Tahiri:Opozita po pengon reformën në drejtësi
Kuvendi po vijon mes debatesh seancën e sotme, ndërsa në rend dite është diskutimi i Kodit të Etikës së Policisë.Deputetët e opozitës në fjalën e tyre akuzuan përfaqësuesit e maxhorancës për lidhje me krimin. Në fjalën e tij, ish-kryeministri Sali Berisha tha se në Shqipëri po sundojnë banditët dhe ‘shullazët’, të cilët, tha ai, ‘nga rruga vendosen në fron’, dhe ‘i diktojnë çdo gjë atij që sundon e drejton’.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ne reagimin e tij i kërkoi ish-kryeministrit që akuzat e ngritura ndaj përfaqësuesve të maxhorancës të shkojë e t’i denoncojë në Prokurori. Ministri Tahiri tha se me këto akuza Berisha synon të bëjë politikë duke cënuar integritetin moral të deputetëve dhe ministrave të maxhorancës. Por, shtoi Tahiri, nuk është ky modeli.
“Nëse ke merakun që unë jam bandit, që ne jemi banditë, nëse ke merakun që kjo(qeveria) është një organizatë kriminale, pse nuk ke shkuar një herë të vetme në Prokurori. Unë do e bëja në emër të detyrës”, iu drejtua ministri Berishes.
Në vijim të fjalës së tij, Tahiri tha se është pikërisht e djathta që kërkon ta pengojë reformën në drejtësi, duke nxjerrë pretekste, ndërsa vizioni i saj për këtë reformë tha ai janë gjyqtarë të korruptuar si Gjin Gjoni.
“Gjin Gjoni është gjyqtari simbol i paligjshmërisë dhe korrupsionit në sistemin e drejtësisë, që gënjen për pasurinë dhe që për këtë ka qënë në ndjekje penale, por që ka shpëtuar nga gjyqtarë që i ke emëruar ti. Një njeri që i ka marrë shpirtin njerëzve në dyert e gjykatave dhe sot mban peng besimin e qytetarëve. Nëse ti i mbron këta ne nuk i duam gjin gjonët. Ndryshoni mendim dhe kuptoni se reforma në drejtësi është një detyrim historik që ua kemi shqiptarëve”, iu drejtua ministri Tahiri Berishës.
Akuzat e Berishës, Majko:T’i hetojë Prokuroria
Kuvendi po vijon mes debatesh seancën e sotme, ndërsa në rend dite është diskutimi i Kodit të Etikës së Policisë.
Deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër, Pandeli Majko, reagoi ashpër në fjalën e tij ndaj akuzave të Berishes duke kërkuar që për to të hetojë Prokuroria e Përgjithshme.
Fillimisht, në fjalën e tij deputeti Majko tërhoqi vëmendjen për zhvillimin e seancave plenare, për të cilat, tha ai, nuk po respektohet rregullorja parlamentare.
“Kodi i Etikës së Policisë është pika e rendit të ditës për të cilën mund të diskutonim, por ajo që vë re është se rregulloren e ka marrë lumi, po e ka marrë mirë. Këtu (parlament) nuk dihet kush është rendi i ditës dhe koha e të folurit dhe mbi të gjitha nuk po merret vesh si fillon dhe si po mbaron kjo është seancë. Vjen kushdo dhe shan e merr nëpër gojë, ndërsa publikun me të drejtë e ka marrë lemeria nga parlamenti”, tha Majko.
Më tej në fjalën e tij, ish-kryeministri me keqardhje tha se ndërsa ‘bota sot diskuton për rrezikun e terrorizmit, qeveria shpallet kriminale dhe kryeministri shpallet kriminel’.
“Po mirë o doktor, meqë keni zbuluar gjithë këto fakte me kriminelë dhe me krime jam kurioz pse ky prokuror i përgjithshëm që nuk përmendet në asnjë rast si një njeri që mban përgjegjësi për një opozitë që çdo ditë paraqet fakte, pse nuk vepron Prokuroria e Përgjithshme dhe as Prokurori i Përgjithshëm”, iu drejtua Majko Berishës.
Më tej në fjalën e tij deputeti socialist u ndal tek reforma në drejtësi, të cilën tha ai opozita e trajton përmes ligjit të ‘dekriminalizimit’.
“Po çfarë është ky ligj? Të ridënojmë ata që janë dënuar një herë. Po këtu bëhen a nuk bëhen pesë vetë që janë dënuar një herë. Por, nuk është kështu, pasi e vërteta është se ne në Shqipëri kemi një sistem të kalbur drejtësie, që është ndërtuar nga ne, nga kjo sallë. Nëse doni të heqim kriminelët ju kemi ftuar edhe ju (opozitën), dhe ne jemi tërhequr duke lënë të flasin vetëm ekspertët ndërkombëtarë. Partia Demokratike të vijë të ulet me ne e të votojë reformën në drejtësi. Mos u hidhni degë më degë”, u shpreh Majko në reagim të fjalës së ish-kryeministrit Berisha.