Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, në konferencën e përbashkët për media me homologun e saj malazez, Predrag Boshkoviq, i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Malit të Zi, në veçanti në fushën e mbrojtjes.
Një delegacion i Ministrisë së Mbrojtjes dhe i Forcave të Armatosura të Malit të Zi, i kryesuar nga ministri Boshkoviq qëndron për vizitë në Maqedoni. Delegacioni malazez, i shoqëruar nga ministrja Shekerinska vizituan Qendrën e trajnimit të pilotëve në kazermën “Strashe Pinxhur” në Petrovec, ku dhe u prezantuan kapacitetet e kësaj qendreje.
Ministri Boshkoviq së bashku me zv/ministrin e Mbrojtjes të Maqedonisë, Bekim Maksuti, më herët vizituan edhe pjesëtarët e ushtrisë malazeze të cilët realizojnë trajnim në poligonin e Armatës së Maqedonisë në Krivollak të Maqedonisë.
Ministrja Shekerinska, e cila po ashtu realizoi një takim me homologun malazez në kazermën në Petrovec, tha se po bëhen përpjekje për t’i zhvilluar edhe më tej marrëdhëniet me Malin e Zi, pasiqë, siç tha ajo, një gjë e tillë është racionale, pragmatike dhe logjike për të dyja vendet.
Shekerinska shprehu mirënjohje ndaj Malit të Zi për mbështetjen e dhënë ndaj Maqedonisë në rrugën e saj euro-atlantike, duke e veçuar mbështetjen nga ky vend para Samitit të NATO-s, të cilën sipas saj “Maqedonia shumë e vlerëson”.
“Suksesi i Malit të Zi është motiv dhe inspirim se dyert e NATO-s janë të hapura dhe se vendet si Mali i Zi dhe Maqedonia edhe pas shumë sfidave mund të arrijnë sukses”, tha Shekerinska.
Sipas saj, Samiti i NATO-s ishte moment historik për Maqedoninë dhe marrjen e ftesës së NATO-s vendi i saj e ka pritur 10 vite.
“Mendojmë se kjo është mundësi historike. Ftesën e NATO-s dhe mundësinë për të filluar negociatat me Bashkimin Evropian, Maqedonia nuk do ta lëshojë”, deklaroi Shekerinska.
Ajo tha se bashkëpunimi rajonal, ai midis aleatëve dhe ai në kuadër të NATO-s është plus për secilin vend, duke shpjeguar më tej se Maqedonia përfitoi nga Mali i Zi kur disa oficerëve të ushtrisë maqedonase iu ofrua trajnim i specializuar në Mal të Zi, ndërsa sot pjesëtarëve të ushtrisë malazeze u mundësohen shërbimet e Akademisë ushtarake maqedonase.
Boshkoviq: Mali i Zi me Maqedoninë ka marrëdhënie më të mira bilaterale se me asnjë vend tjetër
Ministri malazez, nga ana e tij, tha se “Mali i Zi me Maqedoninë ka marrëdhënie më të mira bilaterale se me asnjë vend tjetër në rajon dhe në botë”. Ai theksoi se vendi i tij mbështet integrimin e Maqedonisë në NATO, edhe atë me të gjitha resurset e saj që posedon në dispozicion.
Duke theksuar se vendi i tij vitin e kaluar e arriti qëllimin më të madh të saj politik me anëtarësimin e plotë në NATO, Boshkoviq porositi se edhe atëherë edhe sot vendi i tij mbështet që i tërë rajoni të jetë pjesë e politikës dhe aleancës më të fuqishme në botë, NATO-s.
“Arsyet janë shumë të mëdha dhe të thella në histori, sepse rajoni nuk mund vet të përballet me rreziqet me të cilat edhe jo shumë më parë është përballur. Por, parasëgjithash rajoni duhet të përkushtohet në zhvillimin ekonomik dhe në jetesën më të mirë të të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Për t’u arritur kjo, për të mundësuar siguri dhe respektim të të gjithë të drejtave të njeriut, patjetër duhet të arrihet përmes integrimit të të gjithë Ballkanit Perëndimor në Aleancën Veri-Atlantike”, deklaroi ministri Boshkoviq.