Opinion

Studimi: Ja pse na quajnë shqiptarë dhe pse i quajmë shkije

Nga: Prof. ANILA OMARI

naimiTregu i librit shkencor sapo u pasurua me një studimtë ri etnolinguistik: “Shqiptar dhe shqa. Histori popujsh përmes dy emrave etnikë” i Bardhyl Demirajt, nga Shtëpia botuese Naimi. Bardhyl Demiraj na paraqitet gjithnjë e më shumë si studiues i shumanshëm në fusha të ndryshme të albanologjisë: histori e gjuhës shqipe, gjuhësi krahasuese-historike, filologji e teksteve të vjetra, histori e shkrimit të shqipes dhe së fundi etnolinguistikë. Libri i fundit është një triptik studimesh të mirëfillta etnolinguistike ku shqyrtohen tema që kanë të bëjnë me “çështjen shqiptare” dhe që vijojnë të ngjallin diskutime në debatin intelektual-albanologjik të sotëm. Lënda ndahet në tri pjesë: I. Emri etnik shqiptar, II. Shqau ndër shqiptarë, III. Dy popuj në kontakt, trevat shqiptare në Mesjetën e hershme. Të tria këto pjesë plotësojnë njëra-tjetrën: ndërsa studimi i parë shpjegon përhapjen e etnonimit shqiptar si reagim vetëmbrojtës i etnosit shqiptar për tu dalluar nga popujt fqinjë, studimi i dytë ndjek prejardhjen dhe historinë e etnonimit shqa qysh nga dyndjet e para sllave në Ballkan dhe gjatë bashkëjetesës e fqinjësisë prej më shumë se 15 shekujsh të shqiptarëve me popujt sllavë të Jugut, dhe studimi i tretë përqendrohet në trevat e bashkëjetesës apo kontakteve shqiptaro-sllave në mesjetë, të cilat konfirmohen të jenë zhvilluar në pjesën perëndimore e qendrore të Ballkanit. Studimi ngërthen në vetvete një qasje ndërdisiplinore: historike, filologjike, etnolinguistike, antropologjike, me një metodë studimi të analizës diakronike të dukurive që trajton. Vëllimi është i pajisur me treguesin e emrave dhe një bibliografi të burimeve dhe të literaturës së cituar.
Në një hyrje të zgjeruar që i prin punimit autori shpalos disa përsiatje lidhur me “çështjen shqiptare” në debatin e sotëm albanologjik, ku preken disa probleme të nxehta të etnogjenezës së shqiptarëve, ndërsa përvijohet jo pa qëllim një historik i krijimit të këtij debati që nga shek. XV-XVII me daljen në dritë të temave që lidhen me emrin e Shqipërisë (Dheu i Arbënit, lat. Albania, Epirus), shqiptarëve (arbëreshët/arbërorët, lat. albani, epiroti), me prejardhjen e tyre dhe marrëdhëniet e afërisë ose birërisë me popujt e Ballkanit antik, si epirotët e maqedonasit e lashtë, me shtrirjen e tyre në hapësirën gjuhësore shqipfolëse (e arbënë, e arbëneshe/ arbëreshe) e dalluar si e tillë nga mjedisi rrethues shumëgjuhësh, me historinë e vetë shqiptarëve të dëshmuar nëpërmjet personazheve të mëdhenj të lashtësisë me të cilët shqiptarët identifikojnë vetveten, si Aleksandri i Madh, Pirroja i Epirit e më vonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të gjitha këto të pasqyruara në shkrimet e albanologëve të parë shqiptarë (Frang Bardhi), në letrat e vetë prijësit të madh të shqiptarëve, Skënderbeut (“…ne quhemi epirotë”), në studimet e mëvonshme të arbëreshëve eruditë (Guzzetta, Chetta, Masci) e deri në mendimin albanologjik të shek. XIX-XX me përfaqësues të shquar si Hahn, Meyer, Pedersen, Jokl, Nopcsa etj. e jo më së fundi albanologu i shquar Eqrem Çabej. Qëllimi i përshkrimit