Tahiri për Asociacionin: Nuk do të befasohem nëse Qeveria lëviz në këtë temë
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka komentuar sot mundësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka thënë se nuk do të befasohej nëse Qeveria e Kosovës ndryshon qasjen për këtë çështje, duke iu referuar Marrëveshjes së Ohrit, të dakorduar në vitin 2023.
Sipas tij, në këtë marrëveshje thuhet se të gjitha marrëveshjet e mëhershme ndërkombëtare duhet të zbatohen.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ditë më parë ka thënë se Qeveria e Kosovës mund të jetë më e gatshme për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas fitores së Listës së Studentëve në zgjedhjet në Serbi më 25 tetor.
“Qeveria e kaluar e ka miratuar Marrëveshjen e Ohrit. Në Marrëveshjen e Ohrit specifikisht thuhet se të gjitha marrëveshjet e deritanishme ndërkombëtare do të jenë të zbatueshme. Kjo marrëveshje është në ueb faqen e Bashkimit Evropian. Unë nuk befasohem në raport me këtë temë”, tha Tahiri.
Në anën tjetër, Tahiri ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të publikojë listën e 171 mjekëve që, sipas tij, janë kthyer në Kosovë.
Tahiri ka thënë se largimi i personelit mjekësor dhe shëndetësor nga Kosova, veçanërisht drejt Gjermanisë dhe Zvicrës, është i dukshëm. Për ta ilustruar këtë, ai ka përmendur edhe raste nga rrethi i tij familjar, duke thënë se dy mjeke që i njeh janë larguar për në Gjermani.
Ai ka kërkuar që Kurti të bëjë publikë emrat e personave të kthyer, duke thënë se nëse publikohet kjo listë, edhe ai do të prezantojë një listë me rreth 170 profesionistë kosovarë që kanë ikur jashtë vendit.
“Për atë që ka ikje të personelit mjekësor dhe shëndetësor prej Kosovës, në veçanti në Gjermani dhe Zvicër, kjo nuk është sekret. Vetëm shihni në familjen tuaj, në shoqëri dhe gjeni nga një person. Vetëm kur po mendoj tash, po më bie ndërmend se doktoresha Rina, kushërira ime, është në Gjermani dhe doktoresha shumë e mirënjohur, Zana Luci, edhe ajo është në Gjermani. Unë nuk po e di asnjë emër që ka ardhur dhe është duke punuar në Kosovë. Qejf kisha pasur dhe këtë nuk e di. Kërkoj nga kryeministri publikisht të na tregojë listën prej 171 vetash. Në momentin që ai e publikon, unë do të publikoj listën e nja 170 kosovarëve që kanë shkuar jashtë vendit”, theksoi ai.
Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se gjatë vitit 2025 në Kosovë janë kthyer 171 mjekë. Kjo shifër ka nxitur debat në vend, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se bëhet fjalë për 171 profesionistë shëndetësorë, prej të cilëve 12 janë shtetas të Kosovës të kthyer pas specializimeve jashtë vendit, ndërsa 159 janë me shtetësi të huaj ose të dyfishtë, të pajisur me licenca për të punuar në Kosovë. /Kp/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.