Ekonomia

“Supergjobat” hyjnë në fuqi; Juristët : Ja nenet që mund të çohen në Kushtetuese

aaaNdryshimet në ligjin e Procedurës Tatimore tashmë kanë hyrë në fuqi, duke konfirmuar ndëshkime ekstreme ( 10-fishime gjobash apo ndjekje penale) ndaj biznesit për një sërë rastesh, ku më kryesoret kanë të bëjnë me : mosdeklarimin e punonjësve, të pagës reale, të ndalimit të shumicës për të shitur mall tek individët, moslëshim kuponi tatimor apo ai i tregtimit të mallit pa dokumente. Përfaqësuesit e biznesi kanë deklaruar se do të jenë në pritje të ecurisë së zbatimit të këtij ligji për të vendosur më pas për ta çuar cështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërsa juristët shprehen se përbëjnë pretendim për antikushtetueshmëri nenet:

  • shtesat e nenit 46 të cilat kërkojnë që një person të mos kryejë transaksion

Ata argumentojnë se ky nen sjell për pasojë cenimin e parimit të ligjshmërisë. Sipas tyre është sanksion jo proporcional dhe cënon nenin 17 (kufizimi) nenin 18 (barazia), dhe nenin 26, si dhe bie ndesh me objektivat sociale të garantuara nga neni 59 i Kushtetutës.

  • neni 54 për bazën e të dhënave IMEI

Jursitët thonë se organi nuk është i certifikuar për të dhënat personale, duke iu referuar edhe kërkesës së bërë në Gjykaten Administrative të Apelit dhe në Gjykatën Kushtetuese me qëllim shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave (IMEI)

  • neni 119 për deklarimin e punonjësve cënon parimin e barazise dhe mosdënimit dy herë për të njëjtën vepër

Juristët thonë se në këtë rast subjekti nëse kapet me këtë shkelje dënohet edhe sipas ligjit për Inspektoriatin e Punës

  • sankionet e përcaktuara me gjobë, me interpretim mund të përbëjnë shkak për antikushtetueshmëri

Juristët shprehen se në këtë rast ndëshkimet cenojnë përshkallëzimin e caktimit të një gjobe në raport me shkeljen. Për këtë ata i referohen vendimin 34 të Gjykatës Kushtetuese të dhënë një herë për gjobat në kuadër të parimit të proporcionalitetit

( shih vendimin më poshtë).

Por, cilat janë shanset për të fituar çështjen nëse biznesi i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për t’u shorehur në lidhje me pajtueshmërinë e ligjit? Juristët thonë se se kjo varet nga mënyra sesi do të argumentohen e parashtrohen pretendimet, nga subjektet që do të legjitimohen për t’i ngritur.

Po kush e vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese?

Për shqyrtimin e pajtueshmërisë së ligjit ose të akteve të tjera normative me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare, Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me :

-kërkesë të Presidentit të Republikës,

-të Kryeministrit,

-të jo më pak se një të pestës të deputetëve dhe të Kryetarit tëKontrollit të Lartë të Shtetit.

-Avokati i Popullit,

-organet e qeverisjes vendore,

-organet e bashkësive fetare,

-partitë politike,

-si dhe organizatat e tjera, vetëm kur argumentojnë se çështja lidhet me interesat e tyre.

Kjo e drejtë mund të ndërmerret brenda 3 vjeteve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Vendimi nr. 19, datë 01.06.2011

(V – 19/11)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Bashkim Dedja,   Kryetar, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi, Vitore Tusha, Sokol Sadushi, Sokol Berberi,       Admir Thanza, Altina Xhoxhaj, Vladimir Kristo, anëtarë, me sekretare Blerina Çinari, më datë 04.11.2010, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore, mbi bazë dokumentesh, çështjen nr. 21/6 Akti, që i përket:

K Ë R K U E S :        GJYKATA E RRETHIT GJYQËSOR TIRANË

SUBJEKTE TË INTERESUARA :

