Tare në Sazan: Ta kthejmë ishullin në një atraksion turistik
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare dhe specialistë të Agjencisë Franceze të Bregdetit “Konservatori Littoral”, bënë një guidë vëzhgimi në Ishullin e Sazanit, me qellim për ta kthyer këtë Ishull në një atraksion turistik.
Sazani është një nga zonat më magjike të Shqipërisë, me një histori të lashtë që ze fill nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Gjatë mesjetës ishulli kaloi në zotërimin Venecian. Në kohërat e reja së bashku me ishujt jonianë të Greqisë u pushtua nga Anglia. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura. Një pjesë relikesh nënujore si, amfora e objekte të tjera, janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë arkeologjik në Durrës.
Sazani është një perlë turistike e pa shfrytëzuar deri më sot. Ishulli ka një gjeografi të përsosur për të zhvilluar turizmin detar, atë të aventurës, të historisë dhe të peshkimit.
Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por e hapur dhe shumë e thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut. Pikërisht këtu gjendet edhe plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra. Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës. Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë. Ishulli nga pikëpamja e ekosistemit është një park i vërtetë, shumë i pasur dhe i mbrojtur, si rezultat i të qenit vazhdimisht zonë ushtarake. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera. Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera, janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për turizmin dhe sportet nënujore.
Tare thote e ”Për katër ditë me rradhë, specialistët e Agjencisë Franceze të Bregdetit “Konservatori Littoral” dhe specialistë nga AKB, po qëndrojnë në Ishullin e Sazanit për të pregatitur planin e veprimit të fillimit të projektit “ Sazani”. Ky projekt synon ta kthejë ishullin e Sazanit në një atraksion turistik të klasit të parë duke respektuar në mënyrë korrekte ekosistemin dhe historinë e ishullit. Perveç aspektit turistik, projekti kërkon të krijoje në ishull një Qëndër Kërkimore Shkencore, e cila do të kryejë studime mbi ekosistemet detare, arkeologjinë navale, energjinë alternative duke e kthyer këtë qëndër në një fokus të bashkëpunimit me universitete nderkombetare, shton Tare. Kjo është një ide shumë e mirë për të shfrytëzuar këtë resurs fitimplotë për turizmin dhe ekonominë shqiptare.