Strasburgu legjitimon Vettingun/ Rrëzon padinë e gjyqtares Altina Xhoxhaj: Nuk shkelen te drejtat e njeriut
Ne vendim thuhet:
“Gjykata vuri re se fillimi i hetimit nga KPK-ja kishte qenë në përputhje me ligjin. Pretendimi i kërkueses se KPK-ja kishte fshehur disa prova ishte një hamendësim, i pambështetur mbi ndonjë provë në dosje. KPK-ja kishte patur juridiksion të plotë mbi të gjitha çështjet faktike dhe ligjore dhe kishte marrë vendim duke dhënë arsye të mjaftueshme në përgjigje të argumenteve kryesore të kërkueses. Kolegji i Apelimit kishte ushtruar juridiksion të plotë në procedurat e zhvilluara përpara tij, në përputhje me ligjin, dhe kishte shqyrtuar çdo shkak të ankimit të kërkueses, përfshirë edhe refuzimin për të pranuar prova të reja, duke dhënë arsye të mjaftueshme për vendimin e tij”.
Ish gjyqtarja kushtetuese, Altina Xhoxha i kërkonte Strasburgut ta shpallte të pavlefshëm vendimin ekstrem të shkarkimit të saj, por kjo gjykatë mendon të kundërtën kur thotë se e “ vlerësoi se shkarkimi nga detyra i kërkueses të kishte qenë proporcional”.
“Ekzistenca e një game të kufizuar të masave disiplinore në Ligjin e Vetingut ishte në pajtueshmëri me frymën e procedurave të vetingut, të cilat, duke qenë një proces unik, kishin si qëllim të pastronin sistemin e drejtësisë nga elementët e korruptuar dhe të ruanin pjesën e shëndetshme të tij. Për më tepër, ajo çmoi se ndalimi i përhershëm për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda etike, i cili ishte vendosur nëpërmjet një ligji tjetër dhe gjente zbatim edhe ndaj kërkueses dhe personave të tjerë të shkarkuar nga detyra, kishte qenë i pajtueshëm me garantimin e integritetit të detyrës të magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Ky ndalim ishte akoma më i justifikuar për shkak të kontekstit kombëtar të një shteti të së drejtës në konsolidim e sipër. Në të tilla kushte si rrjedhojë, nuk kishte patur shkelje të nenit 8 të Konventës”.
Fillimisht zonja Xhoxha nga Strasburgu mori një vendim jo pro saj më 9 Shkurt 2021 por e apeloi atë dhe kërkoi të të shqyrtohej nga Dhoma e Madhe, e cila la në fuqi vendimin e shkurtit 2021.