Statusi kandidat, festime të ndara në Tiranë
Në Shqipëri dy kampet kryesore politike festuan të ndarë vendimin e Bashkimit europian për t’i dhënë vendit të tyre statusin kandidat. Bashkia e Tiranës e cila drejtohet nga kreu i opozitës Lulzim Basha organizoi një koncert i cili u hap pak përpara se të niste një tjetër ceremoni e qeverisë. Ndërkohë në pallatin e Brigadave u mblodhën krahas përfaqësuesve nga e majta në pushtet, nga instituzionet qëndrore të vendit edhe shqiptarë nga zonat e tjera të Ballkanit. E duke folur për vëmendjen që Bashkimi europian duhet t’i kushtojë rajonit kryeministri Edi Rama u shpreh se paqja në Ballkan i detyrohet në një masë të konsiderueshme shqiptarëve, e se për këtë ata meritojnë më tepër respekt për kontributin e tyre
Në përfundimet e tyre për Shqipërinë vendet anëtare të Bashkimit europian të cilat vendosën për dhënien e statusit kandidat, theksonin si të një rëndësie kyce për përparimin e vendit në procesin e integrimit europian bashkëpunimin dhe dialogun e qëndrueshëm pozitë-opozitë. Por, edhe kur bëhet fjalë për të festuar, një ngjarje të rëndësishme, sic ishte marrja e statusit pas katër herë refuzimesh, palët në Tiranë, sërish qëndruan të ndara edhe mbrëmë. Në ceremoninë e paralajmëruar nga qeveria që ditën që ministrat e jashtëm i dhanë dritën jeshile cështjes së statusit, drejtuesit e partisë demokratike nuk morën pjesë, duke u grumbulluar në një koncert të organizuar, thuajse në të njejtën kohë, nga Bashkia e Tiranës e cila drejtohet nga kreu i opozitës së djathtë Lulzim Basha.
Palët megjithatë, përtej garës për t’i njohur secila vetvetes, meritat e saj në këtë proces, janë të vetdijshme se “rruga nuk ka mbaruar, një pjesë e rëndësishme e saj është përpara nesh”, theksoi zoti Basha. Nga ana e tij kryeministri Edi Rama nënvizoi se “do ta kemi mendjen të ndarë top që kemi përpara një të përpjetë të lartë ku askush nuk do të na hedhë ndonjë litar, për të na tërhequr në majë. Kjo s’mund të ndryshojë dhe nuk është as në interesin tonë që të ndryshojë”, deklaroi ai.
Zoti Rama i kushtoi kryesisht vëmendje një qasjeje të re që sipas tij Bashkimi europian duhet të ketë ndaj Ballkanit, ndërkohë që vendet e rajonit ecin në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga procesi. Ai tha se paqja në Ballkanin e trazuar nga luftërat e konfliktet në 100 vitet e fundit erdhi në emër të Europës, pjesë e së cilës synon të bëhet secili shtet:
“Kjo është një histori europiane suksesi, të cilën Europa e Bashkuar duhet ta shohë medoemos, tanimë, jo si fundin e angazhimit të saj për paqen në rajon, por si fillimin e një historie të re në marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit, që paqja e shumëkërkuar dhe e paimagjinueshme deri dje të mos tretet në lumenjtë e varfërisë, papunësisë e të injorancës që fatkeqësisht janë rritur prej vitesh në këtë rajon të sakatuar, të izoluar e të paragjykuar në mes të Europës së Bashkuar, nuk mund të mjaftoi dot, çfarë do të bëjë çdonjëri nga vendet e Ballkanit për të arritur BE-në, por është e domosdoshme edhe ajo që BE-ja mund të bëjë e duhet të bëjë për rimëkëmbjen e Ballkanit”.
Sipas kryeministrit Rama, paqja e tanishme në rajon i detyrohet në një masë të konsiderueshme, shqiptarëve, si komb në Ballkan:
“Mjafton të shohësh sot, e pasi kanë bërë marrëveshje të mëdha në emër të paqes e të së ardhmes europiane të popujve të Ballkanit, shqiptarët mbeten garant të mëdhenj të paqes dhe të stabilitetit në rajon. Megjithëse, fjala vjen, as Marrëveshja e Ohrit dhe as marrëveshja e prillit të vjetshëm me Serbinë nuk respektohen nga palët e tjera, me të njëjtin respekt që trajtohen nga shqiptarët”.
Kryeministri Rama foli për një stereotip të krijuar në Europë ndaj shqiptarëve në Shqipëri apo dhe në Kosovë “si të ishin djepi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, një psikologji dhe sjellje e vjetër” për të cilën sipas tij duhej bërë cmos që të hidhet pas shpine, sepse sic theksoi a:
“Po mundohem vetëm të them se çfarë aseti i vyer politik janë për Europën e Bashkuar dhe për perspektivën europiane të paqes dhe të integrimit të Ballkanit, Shqipëria dhe shqiptarët, kudo në këtë rajon. Kjo është e vërteta se përpos akuzave dhe kritikave për problemet që ka realisht, ky vend dhe ky popull meriton të respektohet shumë më tepër se ç’është respektuar deri më sot, pikërisht për atë që i ka dhënë Europës, 20 vjet rresht, përmes kontributin të paçmueshëm për paqen në Ballkan, në radhë të parë”.
Pas dhënies së statusit Shqipëria duhet të synojë stacionin e ri, që realisht shënon një tjetër nivel në marrëdhëniet me Bashkimin europian, hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Falë nismës së komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle, atë të Dialogut të nivelit të Lartë mes Tiranës dhe Komisionit europian, vendi ka punuar paralelisht për të plotësuar kushtet për hapjen e bisedimeve. Por diplomatë perëndimorë e shohin thuajse të pamundur që kjo të mund të arrihet në fund të këtij viti, e për pasojë data më e afërt për këtë mbetet fundi i 2015.
[yop_poll id=”-2″ tr_id=”2″]