Spiunimi i BND trondit raportet turko-gjermane
Qeverisë turke iu deshën dy ditë, për të reaguar ndaj lajmit për përgjimin e mundshëm nga shërbimi i fshehtë gjerman për botën e jashtme. Pastaj, të hënën, ministria e Jashtme në Ankara i bëri të qartë të hënën (18.08.2014) ambasadorit të Gjermanisë Eberhard Pohl se spiunimi ishte i papranueshëm dhe duhet të ndalet.
Ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu foli në një reagim të parë publik për një sjellje “të pafalshme” të palës gjermane. Ka parime në raport mes njëri-tjetrit, të cilat duhet të respektohen gjithmonë. Qeveria gjermane i ka borxh një shpjegim Turqisë, tha ai. Davutoglu, i cili diskutohet për t’u bërë kryeministër i Turqisë pas fillimit të punës nga Presidenti i ri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, planifikonte që brenda ditës të fliste për këtë çështje edhe me homologun e tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
“Besimi është dëmtuar”
Megjithatë, Ankaraja nuk dëshiron t’i hedhë edhe më shumë benzinë zjarrit, bënë të ditur përfaqësues të qeverisë përballë gazetës “Cumhuriyet”. Që gjermanët kanë përgjuar partnerin e NATO-s, Turqinë, sipas raportit të gazetës për njohësit e çështjes nuk është surprizë: ja që shtetet e spiunojnë njëra-tjetrën, tha ish-sekretari i shtetit në ministrinë e Jashtme, Ali Tuygan.
Megjithatë, afera nuk do të kalojë pa gjurmë në marrëdhëniet turko-gjermane, pret Onur Öymen, një ish-ambasador i Turqisë në Gjermani. “Besimi është dëmtuar dhe kjo do të ketë pasoja për shkallën e bashkëpunimit dypalësh dhe mbështetjen”, i tha Öymen Deutsche Welle-s. Ai tërhoqi vëmendjen për mosmarrëveshjet midis Berlinit dhe Uashingtonit pas bërjes së ditur të përgjimit të NSA-së ndaj kancelares Angela Merkel.
Jo hera e parë
Nuk është hera e parë që kritikat për spiunazh e kanë keqësuar klimën politike midis dy vendeve. Në fund të vitit 2002, përfaqësues të shumë fondacioneve gjermane në Turqi u nxorrën para gjyqit. Prokuroria i akuzoi se duan të destabilizojnë Turqinë. Procesi përfundoi me shpallje të pafajshëm.
Edhe spiunët turq sollën probleme në të kaluarën në Gjermani. Në vitin 1990, 15 të dyshuarve si agjentë të shërbimit të fshehtë turk MIT iu desh të largohen nga Gjermania, sepse patën kërcënuar opozitarë. Dhjetë vjet më vonë, sipas shtypit, shtatë agjentë të MIT u shpallën sërish si persona të padëshiruar.
Megjithë problemin aktual: ekspertët presin grindje diplomatike, por pas kësaj vazhdimin e raportit të ngushtë midis të dyja vendeve. Raportet janë kaq të ngushta, sa kjo nuk do të shkaktojë krizë serioze, thonë ekspertët.