Studiuesit: Letërsia shqiptare, autorët dhe arti kërkojnë më shumë vëmendje nga institucionet
Nga Julia Vrapi
Krijimtaria letrare dhe ajo në fushën e artit kërkojnë politika më të qarta dhe mbështetje më të madhe institucionale. Studiues të letërsisë dhe artit në vendin tonë ngrenë shqetësimin për gjendjen e krijimtarisë vendase dhe raportin e saj me institucionet, tregun dhe publikun. Sipas tyre, mungesa e një strategjie të qartë kulturore ka ndikuar në mënyrën se si zhvillohet letërsia, teatri dhe artet në përgjithësi në vend.
Studiuesi i letërsisë Xhahid Bushati shprehet se shkrimtarët shqiptarë nuk kanë vëmendjen dhe hapësirën që meritojnë dhe se institucionet në vendin tonë duhet të bëjnë më shumë për krijimtarinë dhe autorët, duke krijuar sipas tij platforma dhe struktura më të qarta për zhvillimin e letërsisë, por dhe të arteve. “Shkrimtarët shqiptarë për mua nuk kanë vëmendjen dhe hapësirën që meritojnë. Duhet bërë më shumë nga institucionet për krijimtarinë shqiptare, autorët dhe artin.
Nuk është në vëmendjen që meriton, sepse institucionet nuk kanë platforma dhe struktura të qarta për orientimin e arteve, si letërsia dhe artet pamore, por edhe artet skenike si teatri dhe drama. Kjo mungesë politikash po ndikon në zhvillimin e tyre”, shprehet Xhahid Bushati studiues, që herë pas here ka reaguar jo vetëm për çfarë ndodh me krijimtarinë letrare, por dhe artin e kulturën në vend.
Kriza e librit
Studiues artit dhe autor Agim Janina shprehet se sot librat nuk lexohen dhe nuk shiten si dikur, duke theksuar rënien e numrit të lexuesve, ndikimin e teknologjisë dhe faktin se libri është kthyer më shumë në një produkt që dhurohet sesa që blihet. “Jemi në kushtet kur nuk lexohet letërsi dhe librat nuk shiten pra nuk shkojnë tek lexuesi. Nuk është thjesht çështje institucionesh. Mungon lexuesi. Ndërsa dje një libër dilte me 10.000 mijë kopje, sot del me 200 ja të pranojmë dhe 500 kopje. Kemi humbur lexuesin.
Thënia e ditës është libri nuk shitet por dhurohet! Këtu jemi katandisur. Plus që teknologjia ka bërë të vetën. Libri është në krizë globale”, shprehet studiuesi i artit Agim Janina, që dhe më parë ka folur rreth problemeve me të cilat përballen sot krijimtaria në fushën e artit, por dhe libri shqip. Sipas studiuesit Janina, politikat mbi librin po orientohen edhe nga shtëpitë botuese. Ai shton se ka shtëpi botuese që botojnë çdo lloj materiali nëse paguhet, çka ka sjellë një rritje të botimeve me nivel të ulët cilësor, duke mbingarkuar edhe bibliotekat me libra të pavlerësuar.
“Politikat mbi librin i bëjnë shtëpitë botuese që mbijetojnë e përfitojnë nga buxheti i shtetit, duke kapur ndonjë tender për libra shkollorë. Shtëpitë botuese botojnë çdo gjë edhe më të pavlerësuar nëse paguhen. Për çfarë përzgjedhje e për farë cilësie të flasim kur ato janë kthyer thjesht në shtëpi botimi thjesht fitimprurëse dhe aspak cilësore dhe botimet e tjera i mbrojnë vetëm nga kapja e ndonjë tenderi dhe nga botimet e grafomanëve që mbytin Shtëpitë botuese me libra.
Po të shkosh në Bibliotekën Kombëtare dhe të ndjekësh hyrjet e librave të rinj përballesh me arka pafund bananesh mbushur plot me libra që shumica janë të grafomanëve”, shprehet Janina në reagimin e tij. Reagimi i dy studiuesve të njohur Xhahid Bushati dhe Agim Janina vjen në vijim të shqetësimeve të ngritura më herët edhe nga autorë të tjerë, të cilët kanë theksuar nevojën për politika më të qarta dhe mbështetje më të madhe institucionale për librin shqip dhe zhvillimin e artit në vend.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.