të kësaj tradite interpretimi të “çështjes shqiptare” është kundërshtimi i pohimeve të disa historianëve e albanologëve të huaj sipas të cilëve teza e prejardhjes ilire apo edhe e lashtësisë së shqiptarëve në trojet e tyre është pasojë e ideologjisë nacionaliste të Rilindjes të ushqyer nga sistemi komunist, duke denigruar kështu të gjitha arritjet pozitive në shkencat historike albanologjike në Shqipëri para viteve 90 dhe duke i konsideruar të indoktrinuar me ideologji nacionaliste të gjithë albanologët shqiptarë të formuar në atë kohë. Me këtë rast oponenca shtrihet më tej në tezat e historianit Oliver Schmitt për etnogjenezën shqiptare dhe identitetit kombëtar shqiptar, që cenojnë thelbin e kulturës kombëtare shqiptare në përbërësit themelorë të saj: hapësirën kompakte etnike shqiptare, gjuhën shqipe si mjet komunikimi i përbashkët, traditat themelore të asaj bashkësie që komunikon në këtë gjuhë. Autori denoncon tezat diskriminuese ndaj etnosit shqiptar të këtij historiani dhe termat përkatës të farkëtuar prej tij, si “shoqëritë shqipfolëse” apo “Europa Juglindore shqipfolëse”, duke mbajtur njëkohësisht një qëndrim vetjak të distancuar dhe objektiv ndaj qëndrimeve të skajshme jo vetëm ilirofobe por edhe iliromane. Mesazhi themelor që shoqëron krejt punimin, është në thelb një citat i Kadaresë, me të cilin edhe hapet vëllimi, sipas të cilit, sado të shumëllojshëm e të ndërlikuar të kenë qenë përbërësit e kombit shqiptar, në fund të fundit të gjithë ata kanë një kusht të përbashkët: vullnetin për të qenë bashkë.
Pjesa e parë e triptikut rimerr në një vështrim ndërdisiplinor problemin e pazgjidhur të emërtimit që kemi sot në përdorim për etninë tonë, emrin shqiptar. Ashtu si shumë emra të tjerë etnikë dhe si vetë emri tjetër etnik më i vjetër i shqiptarëve, arbër, arbëresh, edhe emri shqiptar mbetet i errët, me gjithë përpjekjet e shumta për të shpjeguar prejardhjen e tij. Autori ka marrë shkas për këtë studim nga dokumente të reja të zbuluara rishtas që hedhin dritë të re mbi anë të ndryshme të kompleksitetit të problemeve, dhe me këtë rast bën një rivlerësim edhe të tezave më serioze që janë hedhur nga studiuesit e mëparshëm, duke sjellë interpretime të reja dhe duke nxjerrë përfundime interesante të karakterit historiko-social.
Lidhur me dokumentimet më të hershme të etnonimit shqiptar punimi sjell disa dëshmi të reja që kanë dalë në dritë nga botimi kohët e fundit prej studiuesve arbëreshë të veprave të mbetura në dorëshkrim që i përkasin shek. XVIII, siç është vepra e Nikollë Ketës Tesoro di notizie su de Macedoni (1777), fjalori italisht-shqip i po këtij autori, ende i pabotuar, i vitit 1763, një këngë fetare, ndoshta e Nikollë Brankatit, nga dorëshkrimi i Kieutit, dhe mbi të gjitha dëshmia më e vjetër e përdorimit të etnonimit shqiptar në fjalorin italisht-shqip të misionarit franceskan Francesco Maria Da Lecce të vitit 1702, botuar pjesërisht në vitin 1997 nga Matteo Mandalà dhe tani në botim të plotë kritik nga Gëzim Gurga. Kjo dëshmi e hershon me katër vjet dokumentimin më të vjetër të përdorimit të etnonimit tonë, para dëshmisë së akteve të Kuvendit të Arbënit të vitit 1706, që deri vonë mbahej si më e vjetra.
