Ekonomia

Taksa e arsimit, 7455 NIPT sekondare në Tiranë; Bashkia: Bizneset do paguajnë për çdo NIPT aktiv

Vetëm nga taksimi minimum dyfish i bizneseve me NIPT-eve sekondare, bashkia pritet të marrë të paktën 1.2 milionë euro, apo një të pestën e shumës totale të planifikuar për t’u mbledhur nga kjo taksë…

 

Janë rreth 7455 NIPT-e sekondare aktive që janë të regjistruara në Tiranë, ku bizneset që i kanë ato do të detyrohen të paguajnë të paktën dy herë taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore. Drejtori i Taksave dhe Tatimeve në Bashkinë e Tiranës, Arli Naska thotë se nga këto 3765 janë biznes i mesëm, 940 janë biznes i vogël, 2665 janë biznes VIP dhe të tjera janë 85.

Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore u vendos nga Bashkia e Tiranës këtë vit dhe varion nga 1800 lekë në vit për familjet, në 37 mijë lekë në vit për bizneset VIP (shih tabelën në fund).

Aplikimi i saj disa herë tek bizneset që veprojnë më NIPT-e sekondare shkaktoi pakënaqësi të shumta tek sipërmarrjet, që u ankuan se pse ata duhet të paguajnë disa herë, kur në bazë të ligjit ata konsiderohen si një subjekt i vetëm.

Naska thotë se taksat dhe tatimet aplikohen për çdo NIPT dhe bizneset do të paguajnë taksat e bashkisë për aq NIPT-e sa kanë aktive. Ai i referohet si bazë ligjore ligjit 9723, viti 2007. “Detyrimi i subjekteve për t’u regjistruar përbën dhe bazën tonë për të aplikuar detyrimet”, thotë ai.

Sipas burimeve nga Bashkia janë dy nene, 22 dhe 59. Neni 22 i ligjit në fjalë (Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit) përcakton detyrimin e bizneseve për t’u regjistruar dhe neni 59 flet për regjistrimin e njëkohshëm, sipas të cilit regjistrimi i subjekteve në regjistrin tregtar përbën, gjithashtu, regjistrimin e njëkohshëm të tyre pranë administratës tatimore, qendrore dhe vendore, në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe pranë inspektoratit të punës.

Por, ekspertët kontabël ngulin këmbë që pagimi i taksës së arsimit për NIPT-et sekondarë është i jashtëligjshëm dhe ligji në fjalë flet vetëm për detyrimin e subjekteve për t’u regjistruar.

“Kjo është e paligjshme, nuk ka kuptim që bizneset të faturohen për çdo nipt sekondar. Mendoj se ky është një kaos i shkaktuar nga paligjshmëria, deficienca administrative e politikës dhe e administratës publike dhe e gjithë shoqërisë sonë që nuk di të prodhojë lidership”.-thotë Artan Xhiani nga Uhy Elite.

Kontabilisti Arjan Dhimertika, pohon se ky veprim i Bashkisë nuk ka logjikë ekonomike taksimi dhe është një vendim i cili që në krijimin e pr.ligjit, nuk kishte transparencë dhe qartësi. “Duhet të ishte më e specifikuar, që kjo taksë t’i vilej njëherë një njësie biznesi. Nuk ka logjikë dhe sens që kjo të ndodhë për çdo NIPT sekondar që biznese të ndryshme kanë në qytet, në varësi të aktivitetit të tyre tregtar apo shërbimi.”- tregon z. Dhimertika.

Ekspertët e Easy Credit & Taxes pohojnw se ligji 9723 përcakton vetëm detyrimin për t’u regjistruar jo për të taksuar bizneset. Ndërsa se cilat taksa duhet të paguhen, përcaktohen me ligje të tjera tatimore dhe ligjin e procedurës tatimore. Ata pranojnë se është normale që të kërkohet taksa pasurisë  dhe e pastrimit dhe për çdo NIPT sekondar, pasi ato caktohen përkatësisht në bazë të sipërfaqes dhe vendit ku ushtron aktivitetin, por kjo logjikë nuk qëndron për taksën e arsimit, e cila mblidhet për pagimin e shpenzimeve të tjera (ndërtimin e shkollave në këtë rast) dhe duhet të paguhet për subjekt.

Për më tepër, theksojnë ata, për këto shpenzime të tjera të qeverisë, bizneset i paguajnë shtetit TVSH dhe tatim fitimi, ndaj ky taksim është në thelb antikushtetues, dhe aq më shumë për NIPT-et sekondare.

Shumë biznese kanë zgjedhur t’i drejtohen gjykatës për të zgjidhur këtë handikap të pagimit të shumëfishtë të taksës së arsimit. Ekspertët pohojnë se bizneset do ta kenë të lehtë të fitojnë, pasi referenca ligjore e Bashkisë Tiranë nuk qëndron.

 

Edhe familjet me disa prona po paguajnë disa herë

Të njëjtin problem e kanë dhe familjet që kanë nga dy ose më shumë prona të regjistruara dhe po paguajnë taksën e arsimit nga dy apo më shumë herë, pavarësisht se ajo duhet të paguhet për familje. Vendimi i bashkisë përcakton se “Taksës së përkohshme per infrastrukturën arsimore i nënshtrohen te gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit te Bashkisë së Tiranës”

Sa do vilet nga NIPT-et sekondare

Në projektbuxhetin e vitit 2016 të Bashkisë Tiranë, parashikohen të mblidhen këtë vit 650 milionë lekë nga taksa e arsimit (rreth 5 milionë euro), nga të cilat 320 milionë lekë do i paguajnë familjarët dhe 330 milionë lekë subjektet tregtare. Në vitin 2017, planifikohen të mblidhen 690 milionë lekë dhe në 2018-n rreth 720 milionë lekë.

Por, vetëm nga NIPT-et sekondare (taksimi minimum dy herë i bizneseve që kanë një NIPT tjetër përveç atij kryesorit), bashkia pritet të arkëtojë minimum 167 milionë lekë në vit, apo rreth 1.2 milionë euro (sipas tabelës më poshtë), apo një të pestën e shumës totale të planifikuar për t’u mbledhur nga kjo taksë. Në tabelën më poshtë, për bazë llogaritje për biznesin e vogël, që ka disa fasha, është marrë niveli më i ulët prej 17 mijë lekësh, ndërkohë që pjesës më të madhe të bizneseve të mesme po u vjen fatura e bashkisë me tarifën prej 27 mijë lekësh. Nëse llogaritet me 27 mijë lekë, shuma e pritshme totale për t’u arkëtuar shkon në 202 milionë lekë (1.4 mln euro).

tabela

 

kategorite

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button