Sulmet në Stamboll, Merkel: Turqia të zbatojë rregullat e shtetit ligjor
Kancelarja gjermane Angela Merkel i kujtoi Turqisë rregullat e shtetit ligjor, ndërsa zyrtarët atje vijojnë hetimet mbi shpërthimet e së shtunës në Stamboll.
“Është një situatë tragjike sidomos për ata që punojnë në forcat e policisë e përpiqen të ruajnë sigurinë e vendit. Në përgjithësi megjithatë të gjitha masat që duhen marrë për të hetuar sulme të tilla të tmerrshme duhet të mbështeten në shtetin ligjor, duhet të bazohen tek proporcionaliteti”, tha Merkel.
Autoritetet turke ndaluan 235 persona nën akuzën e përhapjes së propagandës së grupit terrorist siç e quajnë ata Partine e Punëtorëve të Kurdistanit.
Në deklaratën e lëshuar prej Ministrisë së Brendshme nënvizohet se operacioni që pasoi ngjarjen e rëndë të fundjavës ka mbuluar 11 provinca të vendit, nga veriperëndimi deri në juglindje. Bilanci i vdekjeve nga dy bombat e shpërthyera mbrëmjen e së shtunës është rritur në 44 dhe 36 prej viktimave janë efektivë policie.
Një degë e PKK-së mori përgjegjësinë për shpërthimet që tronditën qetësinë e brishtë të qytetit të dytë më të madh të vendit e lanë veç të vdekurve edhe 150 të plagosur, disa prej të cilëve rëndë.
Presidenti Erdogan përsëriti edhe një herë të dielën se Turqia do ta luftojë terrorizmin deri në fund me të gjitha forcat e veta e sa për autoret e sulmeve të fundit, u betua publikisht se ata “do të paguajnë një çmim të rëndë”.
Muajin e kaluar, 10 ligjvënës të partisë HDP, mes të cilëve edhe bashkëthemeluesit e forcës politike pro-kurde, Selahattin Demirtas dhe Figen Yuksekdag, u vunë në pranga, veprim ky që bëri të binin kambanat e alarmit për komunitetin ndërkombëtar.