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

KËSHILLI I MINISTRAVE

PROKURORIA E PËRGJITHSHME

O B J E K T I :          Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën, i paragrafëve VII dhe VIII të nenit 34 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

BAZA LIGJORE :   Nenet 134/1, d dhe 145/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

GJYKATA KUSHTETUESE,

pasi dëgjoi relatorin e çështjes Vladimir Kristo, shqyrtoi pretendimet e kërkuesit: prapësimet e subjekteve të interesuara: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë (Kuvendi) dhe Këshilli i Ministrave (KM) që janë shprehur për rrëzimin e kërkesës dhe, pasi bisedoi çështjen në tërësi,

 V Ë R E N:

I

III

Për legjitimimin e kërkuesit

Gjykata Kushtetuese (Gjykata) në jurisprudencën e saj ka theksuar se gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, në përputhje me nenet 134/1/d dhe 145/2 të Kushtetutës mund të ushtrojnë kontrollin e kushtetutshmërisë së normës gjatë shqyrtimit të një çështjeje gjyqësore, duke pasur si parakusht që kushtetutshmëria e normës së referuar të jetë conditio sine qua non për zgjidhjen e çështjes konkrete. Gjykata referuese, në përputhje me parimin e drejtësisë efektive, ka për detyrë të shohë në tërësi pozitat procedurale dhe materiale të palëve dhe gjendjen e tyre pas zgjidhjes se çështjes konkrete. Nëse gjykata referuese ka arsye të besojë se zgjidhja e çështjes nga ana e saj mund të çojë në cenimin e të drejtave kushtetuese të shtetasve, atëherë ajo është e autorizuar nga urdhërimi i normës kushtetuese që të referojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, për zgjidhjen e problemit të kushtetutshmërisë. Në rastin konkret gjykata referuese ka konstatuar se konvertimi i dënimit me gjobë në dënim me burgim mund të sjellë diskriminimin e të dënuarit për arsye të gjendjes së tij ekonomike, si dhe mund të cenojë lirinë e tij jashtë kushteve të parashikuara në nenin 27 të Kushtetutës. Gjykata çmon se një konstatim i tillë nga ana e gjykatës referuese ngre prima facie probleme kushtetutshmërie në lidhje me cenimin e parimit të barazisë para ligjit, të parashikuar në nenin 18 të Kushtetutës, dhe parimit të mosdënimit pa ligj, të parashikuar në nenin 29 të Kushtetutës. Për këto arsye, Gjykata vlerëson se gjykata referuese legjitimohet në paraqitjen e kërkesës për kontrollin e kushtetutshmërisë së paragrafëve 7 dhe 8 të nenit 34 të KP-së.

IV

Për pretendimin për cenimin e parimit të barazisë së shtetasve para ligjit, të parashikuar nga neni 18 i Kushtetutës

Gjykata, para se ti japë përgjigje pretendimit të gjykatës referuese se dispozita penale objekt kontrolli kushtetues i bie ndesh nenit 18 të Kushtetutës, sepse lejon diskriminimin e personave për shkak të gjendjes së tyre ekonomike pa arsye te përligjura, vlerëson të marrë në shqyrtim, fillimisht, funksionin e dënimit penal. Dënimi penal përmbush dy funksione të ndryshme, të cilat mund të konsiderohen si edukative. Nga njëra anë qëndron funksioni i parandalimit të përgjithshëm të veprave penale, pasi kërcënimi, se shteti do të zbatojë sanksione penale sa herë që shtetasit do të kryejnë veprime të dënueshme nga legjislacioni penal, funksionon si një mënyrë për të dekurajuar dhe parandaluar cilindo nga shtetasit që të ndërmarrë veprime që bien në kundërshtim me normat penale. Nga ana tjetër qëndron funksioni i parandalimit të posaçëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me autorin e veprës, pasi duke zbatuar sanksionin penal synohet riedukimi i tij në mënyrë që, pas kryerjes së dënimit, të mos ndërmarrë në të ardhmen veprime kriminale.

