Ekonomia

Tabelat e identifikimit mbi 2m2 do paguajnë 45,000 lekë për m2, duke filluar nga zero

Teksa inspektorët e Bashkisë Tiranë kanë dalë në terren dhe po masin tabelat, taksa e tabelës pritet të jetë “beteja” radhës mes bizneseve e Bashkisë. Tabelat e identifikimit mbi 2m2 do paguajnë 45,000 lekë për m2, duke filluar nga zero. Psh një biznes, për një tabelë 2.5m2, do të duhet të paguajë taksë 112,500 lekë në vit, disa herë më e lartë se taksa e biznesit të vogël që u hoq në fund të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, nëse inspektori cakton që një tabelë nën 2 metra katror është reklamë dhe jo identifikuese, edhe ajo do paguajë 45 mijë lekë për metër katror, nga zero. Të ardhurat e pritshme nga taksa e tabelave identifikuese pritet të 100 fishohen në 2016-n…..

Inspektorët e Bashkisë Tiranë kanë ridalë në terren për të identifikuar bizneset me tabela dhe për të matur përmasat e tyre. Një proces që ata e kishin filluar dhe e ndërprenë shpejt në shkurt të këtij viti, teksa u tërhoqën nga fillimi i protestave të biznesit. Disa bizneseve u ka dalë në sistem taksa e tabelës, të tjerëve do u dalë shumë shpejt.
Ndërkohë, për herë të parë, përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës sqaruan me detaje në një takim me përfaqësues të Dhomës Amerikane se si do tarifohet tabela identifikuese dhe ajo reklamuese, pasi ka paqartësi te biznesi, por edhe hapësira për interpretime nga ana e inspektorëve tatimorë. Bashkia e Tiranës sqaroi se për çdo tabelë identifikuese deri në 2 m² tarifa që do të paguhet është zero. Kjo do të thotë se asnjë biznes nuk do të paguajë taksë tabele, pavarësisht llojit të saj kur kjo tabelë është brenda përmasave 2 m², ndërkohë që mbi këtë vlerë sipërfaqe, ajo nuk do të konsiderohet tabelë informimi, por reklamuese dhe si e tillë do të tarifohet për sipërfaqen e plotë të saj (pra duke filluar nga zero). Drejtori i Tatimeve të Tiranës sqaroi se në rast se tabela do të jetë 2.5 metra, atëherë ajo do të paguhet e gjitha si reklamë me tarifë 45,000 lekë m² në vit dhe jo diferenca. Pra edhe nëse ke një tabelë identifikuese, për 2.5 m2 do paguhet 112,500 lekë në vit si taksë tabele.
Paqartësitë kishin lindur pasi në tabelat e publikuara nga Bashkia thuhej se tabela për qëllime identifikimi nën 2m2 do paguhej zero taksë dhe mbi 2 m2 do paguhej 45 mijë lekë/m2. Biznesi këtë e kishte interpretuar sikur për një tabelë identifikuese 3 m2, psh, do të paguante taksë vetëm shtesën mbi 2 m2, pra vetëm për 1m2 (45 mijë lekë gjithsej), ndërsa Bashkia sqaroi se tabela nënkupton se ai duhet të paguajë për të gjithë sipërfaqen prej 3m2, pra gjithsej 135 mijë lekë.

“Për biznesin është më se e mjaftueshme hapësira 2 m² për informim/reklamim. Ne kemi bërë studime në lidhje me këtë vlerë dhe mbi të gjërat do të dilnin jashtë logjikës. Në këtë rast nuk kemi vetëm qëllim që të mbledhim të ardhura, por edhe të ndërgjegjësojmë biznesin që të unifikojmë tabelat me qëllim estetik. Gjatë inspektimeve tona kemi parë që tabelat nuk kanë qenë uniformë, janë jashtë parametrave të qyteteve dhe nuk kryejnë asnjë funksion. Dyqanet e thjeshta, ato për veshje apo ushtime etj., duhet të ndjekin logjikën e tabelave më të vogla dhe deri 2 m². Ne kemi marrë në konsideratë se mund të kemi firo në mbledhjen e kësaj takse, por duhet të unifikojmë tabelat dhe të punojmë që të kemi një qytet estetikisht më të pranueshëm. Ne do të nxjerrim edhe rregullore që do të mbështesim këtë logjikë”, tha nënkryetari i Bashkisë, Arbi Mazniku.

Si ishte dhe si u bë taksa e tabelës

Deri më 31 dhjetor 2015, për tabelat me qëllim identifikimi paguhej vetëm 120 lekë në vit, pavarësisht nga madhësia. Ndërsa tabelat për qëllime reklamimi paguanin 45,000 lekë për metër katror në vit, duke filluar nga zero. Ndërsa me ndryshimet e reja ligjore, tabelat me qëllim identifikimi taksohen zero deri në 2 metër katrorë dhe ato mbi 2m2 taksohen 45,000 lekë m² në vit, duke filluar nga zero.

Tabelë identifikuese, apo reklamë?!

Një tjetër konflikt mes inspektorëve të bashkisë dhe bizneseve është përcaktimi se cila tabelë është identifikuese dhe cila është reklamë. Nëse inspektori vendos që një tabelë me një sipërfaqe nën 2 metra katror nuk është identifikuese, por është reklamë, atëherë biznesi duhet të paguajë 45 mijë lekë për m2, duke filluar nga zero. Psh, edhe për një tabelë prej 1.5m2 psh, do të duhet të paguajë një taksë prej 67.500 lekë në vit (gati 3 herë më e lartë se taksa e biznesit të vogël që iu hoq).

46 mijë biznese do paguajnë në total 100 herë më shumë taksë tabele identifikuese

Bashkia ka planifikuar në buxhetin 2016, që të ardhurat, vetëm nga tabelat identifikuese të 100 fishohen, nga rreth 3.6 milionë lekë në 360 milionë lekë.
Ndërsa të ardhurat nga tabelat reklamuese planifikohen të rriten nga 238 milionë lekë në 700 milionë lekë.
Në total të ardhurat nga taksa e tabelës pritet të rriten nga 241 milionë lekë në 2015 (planifikim), në mbi 1 miliard lekë në 2016-n, pra 819 milionë lekë (rreth 6 milionë euro) më shumë, ose gati 4 herë më shumë se niveli i pritshëm për 2015-n.
Sipas tabelave të vetë bashkisë, kjo nuk do të vijë nga rritja e ndjeshme e numrit të bizneseve që do jenë subjekt tabele, pasi ato parashikohet të jenë vetëm 2% më shumë se i pritshmi 2015 (nga 46 mijë do rriten në 47 mijë-shiko tabelën në fund).
Sipas projektbuxhetit të bashkisë “Për periudhën e vitit 2015, sipas informacionit të programit të taksave vendore janë aktive rreth 47,000 subjektë të taksës së tabelës dhe 1.390 subjekte të taksës së reklamës. Por me zgjerimin e teritorit të bashkisë, shtohen dhe tabelat e vendosura në territorin e njësive adminitrative, kryesisht në hapësirat dhe objektet përrreth qytetit ku dhe është numri më i madh i subjekteve me sipërfaqe të mëdha reklamuese, pjesë ekategorise se bizneseve BM dhe VIP.
Nga një llogaritje e përafert na rezulton se nga 10.000 m2 sipërfaqe reklama, kjo sipërfaqe rritet në 15.000 m2, shkak i rritjes edhe të numrit të subjekteve, që dukshëm kanë dhe sipërfaqe të mëdha për tabelën e reklamës”.

 

1ds

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button