Për dëshmitë e mëhershme të etnonimit shqiptar në emrat vetjakë të shekullit XIV Schipudar, Scapuder etj. që sjell historiani Milan Shufflay për qytetin e Drishtit, autori mbron tezën e këtij albanologu të shquar kundër kritikave të ndryshme që i janë bërë, me argumentin se në një mjedis etnokulturor të përzier, ku banorët e mbanin veten pasardhës të romakëve por mes të cilëve kishte pa dyshim shqiptarë, sllavë e grekë, siç i dëshmon Jireçeku, është plotësisht e mundur që një familje me gjuhë amtare shqipen të cilësohej si “shqiptare”. Në bazë të shqyrtimit të vëmendshëm të dokumenteve autori ndërton edhe një skemë të vogël trungu familjar për pjesëtarët e së njëjtës familje me kryefamiljar Andreas Schipudarin.
Nga shqyrtimi i burimeve shkrimore të botuara rishtas autori ka nxjerrë edhe të dhëna interesante për të ndriçuar aspekte të ndryshme qoftë gjuhësore qoftë etnolinguistike apo antropologjike sociale të problemit të etnonimit shqiptar. Një nga këto aspekte është ai gjuhësor-diakronik i mënyrës së formimit të këtij etnonimi. P.sh. toponimi Shqip,-i “Albania” që sjell Keta i jep dorë autorit të krijojë një skemë të re fjalëformimi të çerdhes leksikore të fjalëve shqip, shqiptar etj. me dy procese të pavarura: njëri që ndjek rrugën fjalëformuese me bazë ndajfoljen shqip dhe rrjedhojat e saj shqipoj, shqiptoj, shqipëroj, dhe tjetri që përmes toponimit Shqip,-i shpie te shqiptar, Shqipëri etj. Nga ana tjetër autori vlerëson si zgjidhjen më bindëse për rrugën e formimit të etnonimit shqiptar atë të propozuar së pari nga Hahni, që merr për bazë pjesoren e foljes shqipoj: shqipët-uarë, e cila me prapashtesën -ar ka dhënë emrin shqiptar. Dëshminë e ekzistencës së një trajte të tillë me -t autori e gjen në vargun Te Skutari shqipt “A Scutari albanese” të këngës së Nikollë Brankatit. Kjo zgjidhje ka përparësi ndaj hipotezave të tjera pasi shmang disa vështirësi që përmban formimi i etnonimit shqiptar nga ndajfolja shqip + prapashtesën -tar, që nuk është aq e vetëkuptueshme sa duket, meqenëse prapashtesa -tar zakonisht u shtohet emrave duke formuar emra vepruesi (lajmëtar, udhëtar), kështu që formimi prej ndajfoljes do të parakuptonte një fazë të ndërmjetme konversioni të ndajfoljes në emër. Krahas këtij interpretimi, për emrin shqiptar mund të merret në sy edhe një formim fillestar jo si emër etnik. Për këtë mund të vlerësohet barasvlerësi shqip i emrit të vepruesit ‹parlatore – gojëtâr, shqipëtâr, i› i Da Lecces që citon autori nga botimi i fundit i G. Gurgës, edhe pse duket të jetë përdorur më fort në mënyrë figurative.
Nga ana kuptimore, folja shqipoj apo më drejt shqiptoj, siç gjendet sot e përhapur gjerësisht në të folmet e shqipes, në zanafillë ka pasur domethënien “kuptoj, marr vesh”, siç e jep Hahni e Meyeri dhe siç e dëshmojnë të dhënat dialektore nga diaspora shqiptare e Ukrainës pikërisht me kuptimin e mësipërm (khs. në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës nuk shqiptoj “nuk kuptoj”, nok zallahit po shqipton “nuk flet por kupton”). Sipas kësaj teze, emri shqiptar në thelb do të thotë “ai që kupton”. Ky është edhe shpjegimi që mbështet autori, duke dhënë një skemë të zhvillimit kuptimor që ka përshkuar emri shqiptar nga një apelativ i thjeshtë në një shenjues etnik.