Gjykata, nisur nga natyra e çështjes në shqyrtim, e shikon të arsyeshme të ndalet kryesisht ne parandalimin e posaçëm. Në përputhje me frymën e Kushtetutës, sanksioni penal i cilësdo natyre duhet të synojë vetëm riedukimin dhe më pas integrimin e të dënuarit në jetën shoqërore. Në këto kushte, Gjykata sheh me vend të analizojë nëse konvertimi i dënimit me gjobë në dënim me burgim, kur autori është në pamundësi për të shlyer gjobën, cenon standardin e barazisë së shtetasve para ligjit dhe, në këtë kuptim, është në përputhje me këtë funksion riedukativ që duhet të luajë sanksioni penal.

Gjykata, duke pasur parasysh dhe doktrinën e konsoliduar europiane në këtë fushë, konstaton se, që të jetë i pranueshëm dënimi penal në aspektin kushtetues, në përputhje me nenin 17/1 të Kushtetutës, duhet të jetë i drejtë dhe në përpjesëtim me veprën. Në këtë mënyrë, që të mund të ketë një proces riedukativ të suksesshëm, duhet që ndëshkimi penal të perceptohet nga autori i veprës si i drejtë dhe në përpjestim me veprën e kryer. Nëse koncepti i lirisë vetjake dhe vetë liria vetjake janë të shpërndara në mënyrë të njëtrajtshme te shtetasit që nga momenti i lindjes së tyre, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për mjetet financiare që disponon gjithsecili, të cilat janë të shpërndara në mënyrë tejet të ndryshme nga një person te tjetri. Dënimi me gjobë lindi si një mënyrë për të shmangur dënimin me burgim, pasi konsiderohej si më e drejtë që personi të mund të paguante një shumë të hollash për vepra që kishin një rrezikshmëri të ulët shoqërore, pa pasur nevojë që të privohej nga liria. Qëllimi i dënimit me gjobë, në frymën e Kushtetutës, duhet rilexuar ne kuptimin që funksioni riedukativ mund të përmbushet edhe nga pagesa e një shume të caktuar, pa qenë nevoja që personi të privohet nga liria vetjake. Në rastin e konvertimit të dënimit me gjobë në atë me burg duket se ligjvënësi i vendos shtetasit para alternatives që të zgjedhin midis detyrimit për të paguar një shumë të hollash ose të vuajnë dënimin me burgim. Konstatohet lehte se, nëse një person i caktuar është në pamundësi absolute që të shlyejë detyrimin, ai privohet nga kjo zgjedhje.

Gjykata referuese pretendon se vuajtja e dënimit me burgim, nga persona të cilët janë në pamundësi absolute të shlyejnë detyrimet monetare kundrejt shtetit, diskriminon personat që nuk kanë mundësi financiare kundrejt atyre që i kanë këto mundësi. Gjykata çmon se procesi i riedukimit, në rastet e personave që do të vuajnë dënimin me burgim, pas konvertimit mund të komprometohet në mënyrë serioze nëse ky konvertim nuk bëhet në kushte dhe rrethana të përcaktuara shprehimisht në mënyrë të plotë e të gjithanshme në ligj. Në të kundërt, këta persona do ta perceptonin konvertimin si një akt të padrejtë, thjesht për faktin se ata janë në kushte ekonomike më të vështira në raport me shtetasit e tjerë, të cilët, duke i pasur këto kushte mund t’i shpëtojnë dënimit me burgim. Gjykata konsideron se vetë procesi i konvertimit të dënimit me gjobë në dënim me burgim, pa hetuar me pare kushtet ekonomike të të dënuarit dhe më pas pamundësinë e pagimit të gjobës, nuk përputhet me frymën e Kushtetutës, pasi dënimi me gjobë është diametralisht i kundërt me atë me burgim dhe çdo konvertim i njëanshëm nuk mund të jetë i përpjesëtuar.

Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se nuk mund të ketë një trajtim të njëtrajtshëm të të dy dënimeve. Në interpretimin e Gjykatës, çfarëdolloj transformimi i dënimeve, i kryer duke prezumuar të njëjtën rëndësi kushtetuese të të dy vlerave, duhet të përjashtohet. Gjykata vlerëson se domosdoshmëria e sanksionit penal është një element i patjetërsueshëm i rendit juridik pozitiv, por në këtë rast ky i fundit nuk vihet në diskutim. Ajo që diskutohet, në rastin konkret, është mundësia ose pamundësia për të përmbushur qëllimin e dënimit, riedukimin e të dënuarit, i cili, siç u tha më sipër, është funksion i patjetërsueshëm i dënimit penal. Parashikimi në KP i sanksioneve të dënimit me burgim dhe atij me gjobë, mund të lexohet vetëm si një mënyrë për të balancuar llojet e sanksioneve në vendimmarrjen e gjykatave, në raport me veprimet e jashtëligjshme të individëve në mënyrë që, krahas ndëshkimit, të realizohet edhe riedukimi i të dënuarit. Në këtë mënyrë, është detyrë e gjykatës që gjatë hetimit gjyqësor të verifikojë gjendjen ekonomike të të pandehurit, me qëllim që të aplikojë dënimin më të përshtatshëm.

Kodi Penal Gjerman, në seksionin 40, kur bën fjalë për caktimin e dënimit me gjobë, parashikon rregulla të hollësishme që duhet t’i ketë parasysh gjykata, duke filluar nga mënyra e pagimit, me këste ditore, caktimi i tyre nga vetë gjykata në përputhje me të ardhurat mesatare ditore që ka, ose mund të ketë i dënuari, vlerësimin e të ardhurave të tjera, përfshirë asetet dhe rrethana të tjera, me qëllimin e vetëm që gjoba e vendosur të jetë brenda aftësive paguese të të dënuarit.

Të njëjtën logjikë përdor edhe Kodi Penal Rumun. Sipas nenit 63/1 të këtij Kodi, gjoba penale mund të zëvendësohet me dënimin me burgim vetëm kur konstatohet keqbesimi i të dënuarit në pagimin e gjobës penale. Keqbesimi nuk prezumohet, por duhet të provohet nga organet gjyqësore. Fakti i thjeshtë i mospagimit të gjobës nuk sjell konkluzionin e keqbesimit, për sa kohë nuk ekzistojnë objektivisht edhe rrethana të tjera, që nuk i ngarkohen të pandehurit, të cilat kanë çuar në mosekzekutimin e gjobës së dhënë. Elementi i keqbesimit nga ana e të dënuarit, siç rezulton nga dispozita penale në fjalë, është element kyç.

Gjykata konstaton se ndryshe nga dispozitat e nenit 34 të KP të Republikës së Shqipërisë, që e detyrojnë gjyqtarin të bëjë thjesht veprimin mekanik të transformimit të shumës së mbetur pa paguar nga gjoba penale në ditë burgimi, mjafton të ketë një kërkesë të prokurorit, gjyqtarët e këtyre vendeve (si më sipër) kanë diskrecion të gjerë në lidhje me oportunitetin e konvertimit të dënimit me gjobë, në dënim me burgim, duke pasur parasysh se elementet subjektive përbejnë detyrim të organit procedues për t`i provuar para gjykatës. Në një pozicion të ngjashëm me dy eksperiencat e paraqitura më lart në trajtimin e kësaj çështjeje është dhe Kodi Penal Francez. Në nenin 135-1 të këtij Kodi   përcaktohet se nga ana e gjyqtarit, për shlyerjen e dënimit me gjobë, mund të vendosen edhe këste ditore, për të cilat ai mban parasysh jo vetëm të ardhurat, por edhe shpenzimet e të dënuarit. Veçori e legjislacionit penal francez (ashtu si në Itali) është caktimi i një gjyqtari ekzekutimi që ndjek në vazhdimësi këtë fazë.

