Bota

Sulme ruse ndaj qyteteve ukrainase, të paktën 12 persona janë vrarë

Në Uman, qytet në rajonin qendror të Çerkasit, sulmet ruse me raketa vranë të paktën dhjetë persona dhe plagosën nëntë të tjerë, tha Ihor Taburets, kreu i administratës ushtarake rajonale.

Raketat goditën një ndërtesë banimi dhe një depo, tha Taburets.

Në Dnipro, qytetin më të madh në brigjet e lumit Dnjepër në Ukrainë, një grua dhe një vajzë e vogël u vranë nga sulmet ruse, pavarësisht se mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzonte shtatë raketa, tha Sehir Lysak, kreu i administratës ushtarake për rajonin e Dnipropetrovskit.

“Një shtëpi private është shkatërruar në Dnipro. Një vajzë dyvjeçare dhe një grua 31 vjeçare janë vrarë. Tre persona të tjerë janë plagosur”, tha Lysak. Sulmet po ashtu shkaktuan dëme të mëdha në ndërtesën e një kompanie private, tha ai.

Mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzonte shumicën e raketave që shënjestruan Kievin, tha kreu i administratës ushtarake për rajonin e kryeqytetit, Serhiy Popko.

“Sipas të dhënave të para, 11 raketa janë shkatërruar në hapësirën ajrore të Kievit. Edhe dy dronë janë rrëzuar”, shtoi Popko.

Një linjë elektrike është dëmtuar dhe infrastruktura civile po ashtu ka pësuar dëme.

Shpërthime janë raportuar edhe në Kremençuk dhe Potava në Ukrainën qendrore, dhe në Mikolajiv, në jug të shtetit.

Komanda e forcave ajrore ukrainase më pas raportoi se sulmet ruse ndaj qyteteve ukrainase janë kryer me avionët luftarakë strategjikë të llojit Tu-195, që janë nisur nga rajoni i detit Kaspik.

Komanda tha se mbrojtja ajrore ukrainase ka shkatërruar 21 nga 23 raketat e lëshuara dhe dy dronë në rajonet qendrore, lindore dhe jugore të Ukrainës.

Që nga nisja e pushtimit shkurtin e vitit të kaluar, Rusia ka mohuar se shënjestron civilët, pavarësisht provave që dëshmojnë të kundërtën. Ndërkaq, luftime të ashpra raportohet se po vazhdojnë në vijën e frontit Bahmut-Avdijivka-Marjinka në lindje, tha ushtria ukrainase më 28 prill.

Gjaët 24 orëve të fundit, forcat ruse kanë kryer mbi 65 sulme, por të gjitha janë zmbrapsur nga mbrojtësit ukrainas, tha ushtria.

Bahmut dhe Marjinka vazhdojnë të jenë epiqendra e betejave të ashpra në rajonin lindor të Donjeckut, raportoi ushtria ukrainase.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button