Standard&Poor’s: Financat shqiptare vlerësohen me B+
Kompania ndërkombëtare e vlerësimeve financiare “Standard and Poor’s” ka publikuar raportin e radhës për vlerësimin e financave shqiptare. Sipas “Standard and Poor’s rritja ekonomike do të jetë solide gjatë viteve 2017 – 2020, pavarësisht rrëshqitjeve buxhetore, për shembull, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2017.
Për tregues të rritjes ekonomike merret Prodhimi i Brendshëm Bruto. Kompania ndërkombëtare e vlerësimeve financiare i ka vlerësuar financat e Shqipërisë me notën “B+”. duke besuar se Shqipëria është duke bërë progres në forcimin e kuadrit institucional, të mbështetur nga programi i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe përpjekjet përgatitore në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Rritja ekonomike
“Standard and Poor’s” vlerëson se rritja ekonomike për Shqipërinë për vitin 2016 ishte 3.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërkaq, për vitet 2017, 2018 dhe 2019, kompania ndërkombëtare e vlerësimeve financiare përllogarit se rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë përkatësisht 3.5%, 3.7% dhe 3.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Papunësia
“Standard and Poor’s” vlerëson se niveli i papunësisë në vitin 2016 arriti në nivelin 16.9%. Ndërkaq, për vitet 2017, 2018 dhe 2019, kompania ndërkombëtare e vlerësimeve financiare përllogarit se papunësia do të jetë përkatësisht në nivelin 16.6%, 16.4% dhe 16.3%. Parashikime që nuk e përllogarisin papunësinë më të ulët se në vitin 2012, kur papunësia ishte në nivelin 13.8%
Marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar
Kompania ndërkombëtare e vlerësimeve financiare ka vlerësuar programin e FMN-së me Shqipërinë. “Standard and Poor’s” shpjegon se programi i FMN-së me Shqipërinë do të përfundojë në shkurt të vitit 2017 dhe nuk pret se negocimi i një marrëveshjeje për një program të ri me Shqipërinë të fillojë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017.
Reforma në drejtësi
Në lidhje me miratimin e kuadrit ligjor që mundëson reformën në drejtësi në Shqipëri, “Standard and Poor’s” thekson se nëse kjo reformë zbatohet plotësisht , duke krijuar një sistem gjyqësor më të pavarur, ajo do të përmirësojë mjedisin e biznesit për vendin. Sipas “Standard and Poor’s”, zbatimi i reformës në drejtësi do të rrisë zbatimin e legjislacionit për të drejtat e pronësisë dhe do të ofrojë një zgjidhje më efektivë të zbatimit të proceseve të falimentimit.
Gjithashtu kompania ndërkombëtare e vlerësimeve financiare thekson se përmirësimet në sistemin ligjor mund të luajë një rol të rëndësishëm në uljen e kredive të këqija, që sipas saj arrijnë në nivelin 20% dhe pengojnë kreditimin si edhe rimëkëmbjen ekonomike.
Reforma zgjedhore
Për sa i përket reformës zgjedhore, Standard and Poor’s shprehet se ka të ngjarë të mos miratohet përpara zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2017, për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion.
Taksat e reja
Gjatë viteve 2017-2020, “Standard and Poor’s” projektoi një rrugëtim të konsolidimit fiskal më të vonuar, krahasuar me planin e qeverisë dhe përllogarit që deficiti të jetë 1% e PBB-së (kundër 0.6% e PBB-së siç ishte planifikuar nga qeveria). Si masa që qeveria shqiptare do të ndërmarrë për të ulur deficitin, “Standard and Poor’s” vlerëson se ato do të jenë me shumë të ngjarë të ardhura më të larta nga taksat për shkak të rregullsisë në rritje të pagesave të taksave, si edhe vendosja e taksave të reja.
Borxhi publik
“Standard and Poor’s” vlerëson se niveli i borxhit publik në vitin 2016 arriti në nivelin 71% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (duke shënuar ulje për herë të parë në këto tre vitet e fundit), por duke qenë më i lartë se në vitin 2013 (kur ishte në nivelin 70.4% të PBB-së). Ndërkaq, për vitet 2017, 2018 dhe 2019, kompania ndërkombëtare e vlerësimeve financiare përllogarit se borxhi publik do të jetë përkatësisht në nivelin 69.6%, 66.4% dhe 63.8%.