Gjykata, për sa më sipër, arrin në përfundimin se neni 34/8 i KP-së ka probleme kushtetutshmërie për shkak të ometimit legjislativ. Legjislacioni nuk ka parashikuar fuqi të plota për gjyqtarin edhe gjatë momentit të konvertimit të dënimit. Në këtë kuptim, neni 3/2 i KPP-së përbën një dispozitë me karakter të përgjithshëm, parashikimet e së cilës nuk mund të anashkalohen në asnjë rast. Gjykata vlerëson se gjyqtari, gjatë konvertimit, duhet të ketë mundësinë të hetojë në lidhje me shkaqet që kanë çuar në mos shlyerjen e gjobës dhe, çka është më e rëndësishme, duhet të ketë mundësinë të caktojë dënimin më të përshtatshëm për secilin shkelës, në përputhje me funksionin riedukues të sipërpërmendur.

Gjykata vëren se gjyqtari, që bën konvertimin e gjobës, duhet të ketë mundësinë që të caktojë të gjitha llojet e dënimit të parashikuara nga legjislacioni në fuqi dhe, mbi të gjitha, të ketë mundësinë të përdorë masat alternative të dënimit me burgim. Duke u mbështetur në argumentet e mësipërm, Gjykata vlerëson se dënimi me burgim dhe dënimi me gjobë janë dënime kryesore dhe në thelb të ndryshëm nga njëri tjetri dhe se ndikimi i secilit prej tyre mbi të dënuarin, dhe procesin riedukativ ndaj tij, është shumë i ndryshëm. Në këtë kuptim, konvertimi i dënimit me gjobë në dënimin me burgim është në përputhje me funksionin riedukativ të dënimit, kur i dënuari me vullnetin e tij të lirë refuzon t`i bindet vendimit gjyqësor që e detyron të paguajë gjobën. Në të kundërt, konvertimi i dënimit, kur personi është në pamundësi objektive, çka do të thotë se burgimi nuk varet nga ana subjektive e autorit, por nga kushtet ekonomike të të dënuarit, do të shkaktonte një trajtim të diferencuar vetëm në varësi të gjendjes ekonomike, duke sjellë si pasojë cenimin e parimit të barazisë para ligjit, të sanksionuar nga neni 18 i Kushtetutës.

Për sa më sipër pretendimi i gjykatës referuese për antikushtetutshmërinë e paragrafit 8, të nenit 34 të KP-së është i bazuar. Në lidhje me pretendimin e gjykatës referuese për antikushtetutshmërinë e paragrafit 7 të nenit 34 të KP-së, Gjykata vlerëson se këto përcaktime janë dispozita të përgjithshme qe kanë të bëjnë me mënyrën e shlyerjes së dënimit me gjobë dhe nuk kanë lidhje me çështjen konkrete, dhe për rrjedhojë, nuk mund të jenë objekt i këtij shqyrtimi. Në lidhje me pretendimin e gjykatës referuese për cenim të nenit 27 të Kushtetutës, Gjykata konstaton se vendimi për konvertimin jepet nga një gjykatë kompetente për gjykimin e çështjeve penale dhe, për rrjedhojë, në përputhje me dispozitat përkatëse te KP-së dhe KPP-së kemi të bëjmë me një dënim me burgim të dhënë nga një gjykatë kompetente. Në këto kushte edhe ky pretendim rezulton i pabazuar.

PËR KËTO ARSYE;

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, shkronja “a”; 134, pika 1, shkronja “d” të Kushtetutës, si dhe të neneve 68, 69 dhe 70 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash

V E N D O S I:

  • Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, të paragrafit 8 të nenit 34 të Kodit Penal.
  • Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button