Gonxhja: Firmoset udhëzimi për organizimin e Komisionit Shtetëror të Artit në Hapësirat Publike
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor kanë firmosur udhëzimin për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Shtetëror të Artit në Hapësirat Publike.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se “arti publik nuk mund të jetë më rezultat i improvizimit, nismave të rastësishme apo ndërhyrjeve pa kriter në hapësirat që i përkasin të gjithëve”.
“Me udhëzimin e ri vendosim rregulla të qarta, standarde profesionale dhe përgjegjësi konkrete për mënyrën se si veprat e artit bëhen pjesë e hapësirës publike, bazuar në vendimin e qeverisë nr. 224, datë 1.4.2026 “Për miratimin e rregullores së shfrytëzimit të hapësirës publike””, tha Gonxhja.
Ministri u shpreh se me miratimin e këtij udhëzimi i jepet fund preferencave amatore dhe ndërhyrjeve pa sens artistik, urbanistik apo arkitektonik.
“Monumentet, memorialet, bustet, skulpturat, muralet dhe instalacionet artistike do t’i nënshtrohen një procesi të strukturuar shqyrtimi dhe vlerësimi profesional”, tha ai.
Sipas procedurës së re, kërkesa për vendosjen e një vepre paraqitet fillimisht pranë bashkisë përkatëse ku propozohet vendosja e veprës. Më pas bashkia shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin dhe, pas vlerësimit paraprak, ia përcjell propozimin ministrisë përgjegjëse për kulturën, përmes Sekretariatit Teknik.
Komisioni Shtetëror e vlerëson propozimin në aspektin artistik, estetik, urbanistik dhe arkitektonik dhe vendimi i tij i përcillet bashkisë për vijimin e procedurave përkatëse.
Sipas Gonxhes, pa miratimin e Komisionit, kërkesa për vendosjen e veprës në hapësirën publike refuzohet.
“Të njëjtat standarde vlejnë për të gjithë, pavarësisht nëse një vepër financohet nga buxheti i shtetit, bashkitë, subjektet private, donatorët apo partneritetet publike-private”, shtoi ai.
Ministri Gonxhja vuri në dukje se “hapësira publike nuk është një hapësirë ku secili mund të vendosë çfarë të dojë. Ajo ndërton imazhin e qyteteve tona, ruan kujtesën dhe formëson identitetin tonë të përbashkët”.
Gonxhja tha se “një proces orientues dhe koordinimi ndërinstitucional do të lehtësojë zbatimin e këtij udhëzimi”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.