Taksat e Bashkisë, Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Shoqatës së Tregtarëve për shqyrtimin e papajtueshmërisë
Ligji për taksat vendore do t’i nënshtrohet gjykimit të organit më të lartë të drejtësisë në vend, Gjykatës Kushtetuese.
Është Shoqata për mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut që i kanë kërkuar para disa ditësh Gjykatës Kushtetuese që të pranojë për shqyrtim çështjen me objekt : “ Shfuqizimi i ligjit nr.142/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006 Për Sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimin e zbatimit të ligjit deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykaës Kushtetuese”.
Mësohet se mbledhja e gjyqëtarëve të Gjykëtës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.
Gjykata i ka kërkuar palës ankimuese që të vërë në dispozicion brenda datës 9 shtator 2016 një koment me shkrim nëse do të ketë argumente shtesë për kërkesën e paraqitur.
Në janar të këtij viti Bashkia rriti ndjeshëm taksat vendore, ku u 10 fishua ajo e zënies së hapësirës dhe u dyfishua taksa e pastrimit, ndërkohë që u vendos dhe një taksë e re ajo e infrastrukturës arsimore. Ndonëse Bashkia u tërhoq për taksën e zënies së hapësirës, tarifate tjera mbetën të larta.
Në muajin maj të po këtij viti, Shoqata e Tregtarëve çoi po në Gjykatën Kushtetuese edhe vendimin e Bashkisë së Tiranës për taksën e përkohshme të infrastrukturës në arsim. Kjo pasi taksa e arsimit filloi t’u fatirohet bizneseve për çdo NIPT sekondar, çka bëri që disa biznese si rrjete supermaketesh, apo kompani tregtimi nafte të paguanin nga 50-80 mjë euro vetëm për këtë tarifë.
Biznesi ka një histori suksesi në lidhje me ankesat e paraqitura në Gjykatën Kushtetuese, duke kujtuar këtu shqytimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ndryshimeve në Procedurat Tatimore që kishin të bënin me “8 supergjobat”.
Vetëm pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë si të papajtueshën me Kushtetutën edhe një vendim të janarit 2016, që vendoste paga referencë për efekt të llogaritjes së sigurimeve për profesionet e lira. (shfuqizimin e nenit 4 të ligjit nr.143/2015 që ka ndryshuar nenin 9 të ligjit nr.9136, datë 11.09.2013 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë” dhe VKM-së nr.37, datë 21.01.2016 “Për përcaktimin e pagës mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit shëndetësor për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale dhe punonjësit e papaguar që punojnë e bashkëjetojnë me të”.)