë kur dhe si u intereson, e përdhosin nëse duan, e lavdërojnë nëse u pëlqen, e marrin nëpër këmbë kur mendojnë se duhet ta shkelmojnë, e ngrenë në piedestal kur vjen koha e votave.

Por vlerat e tyre nuk i duan. Sepse vlerat e së majtës nuk janë materialiste. Liderët e tyre janë biznesmenë. Koha kur një elitë intelektuale drejtonte të majtën e rënë nga e djeshmja, ka shkuar.

Përse e bën Edi këtë?

Së pari, pasi ai e ka nënshtruar shtetin. Nuk i reziston dot as Akademia e Shkencave, as historianë, as studiues shkencorë. Një shtet i rënë lejon gjithçka, edhe revizionimin e ndryshimin e historisë së tij.

Së dyti, atij vetë, krejt cektësisht, i duket më interesante të ngrejë figura që historia i ka lënë në errësirën e tyre. Si ishte Zogu.

Në vitet e qeverisjes së të majtës rehabilitimi i pa merituar i shumë figurave, qofshin edhe kolaboracioniste, është bërë gjë e zakonshme. Përmendore të figurave që kanë bërë krime lufte, që ishin vrasës në përmasa të mëdha të luftëtarëve antifashistë, kanë tani emrat apo përmendoret e tyre në rrugë e sheshe.

Rama, njeri i lexuar, e di se një njeri i vetëm nuk mund të bëjë një histori të re, por, kur ky njeri është i veshur me pushtet absolutist, ai mund të bëjë çfarë do, të paktën sa kohë të jetë në pushtet.

Nuk ka asnjë qytet tjetër, si Vlora, ku figura e Ahmet Zogut ngjall revoltë. Është qyteti nga filloi rënia e qeverisë zogiste në qershor 1924, ashtu si filloi edhe në Shkodër.  johu në vitin 1925 hakmarrjen e Zogollit, përmes bandave të Tafë Kaziut, që në emrin e të sapo kthyerit nga Serbia, me banditët serbë e vrangelistë, dogjën shtëpi e konakë, rrëmbyen pasuri, torturuan, burgosën, ndollën tmerr dhe bënë tmerr në familjet vlonjate, si shenjë hakmarrje.

Pikërisht në Vlorë ai risjell figurën e Ahmet Zogut. Si për t’i thënë se tashmë jeni një popull i i vdekur. Që mund  t’ua ndryshoj historinë.

Ahmet Zogu, ashtu si daja i tij, Esat Pasha ishin ndër armiqtë më të egër të Qeverisë së Pavarësimit. Zogu i urrente atdhetarët vlonjatë, por edhe të gjithë Shqipërisë, të cilët varrosën me nderime Avni Rustemin, për të cilin Rama , shefi i qeverisë nuk është kujtuar kurrë; Zogu shtypi me dhunë të madhe, gjakftohtësish Lëvizjen Antizogiste të Vlorës, në vitin 1932,

Arsyetimi se kjo Kullë Sahati u ngrit nga Zogu është e verbër, jo historike dhe politikisht e mjerueshme.

Sipas kësaj logjike të mbrapshtë, edhe në hidrocentralet e ngritura në lumin Drin, sipas vendimit të qeverisë Hoxha, duhet të gdhendet portreti i Enver Hoxhës?

Zogu la një popull 80 për qind analfabet, por kjo nuk i thotë gjë Ramës. Ny njeri ishte fillesa e vrasjeve politike, që kulmuan më pas. Edhe kjo nuk i thotë asgjë? Medet!

marrë nga dita.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button