Sa për etimologjinë e fjalës shqipoj, Gustav Meyeri, në bazë të kuptimit që dëshmonte Hahni për këtë folje, dha një zgjidhje shkencore, duke e rrjedhuar prej latinishtes excipio “perceptoj, dëgjoj” po edhe “kuptoj”, një tezë që sidoqoftë nuk është miratuar përgjithësisht nga gjuhëtarët.
Ajo që në libër tërheq interesin edhe të lexuesit më të gjerë, jospecialist, është qasja etnolinguistike e problemit të etnonimit shqiptar. Këtij kreu autori i ka kushtuar vëmendje të veçantë dhe ka nxjerrë përfundimet e veta lidhur me arsyet e ndërrimit të emrit etnik të vjetër arbëresh me më të riun shqiptar, një çështje e diskutuar nga studiuesit që janë marrë me të, por asnjëherë e zgjidhur në mënyrë bindëse. Autori ecën në rrugën e çelur së pari nga Osman Myderrizi e të thelluar më pas nga Rexhep Ismajli, që përcakton si një nga shënjuesit kryesorë të identitetit etnik besimin fetar për periudhën e parë të formimit të etnosit shqiptar, gjë që e dëshmon etnonimi arbën në letërsinë katolike të veriut dhe në gojën e popujve fqinjë, të cilët me etnonimin përkatës në gjuhën e tyre shënonin zakonisht shqiptarin katolik. Me ndryshimin e rrethanave social-politike mbas depërtimit të islamit në vend dhe në kushtet e shumësisë së besimeve fetare, përkatësia fetare erdhi duke e humbur rëndësinë si përbërës themelor i identitetit etnik-kulturor. Nëpërmjet shqyrtimit të monumenteve të shqipes të shek. XVIII, siç është veçanërisht teksti i vendimeve të Kuvendit të Arbënit, autori analizon dukuritë komplekse sociolinguistike që kanë bashkëvepruar me njëra-tjetrën në atë periudhë dhe që duhet të kenë kushtëzuar edhe përhapjen e emrit etnik shqiptar. I njëjti emërtim që shënonte përkatësinë etnike dhe fetare të popujve fqinjë shënonte edhe përkatësinë etnike shqiptare, pra, me fjalë të tjera, arbën dhe turk ose arbën dhe orum mund të ishin dy emra të ndryshëm për dy pjesëtarë të së njëjtës bashkësi etno-gjuhësore shqiptare. Në kushtet kur kjo dysi mund të ndodhte edhe brenda një familjeje, dmth. kur një pjesë e familjes kalonte në fenë islame e pjesa tjetër mbetej e krishterë, rrezikonte të shpërbëhej vetë bërthama e etnosit, familja shqiptare. Mbi këtë bazë, përfundimi që nxjerr autori është se populli shqiptar, në një reagim vetëmbrojtës për mbijetesë, zgjodhi në mënyrë pragmatike një identifikues tjetër etnik, që ishte gjuha amtare, pra një emër etnik që kishte si përmbajtje tashmë gjuhën shqipe. Kjo tregon se në etnosin shqiptar ndodhi një proces etnogjenetik i veçantë, që e dallon atë nga proceset etnoformuese të popujve të tjerë ballkanikë.
