Kosova

“Subjektet politike jo transparente në publikimin e shpenzimeve dhe financimit”

Mos transparenca e financimit dhe shpenzimeve në fushatat zgjedhore të partive politike vazhdon të mbetet shqetësuese.

 

Subjektet politike ende po i mbajnë të fshehura raportet e shpenzimeve për fushata zgjedhore dhe burimet e financimit, gjë që po e dëmton demokracinë.

Kështu u tha sot në tryezën me temë “Transparenca në shpenzimet e fushatës nga subjektet politike: Kur do të kemi raportet e publikuara?”, organizuar nga Demokracia Plus, në të cilën u kërkua nga subjektet politike që të jenë më transparente në publikimin e raporteve të shpenzimeve dhe të financimit.

Shefi i Zyrës së IFES-it për Kosovë, Nermin Nisic, tha se është i rëndësishëm që rregullatori të ketë qasje në sanksionet për partitë politike që bëjnë shkelje gjatë shpenzimeve.

Ai shtoi se shoqëria civile ka rol të rëndësishëm për të parë shpenzimin e parasë publike dhe se është e rëndësishme të sillet një raport i shpenzimit të parasë publike.

Ndërsa, Fitim Mulolli nga Fondacioni Britanik në Kosovë, tha se çështja e financimit të partive dhe raportimi i atyre shpenzimeve është një problem i madh, pasi që mungesa e transparencës në shpenzimet dhe financimet e partive dëmton demokracinë.

“Nuk mund të kemi një proces demokratik dhe të drejtë zgjedhor, nëse nuk kemi transparencë në shpenzimet e fushatave zgjedhore. Një prej arsyeve pse ekziston legjislacioni në këtë fushë së bashku me sanksionet përkatëse është që të sigurohet një terren i drejtë për të gjitha partitë politike për një garë elektorale. Nëse një parti ka burime sekrete të financimit, ose i shpërdorojnë ato mjete, atëherë kemi shkelje ligjore dhe kemi një garë të padrejtë. Për më tepër të gjithë këtu e dimë transparenca në financim dhe shpenzim të fondeve është një prej mjeteve me të mira të luftimit të korrupsionit dhe të klientelizmit”, tha Mulolli.

 

Përfaqësuesit e partive politike u pajtuan që duhet të ketë transparencë në publikimin e raporteve të shpenzimeve dhe financimit.

Vjosa Sheholli nga PDK-ja tha se si parti që nga themelimi kanë dorëzuar të gjitha raportet e shpenzimeve në KQZ.

Ajo tha se PDK është në përgatitje të raportit me shpenzimet që kanë bërë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ndërsa, Ilir Cacaj nga Vetëvendosje tha se që nga bërja e VV-së subjekt parlamentar është kujdesur që financat e subjektit t’i trajtojë si financa publike.

Ai ka thënë se janë tepër transparentë në këtë aspekt, derisa ka kërkuar nga OJQ-të t’i hetojnë financat e partive që vijnë nga donacionet.

Sipas tij, partive duhet ndaluar donacionet dhe financimi i tyre të bëhet vetëm nga shteti pasi do të jetë edhe më e lehtë të menaxhohen.

Mirëpo, përfaqësuesit e shoqërisë civile e kanë quajtur shqetësues mungesën e transparencës së subjekteve politike në publikimin e financave dhe shpenzimeve në fushata zgjedhore.

Albert Krasniqi nga KDI-ja, tha se thirrjet e organizatave për publikim të raporteve financiare nuk janë përfillë nga partitë, por kur është bërë thirrja nga ndërkombëtarët, partitë i publikuan brenda natës.

Sipas Krasniqit, edhe pse këto raporte u publikuan, ato u hoqën menjëherë nga sajtet e tyre, siç ishte rasti i PDK-së, të cilat nuk mund t’i gjesh më.

Ndërsa, ndaj kësaj reagoi përfaqësuesja e PDK-së, Vjosa Sheholli, e cila theksoi se ato raporte mund të gjenden në një kërkim në internet, pasi i kanë dërguar për media, meqë sajti i tyre ka probleme teknike dhe se nuk është aktiv aktualisht.

Ndërsa Arton Demhasaj nga organizata Çohu, tha se nga analiza e tyre që kanë bërë kanë gjetur se paratë partitë politike i marrin nga bizneset që më vonë këto biznese marrin tenderë publik.

Sipas tij, për të pasur transparencë është mirë që me ligj për t’iu ndaluar financimi nga jashtë, por vetëm nga buxheti që ndan KQZ-ja dhe eventualisht nga anëtarësia.

Ndryshe, në bazë të ligjit për zgjedhjet, subjektet politike kanë 45 ditë në dispozicion për ta dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, raportin me të gjitha shpenzimet e bëra në zgjedhje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button