Opinion

Sulmi i fundit rus ndaj Ukrainës, paralajmërim për Perëndimin

Nga: ANNE APPLEBAUM

Ky incident mund të përfundojë ose jo këtu, por konsiderojeni më mirë si një paralajmërim: Nëse nuk kemi një strategji më të gjerë për ta përfunduar këtë luftë, ky do të jetë model për vitet që do të vijnë

Mbrëmjen e së shtunës, 3 anije të vogla ukrainase u larguan nga porti ukrainas i Odesa, dhe po udhëtonin drejt portit ukrainas të Mariupolit. Përgjatë rrugës, ata duhej të kalonin përmes Ngushticës së Kerçit, një hapësirë ujore që shtrihet midis gadishullit të Krimesë të pushtuar nga Rusia, dhe Rusisë kontinentale.

Anijet ukrainase, ishin brenda të drejtës së tyre për të qenë atje – një grup i ngjashëm anijesh, kaloi nëpër këtë ngushticë vetëm 1 muaj më parë, dhe një traktat i vitit 2003 garanton të drejtat e të dyja kombeve për shfrytëzimin e këtyre ujërave. Por këtë herë, në një provokim të orkestruar me kujdes, anijet ruse gjuajtën mbi anijet e Ukrainës – dhe pastaj i kapën ato, së bashku me 23 anëtarë të ekuipazhit.

Në një kuptim të caktuar, këto ngjarje nuk janë të befasishme. Megjithëse shumë prej tyre, e kanë gjetur të përshtatshme ta harrojnë, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon të sjellë shkatërrime. Ata që janë përfshirë në luftime, kanë qenë prej kohësh të përgatitur për një përshpejtim rus të konfliktit.

E vetmja surprizë është koha:Pse tani? Ndoshta s’ka asnjë arsye të veçantë. Kohët e fundit, ka pasur një numër përplasjesh në ujërat përrreth Krimesë, që kur rusët ndërtuan një urë për t’u lidhur me gadishullin. Por kjo thjesht mund të jetë kujtesa periodike, se Rusia se nuk do t’i japë fund pushtimit të saj të paligjshëm.

Sulmi ndaj marinës ukrainase, mund t’i përshtatet një projekti edhe më të madh rajonal:presionit afatgjatë ndaj portit të Mariupolit, si dhe një ekspansion në bregdetin ukrainas, që mund të izolohet nga pjesa tjetër e Detit të Zi, nëpërmjet mbylljes së ngushticës Kerç.

Por ky është ndërkohë një moment interesant, edhe në politikën e brendshme ruse. Kjo aventurë e vogël ushtarake, vjen pas protestave të mëdha kundër ndryshimit të ligjit të pensioneve, dhe shoqërohet me frustrime të mëdha për shkak të ngadalësimit të ekonomisë ruse.

Natyrisht, mbi atë që u përshkrua si një provokim ukrainas ndaj Rusisë, aktivisti më i shquar i opozitës në vend, Aleksei Navalni, vuri re menjëherë se sondazhet e fundit treguan një rënie të popullaritetit të presidentit rus Vladimir Putin. Prisni të dëgjoni më shumë në televizion, shkruan ai me sarkazëm, për “ushtrinë agresive të Kievit, të mbështetur nga skifterët në SHBA”.

Koha mund të jetë zgjedhur tani, edhe duke pasur parasysh kalendarin politik në Ukrainë, që po përgatitet të mbajë zgjedhjet presidenciale në marsin e vitit të ardhshëm. Ndoshta rusët duan të injektojnë një element polarizues në një shoqëri tashmë të ndarë; ndoshta kjo është një përgjigje ndaj vendimit të Kishës Ortodokse të Ukrainës për t’u larguar nga Rusia; ndoshta ata duan të provokojnë një shtyrje të zgjedhjeve.
Në një kuptim të ngushtë, rusët mund t’ia kenë dalë tashmë të ndryshojnë atmosferën politike. Në një takim mbrëmjen e së dielës, presidenti ukrainas Petro Poroshenko – tani shumë poshtë në sondazhe – bëri thirrje për hyrjen në fuqi të ligjit ushtarak në një pjesë të vendit, dhe parlamenti votoi të hënën pro propozimit.

Nuk është ende e qartë se çfarë do të thotë kjo. Duket sikur përfshihet edhe mobilizimi ushtarak – Poroshenko ka thënë se nuk do të ketë kufizime mbi median apo tubimet publike dhe asnjë shtyrje të zgjedhjeve – por gjithsesi kanë shpërthyer tashmë akuzat për ndërhyrje në zgjedhje.

Së fundi, koha e ndodhjes së kësaj ngjarje mund të lidhet me politikën ndërkombëtare. Britania e Madhe, një nga vendet më të vendosura ndaj sanksionet mbi Rusinë, tani është mbyllur në vetvete për një betejë monumentale mbi tërheqjen e vet nga Bashkimi Europian. Në Londër, nuk kanë shumë nge për t’u shqetësuar për Ukrainën.

Administrata e presidentit Trump është e ndarë, e hutuar, dhe po përgatitet të përballet me demokratët që kanë tashmë shumicën në Kongres, dhe që ndër të tjera do të hetojnë lidhjet e tij të shkuara me Rusinë. Bashkimi Evropian, Kanada dhe madje Polonia dolën me deklarata zyrtare që dënonin veprimet ruse shumë kohë para se kjo të dëgjohej nga Shtetet e Bashkuara.

Të hënën në mbrëmje me orën lokale të Kievit, Departamenti i Shtetit nuk kishte reaguar ende ndaj ngjarjeve në Ngushticën Kerç. Denoncimi i ambasadorës së SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Niki Hallej për “veprimet e jashtëligjshme” të Rusisë, erdhi shumë orë pas deklaratave të tjera.

Cilido qoftë motivi tjetër i këtij sulmi të organizuar, ky lloj pasiviteti mund të jetë ajo që po shpresojnë rusët. Kjo është një “modus operandi”, që ata e kanë praktikuar në të kaluarën:Hidhni disa hapa përpara; prisni një reagim. Nëse s’ka një të tillë, shkoni më tej.

Nëse ka, prisni që emocionet të shuhen- dhe pastaj të ecni më tej. Ky incident mund të përfundojë ose jo këtu, por konsiderojeni më mirë si një paralajmërim: Nëse nuk kemi një strategji më të gjerë për ta përfunduar këtë luftë, ky do të jetë model për vitet që do të vijnë.

/The  Washington Post

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button