Ekonomia

Standardi ndërkombëtar ISO 22000 mbi sigurinë ushqimore në proces rishikimi

Standardi ndërkombëtar ISO 22000 mbi sigurinë ushqimore, që përfshin të gjithë zinxhirin ushqimor, nga ferma në tavolinë ka hyrë në proces rishikimi, për të dhënë versionin përfundimtar në vitin 2017, duke treguar problematikën që ndeshet sot në botë për sigurinë ushqimore.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Standartizimit (DPS), që nga publikimi i parë në vitin 2005 të standardit ISO 22000 mbi menaxhimin e sigurisë ushqimore, pjesëmarrësit në zinxhirin ushqimor, që përfshijnë prodhuesit, konsumatorët dhe qeveritë në botë, janë përballur me kërkesa të reja për sigurinë ushqimore, çka e ka bërë të domosdoshme nevojën për rishikimin e standardit ISO 22000.

Për këtë qëllim, Autoriteti i Standardeve Kombëtare të Irlandës (NSAI) në muajin shkurt organizoi një takim në Dublin me grupin e punës së ISO-s, i ngarkuar për rishikimin e standardit ku u diskutuan ndryshimet dhe përmirësimet e nevojshme të tij. Një nga problemet kryesore është fakti që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME-të) të sektorit agroushqimor nuk ishin integruar mjaftueshëm dhe ka vend për përmirësim.

Grupi i punës synon qartësimin e koncepteve kyçe, menaxhimin e pikave kritike të kontrollit, proceset e nevojshme operative, qasja ndaj rreziqeve, tërheqja dhe risjellja e produktit, dhe kombinimi i masave të jashtme të kontrollit, sigurimin e një numri të madh të SME-ve, etj, për të realizuar një Standard të thjeshtë dhe më konçiz, duke mënjanuar përsëritje të panevojshme të koncepteve si dhe një integrim më të mirë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME-të).

Përveç ekspertëve të industrisë ushqimore në këtë rishikim do të përfshihen përdorues të tjerë të këtij standardi, si SME-të, prodhuesit e produkteve për ushqim, prodhuesit e pjesëmarrësit e industrisë së produkteve të ushqimit të kafshëve, qeveria, parlamenti në kërkim të një modeli, prej nga do të hartohen kërkesat ligjore për menaxhimin e sigurisë ushqimore, ku do të përfshihen deri prodhuesit e ujit.

Edhe pse shumë kompani nuk e përdorin standardin ISO 22000, rishikimi i standardit për sigurinë ushqimore do të përfshijë palë të ndryshme, që janë të përfshira direkt dhe indirekt në zinxhirin e sigurisë ushqimore.

Grupi për rishikimin e standardit në mes të tetorit do të japë versionin, që do të ketë statusin e një dokumenti pune deri në marrjen e formës së draft-standardit, që pritet të publikohet në vitin 2017.

Për Shqipërinë, rishikimi i standartit ndërkombëtar ISO 22000 favorizon për më shumë kohë në dispozicion për gjithë aktorët që përfshihen në gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma, në tryezat shqiptare, pasi ka shumë punë për t’u bërë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button