Sulmi ndaj RTK dënohet nga qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës, përmes një njoftimi për media, dënoi ashpër sulmin me mjet shpërthyes ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK), të kryer mbrëmjes e së hënës në rrethana ende të paqarta.
Ekzekutivi kosovar e cilësoi sulmin si agresion ndaj fjalës së lirë dhe ndaj të gjitha mediave në Kosovë. Qeveria i kërkoi organeve përkatëse që të zbardhin rastin dhe të vënë para drejtësisë autorët e tij.
Më herët, policia e Kosovës njoftoi se ka nisur hetimet për incidentin e ndodhur në rrugë “Xhemajl Prishtina” tek objekti i RTK.
Hetuesit thanë se shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga një granatë dore. Autoritetet, veç mbledhjes së dëshmive dhe provave materiale, kanë nisur të shqyrtojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.
Policia njoftoi se si pasojë e shpërthimin nuk ka dëme në njerëz, ndërsa i kërkoi ndihmë publikut që të kontaktojë me autoritetet nëse ka informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Sulmi ndaj RTK është dënuar ashpër edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, zyrtarë të të cilit thanë se fajtorët duhen nxjerrë para drejtësisë dhe sulmet ndaj medias nuk duhen toleruar.