Politika

Tanja Fajon: Ka ende hapësira që opozita në Shqipëri të marrë pjesë në zgjedhje

BE-ja do të ndërmarrë veprime të forta për të siguruar që në Ballkanin Perëndimor nuk do të ketë incidente të dhunshme si në Maqedoni.

DW: A ka gjasa që kriza që po shfaq demokracia në Shqipëri por edhe në Maqedoni dhe Kosovë, të nxisë veprime të forta nga ana e BE-së dhe Parlamentit Europian, pra veprime që i shërbejnë perspektivës europiane, motorit të reformave demokratike, forcimit të shtetit ligjor në rajon? Në Shqipëri p.sh. reforma në drejtësi mbetet e bllokuar….

Tanja Fajon: Situata në Shqipëri me bojkotin e parlamentit nga opozita është shumë shqetësuese. Por ka një gatishmëri të madhe për të ҫuar përpara reformën në drejtësi. Kjo është shumë e rëndësishme dhe rruga e duhur që Shqipëria të ketë progres në procesin e anëtarësimit në BE. Shpresoj që vetting-u si pjesë e reformës në drejtësi do të sjellë rekomandime positive nga Brukseli, nga Komisioni Europian që Shqipëria të hapë negociatat e anëtarësimit diku nga fillimi i vitit të ardhshëm. Shpresoj sa më parë pa dashur të paragjykoj zhvillimet. Lidhur me bojkotin e parlamentit, propozimi është ende në tavolinë për një marrveshje mes qeverisë dhe opozitës, që u ofrua nga kolegët e mi euro-parlamentarët McAllister dhe Fleckenstein. Mbetet një ofertë e mirëekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse. Për marrëveshje mes palëve po vazhdohet të punohet. Përherë është në dorë të politikanëve të përgjegjshëm të gjejnë mënyra për të zgjidhur krizën, të vënë interesat e qytetarëve mbi interesat personale dhe të punojnë për të mirën e vendit. Në këtë këndvështrim është një zhvillim pozitiv që Parlamenti zgjodhi Presidentin e ri të Shqipërisë. Por si një vëzhguese e jashtme e zhvillimeve politike në Shqipëri inkurajoj fuqimisht që çdo zgjidhje të ketë një shumicë sa më të gjerë. Shpresoj të shoh që në Shqipëri zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit të jenë të lira dhe të ndershme, që në to të marrin pjesë sa më shumë parti politike. Shpresoj edhe opozita. Kjo do të sigurojë stabilitet politik afatgjatë. Të gjitha opsionet janë të hapura si për individë ashtu edhe për forca politike që të regjistrohen dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Ka ende mënyra që opozita të jetë pjesë e procesit zgjedhor, opsionet duhen eksploruar.

DW: Znj. Fajon, ju flisni për mënyra, hapësira kur tri ditë më parë, më 29 prill, skadoi afat ligjor për regjistrimin e opozitës në Komisionin Qendror të zgjedhjeve?

Tanja Fajon: Për këtë duhet të ndryshohet Kodi Elektoral i Shqipërisë por për këtë duhet që politikanët të bien dakort me një marrveshje. Përpjekjet që opozita të marrë pjesë në zgjedhje nuk kanë ndaluar. Për sa kohë ka vullnet politik mund të ketë zgjidhje të krizës.

DW: A do t’i konsiderojë BE-ja, Parlamenti Evropian legjitime zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit në Shqipëri, nëse ashtu si deri tani, PD-ja, më e madhja në opozitë, nuk merr pjesë?

Tanja Fajon: Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit pa PD-në dhe parti të tjera opozitare është legjitim, po kështu do të jenë legjitime edhe rezultatet e tyre. Por këmbëngul që nuk është mirë për stabilitetin e qëndrueshëm politik të Shqipërisë që ato të zhvillohen pa PD-në, pa opozitën.

DW: Në Ballkanin Perëndimor BE-ja i ka kushtuar rëndësi stabilitetit politik në kurriz të demokracisë. A ka mësime për të nxënë nga pasojat e dukshme të haraçit që demokracia, shteti ligjor i ka paguar stabilitetit?

Tanja Fajon: Kur flasim për Ballkanin Perëndimor të gjithë kanë mësime për të nxënë. Por BE-ja ka shpenzuar shumë para për demokracinë dhe zbatimin e ligjit në rajon. Vetëm në Shqipëri, vitin e kaluar 2016, ka shpenzuar 82 milionë euro. Dhe pjesa më e madhe e kësaj shume është përdorur për demokracinë dhe zbatimin e ligjit. Është mirë të kihet parasysh kontributi finanaciar i BE-së për rajonin. Shpesh kur flitet për anën teknike të procesit të integrimit dhe kushtëzimet, situata duket e errët. Por ndërkohë reforma në drejtësi, liria e medias, zbatimi i ligjit, funksionimi i institucioneve krijojnë mjedisin e sigurtë për investime të huaja, mundësi më të mira për punësim, sidomos për rininë. BE-ja po përpiqet me të gjitha mënyrat për demokracinë në rajon që nga programet e ndryshme si ERASMUS deri tek trainimi i zyrtarëve të qeverisë në Bruksel. Ka shumë nisma. Shpresoj që në Shqipëri demokracia do të ecë përpara në mënyrë paqësore dhe pa incidente .

DW: Znj. Fajon, po kaloj nga Shqipëria në Kosovë, ku ju jeni angazhuar me procesin e liberalizimit të vizave. A do të kenë së shpejti mundësi që të hiqet regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës?

Tanja Fajon: Situata në Kosovë është komplekse. Kuptoj ndjeshmërinë e politikanëve të përgjegjshëm të Kosovës, të qeverisë, të parlamentit ndaj kriterit të demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Por dua të vë në dukje që ky kriter për heqjen e regjimit të vizave u vu nga Komisioni Europian dhe për këtë qeveria Thaҫi ra dakort. Nëse ka diҫka që nuk mund të pranohet tani, që nuk mund të zbatohet tani, atëhere Parlamenti dhe politikanët e Kosovës duhet të propozojnë alternativa, dëshiroj t’i inkurajoj ta bëjnë këtë. Por kam frikë, druhem se mos përdorimi i retorikës së heqjes së regjimit të vizave po përdoret nga politikanët e Kosovës për situatën e brendshme politike dhe liberalizimin e vizave po e mbajnë peng të kësaj situate. Uroj që Kosova të ketë sa më parë liberalizim të vizave dhe për këtë po përpiqem në Parlamentin Europian. Kosova duhet ose të ratifikojë në Parlament marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi ose të gjejë një alternativë tjetër. Vendimi është për t’u marrë nga politikanët e Kosovës. U bëj thirrje të mos i manipulojnë njerëzit, të mos përdorin retorika. Liberalizimi i vizave është shumë më kompleks se plotësimi i kriterit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe politikanët e Kosovës janë dakord me këtë.

DW: Znj. Fajon, situata në Maqedoni është zile e fortë alarmi edhe për Parlamentin Europian dhe BE-në. Çfarë mendohet të ndërmerret që situata maqedonase të mos bëhet virale në rajon?

Tanja Fajon: BE-ja duhet të ndërmarrë veprime të forta për të siguruar që nuk do të ketë vazhdim të dhunës dhe të incidenteve të dhunshme si ato të javës së kaluar në Parlamentin e Maqedonisë. Veprime të forta për të siguruar që njerëzit të jetojnë në mjedise të sigurta, që institucionet të punojnë në mënyrë demokratike dhe efikase. Ajo që ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë javën e kaluar është një goditje ndaj demokracisë dhe kjo nuk mund të tolerohet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button