Libri

Stalla e kuajve të Mbretit Zog, tashmë një hapësirë librash

Përurohet qendra e re e Librit Akademik, pranë Akademisë së Shkencave

Në fund të viteve 1920, godina 1-katëshe pranë Akademisë së Shkencave shërbente si stallë për kuajt e Mbretit Zog, e më pas gjatë viteve të Luftës II Botërore, hapësirat e saj u përshtaten nga pushtuesit për garazhe makinash. E vendosur në krah të godinës historike e cila kishte pritur në vitin 1920 Parlamentin e Parë Shqiptar e pas tij me radhë, Këshillin e Lartë të Rregjencës, Presidentin e me pas Mbretin Zog, kjo ndërtesë modeste pothuajse nuk binte në sy, si për shkak të lartësisë, por edhe të faktit që ajo nuk qe projektuar që në të të banonin njerëz. Pas ҫlirimit, ajo i ruajti këto funksione ndihmëse, për disa institucione, kryesisht ushtarake deri kur Akademia e Shkencave në vitin 1972 përshtati një hapësirë të vogël për libërlidhjen dhe magazinimin e botimeve të saj etj. Me një histori ashtu siç hapësirat e vjetra mbartin, prej ditës së djeshme kjo godinë e transformuar tashmë me një tjetër formë, do të jetë qendra e re e Librit Akademik. Gati një vit më parë Vasil Tole, sekretar në ASHSH kujtonte se “bashkë me dimrin që po shkonte, ҫatia e godinës së ish-garazheve u shemb nga pesha e kohës dhe e shirave të dimrit dhe të pranverës së bashku, e bashkë me të ambientet e degraduara dolën jashtë funksionit. Ndërtesa gati 100-vjeҫare po jepte shpirt”. Një vit më pas, ajo vjen e transformuar falë rikonsruktimit. Dje ajo ka hapur dyert në prani të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe kryetarit të Akademisë së Shkencave, Myzafer Kërkuti, falë një bashkëpunimi mes  Akademisë së Shkencave dhe TIKA-s, Agjencia Turke për Zhvillim. Me rreth 300 m2, me sallë ekspozimi të mbi 600 tituj librash, ambient promovimesh e vend takimesh i miqve të librit dhe me ambiente të sigurta magazinimi ajo do të jetë një hapësirë kushtuar librit studimor. “Funksioni kryesor është ai i ekspozimit të librit, pasi akademia që nga viti 1972 ka rreth 500 tituj botimesh, që nuk kanë pasur atë aksesim të duhur nga publiku. Ndërsa tani do të ketë një vend të posaçëm për këtë çështje, ku dashamirësi i kësaj literature do të ketë mundësi ta shfletojë librin”, thotë Tole.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button