Strazburgu, 5.3 milionë euro “gjobë” Shqipërisë për pronat
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg të Francës, mori një vendim të ri kundër Shqipërisë duke e urdhëruar qeverinë shqiptare të kompensojë menjëherë 12 pronarë për një shumë të përgjithshme prej gati 5.3 milionë eurosh më 10 nëntor 2015.
Vendimi i Strasburgut vjen në një kohë kur qeveria shqiptare ka propozuar në kuvend një ligj të ri të debatuar që synon të ulë ndjeshëm koston e kompensimit të pronave në kurriz të pronarëve përmes uljes së ndjeshme të çmimeve të kompensimit dhe riklasifikimit të një pjese të madhe të tokës urbane në “tokë fshati”, projektligj që duket se nuk e ka bindur gjykatën.
Të 12 aplikimet për kompensim, qenë dorëzuar në gjykatën e Strasburgut përgjatë viteve 2008-2011 me pretendimin bazë se qeveria shqiptare nuk e ka zbatuar ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave të vitit 2004, i cili premtonte dëmshpërblim financiar ose kompensim fizik për të gjitha pretendimet e pronësisë të dorëzuara në Agjencitë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Gjykata e Strasburgut nuk gjykon nëse pronat e konfiskuara gjatë komunizmit duhet të kthehen apo jo, por gjykon qeverinë shqiptare për moszbatimin e legjislacionit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për kthimin dhe kompensimin e pronave.
Familja Çoka mori dëmshpërblimin më të lartë prej 2.3 milionë eurosh për kompensimin e 16 mijë metrave katrorë tokë të pakthyer dhe pakompensuar nga qeveria shqiptare.
Vendimi i Strasburgut sugjeron gjithashtu që për vlerësimin e kompensimit janë zbatuar dy mënyra të ndryshme. Mënyra e parë është përdorimi i hartës së çmimeve të miratuara nga qeveria shqiptare në vitet 2007 dhe 2008 dhe mënyra e dytë është vlerësimi i pronës për kompensim me ekspertë.
Gjykata ka akorduar në disa raste dëmshpërblim më të madh se sa është kërkuar dhe në disa raste të tjera, dëmshpërblim më të vogël.
Të gjitha çështjet janë përfaqësuar në gjykatë nga avokatë shqiptarë.
Rrezik falimenti
Qeveria shqiptare miratoi në vitin 2004 nën presionin e Bashkimit Europian një ligj që merrte përsipër kompensimin pjesërisht financiar dhe pjesërisht fizik të të gjitha pretendimeve për kompensim të dorëzuara nga pronarët në agjencitë e kthimit dhe kompensimit të pronave. Aktualisht ka rreth 50 mijë hektarë tokë bujqësore dhe 10 mijë hektarë tokë urbane. Kostoja e përgjithshme e kompensimit të këtyre kërkesave mund të arrijë në miliarda euro.
Qeveria socialiste e cila e miratoi ligjin dhe ajo demokratike e cilia qeverisi vendin në periudhën 2005-2013, nuk morën masa për zbatimin e këtij ligji. Kompensimet financiare qenë minimale përgjatë dekadës së fundit ndërsa kompensimet fizike qenë selektive dhe shumë të kufizuar në pak klientë të qeverisë.
Por me kalimin e viteve, disa juristë shqiptarë zbuluan mënyrat për të detyruar qeverinë të paguajë, përmes aplikimit në Gjykatën e Strasburgut, ku argumenti bazë është që qeveria nuk ka respektuar ligjin që ka miratuar vetë.
Pasi gjykata trajtoi një numër çështjesh në favor të pronarëve, ajo e vendosi qeverinë shqiptare në regjim pilot në vitin 2012, gjë që nënkupton bllokimin e gjykimeve të çështjeve të ngjashme për një periudhë kohe duke i kërkuar qeverisë të marrë masa për të zbatar ligjin. Gjykata këshillonte mes të tjerash qeverinë të përqendrohet te kompensimi me prona fizike shtetërore, e vetëdijshme se Shqipëria nuk disponon burimet financiare të nevojshme për kompensim financiar. Qeveria shqiptare nuk e dëgjoi kërcënimin e gjykatës dhe nuk mori masa për zbatimin e ligjit. Në mungesë të përgjigjes, Gjykata kërcënoi se do të pranojë kërkesat e shqiptarëve për kompensim në bllok, duke krijuar një faturë automatike prej qindra milionë eurosh vetëm për çështjet në diskutim, pa marrë parasysh çështjet e tjera që mund të paraqiten. Kjo faturë është e mjaftueshme për ta vendosur Shqipërinë në paaftësi paguese.
Në Gjykatën e Strasburgut, ka aktualisht rreth 400 kërkesa për kompensim.
Legjislacion i vonuar dhe i dyshimtë
Qeveria shqiptare dërgoi për diskutim në parlament këto ditë një projektligj të ri që synon të vendosë mekanizma për zbatimin e ligjit të vitit 2004, ndërsa ka premtuar se do të fuqizojë hetimet administrative për të identifikuar manipulimet e mundshme në dokumentet e pronësisë dhe në kompensimet e pakëta por me përmasa të mëdha të kryera nga qeveria e kaluar.
Projektligji premton 50 miliardë lekë fonde buxhetore për dhjetë vitet e ardhëshme, plus prona publike dhe një formulë nxjerrjesh pronash publike në ankand për kompensim fizik ose për shtimin e fondit financiar. Projektligji i kundërshtuar nga shoqatat e pronarëve ka një nen të debatuar që synon të klasifikojë disa mijëra hektarë tokë urbane, si tokë bujqësore, kullotë apo pyll, me qëllim që të ulë masën e përfitimit nga pronarët. Për shkak se gjykata e Strasburgut po kërkon efektivisht zbatimin e ligjit të vitit 2004, ky ndryshim në kriteret e kompensimit, sipas disa ekspertëve, mund të jetë i papranueshëm për gjykatën.
Paralelisht me ligjin e ri, qeveria ka miratuar një seri vendimesh për hartën e çmimeve për kompensim, vetëm se çmimet e përcaktuara në vitet 2013 dhe 2014 janë disa herë më të ulëta se sa çmimet e hartës së viteve 2007 dhe 2008. Kjo ulje e çmimit referencë për kompensim dhe për privatizim të pronave publike, e pashoqëruar nga një argumentim mbi ecurinë e përgjithshme të çmimeve të pronave në Shqipëri, ka gjasa do të konsiderohet gjithashtu i papranueshëm.
Nga ana tjetër, ndryshe nga drafti fillestar i projektligjit që premtonte minimalisht 5 miliardë lekë kompensim financiar në vit për dhjetë vjet, drafti final i dërguar në kuvend parashikon 50 miliardë lekë në 10 vjet me mundësinë që qeveria të ulë fondin në vitet me vështirësi financiare dhe ta rrisë atë në vitet më të mira. Kjo zgjidhje krijon një problem tjetër, pasi efektivisht qeveria aktuale mund të shpallë vështirësi financiare në vitet e para, gjë që efektivisht krijon mundësinë që projektligji aktual në realitet të mos zbatohet.
Në rast se qeveria nuk arrin të bindë gjykatën për seriozitetin e saj në zgjidhjen e problemit, gjykata e Strasburgut mund të vijojë të diskutojë në bllok kërkesat e pronarëve duke i ngarkuar fatura financiare të cilat efektivisht do ta falimentojnë qeverinë.