Takimi i G7-ës në Francë – Përplasje Paris-Uashington për taksën digjitale
Në datën 11 korrik, Parlamenti i Francës miratoi taksën e re ndaj kompanive më të mëdha digjitale në botë me shitje globale prej mbi 750 milionë euro dhe shitje në Francë prej të paktën 25 milionë euro. Kjo e ka bërë Francën një ndër vendet e para në botë që aplikon taksë ndaj gjigantëve digjitalë si Google, Apple, Facebook dhe Amazon, duke sfiduar kërcënimet e Uashingtonit për të nisur një hetim që mund të çojë në tarifa më të larta për importet franceze, nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje. Ministri francez i financave, Le Maire tha se vendi i tij nuk do të tërhiqet nga ky vendim, pavarësisht kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara.
“Nuk do ti kursejmë përpjekjet për të arritur një marrëveshje mbi taksën e shërbimeve digjitale gjatë takimit të G7-ës dhe të hedhim themelet për të gjetur një marrëveshje më të gjerë mes vendeve anëtare të OECD-së. Pavarësisht qëndrimit të ashpër të Shteteve të Bashkuara, ne nuk do të tërhiqemi nga kjo taksë, pasi është një vendim i popullit francez, i miratuar përmes parlamentit”, tha Le Maire. Megjithatë, analistët mendojnë se, me shumë mundësi, nuk do të ketë një marrëveshje mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara, pasi mosmarrëveshja mes tyre është shumë e dukshme.