Një metodologji e ngjashme ndiqet në studimin e emrit shqa me të cilin shqiptarët kanë emërtuar fqinjët sllavë qysh nga kontaktet e para me ta e deri në kohën tonë, kur ky emër ka mbetur tashmë në përdorim të ngushtë krahinor e madje nuk është përfshirë as në fjalorët e shqipes së sotme. Autori sjell një material të përmbledhur dokumentar dhe të dhënat dialektore rreth përhapjes dhe përdorimit të këtij emri etnik së bashku me çerdhen e tij leksikore në të gjitha trevat e shqipes, ku vihen re dukuri fonetike dialektore të vjetra, si ruajtja, përkatësisht zhvillimi i grupit bashkëtingëllor /kl/: shkla (arbërishte e Greqisë, e Italisë, e Ukrainës), shkjâ (geg. veriore), shqa (geg. jugore, tosk.), si dhe kuptime të ndryshme nëpër dialekte (“sllav i Jugut”; “malazez”; “serb”; “bullgar [= maqedonas]”; “sllav ortodoks”; “grek” te arvanitasit e Greqisë) ose në përdorime të kufizuara e të rralla (si p.sh. kuptimi “shërbëtor” në ndonjë shprehje popullore). Një aspekt i rëndësishëm i studimit është edhe hetimi i prejardhjes së fjalës, nëse është huazim nga greqishtja bizantine (Miklosich) apo latinishtja mesjetare (Meyer), ku mbështetet teza e latinishtes, edhe me një argument të ri të ndërtimit të trajtës së femërores së fjalës (shkinë, shqinë, shqirë, shklirë “sllave”) nga një bazë paradialektore e cila nuk mund të shpjegohet veçse si huazim nga latinishtja. Studimi ndalet edhe në disa shndërrime kuptimore që ka pësuar emri shqa ndër shqiptarët në hapësirë dhe kohë. Një vëmendje e veçantë i kushtohet përdorimit që ka fjala shkla në ngulimet arbërore në Greqi, ku emri etnik shënon fqinjët grekë dhe ndajfolja shklerisht gjuhën greke. Pjesa përmbyllëse u kushtohet çështjeve që kanë të bëjnë me historinë e brendshme të fjalës në shqipe, ku ndërthuren vështrimi gjuhësor-historik me atë etnolinguistik, hulumtimi i etnogjenezës së popullit shqiptar dhe i marrëdhënieve të tij me fqinjët sllavë. Nga analiza e tufës së tipareve identifikuese që përmban shenjuesi shqa ndër shqiptarë vërehet se janë të njëjtat tipare, por të përkundërta, që karakterizojnë shqiptarët, duke u dalluar kështu si entitet etnik-kulturor i veçantë në Ballkan e në diasporën historike shqiptare. Përfundimi i shtjellimeve thekson faktin se në kohën e dyndjeve sllave në Ballkan, nën rrezikun kërcënues të zhbërjes kulturore-etnike të gjithë Ballkanit, ishte ngjizur ndërkohë vetë etnogjeneza shqiptare, dhe se shënjuesi shqa ndër shqiptarë, qysh para shpërnguljeve arvanite drejt jugut të Greqisë, fitoi edhe kuptimin e “fqinjit joshqiptar” me të cilin shqiptarët e Greqisë emërtuan pastaj fqinjët grekë.
Pjesa e tretë e triptikut rimerr në diskutim çështjen e vendbanimeve shqiptare në mesjetën e hershme, në shekujt V/VI deri fillimet e shek. IX, në të cilën u përftuan edhe kontaktet e para shqiptaro-sllave. Për këtë studim autori merr shkas nga (ri)hapja e debatit rreth tezave për: 1. autoktoninë e shqiptarëve në një zonë të kufizuar në trevën gjeografike të Matit (G. Stadtmüller) dhe 2. të ardhjes së tyre në trevën e Arbërit në fillim të shek. IX nga malet e Rodopeve, nga ku fisi trakas i besëve i kristianizuar qysh herët u detyrua të shpërngulej drejt perëndimit për shkak të përndjekjeve fetare (G. Schramm). Me një premisë metodike që kufizon hulumtimin brenda këtyre caqeve kohore dhe duke u mbështetur në argumente gjuhësore-filologjike, ndër të cilat një peshë të veçantë zë dukuria dialektore e rotacizmit në shqipe, e cila i takon periudhës para dyndjeve sllave, dhe lashtësia e disa toponimeve që përmbajnë këtë dukuri në Jug të vendit, autori u kundërvihet tezave të mësipërme që ngushtojnë hapësirën fillestare të formimit të popullit shqiptar dhe relativizojnë autoktoninë e tij në trojet e veta në Ballkanin Perëndimor.
Me gjithë karakterin shkencor, libri paraqet interes jo vetëm për një publik të specializuar në fushën e gjuhësisë historike, por edhe për lexuesin intelektual kureshtar për ndriçimin e disa aspekteve të panjohura sa duhet të identitetit, gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button