Kronika

Tarifat bazë për akreditimin/ Ja sa do paguajnë universitetet për të vlerësuar cilësinë

Tarifat që duhet të paguajnë universitetet dhe llojet e tjera të shkollave të larta publike dhe private, për  vlerësimin e cilësisë nëpërmjet procesit të akreditimit, varet nga niveli i studimit që ofrojnë, numri i degëve, si dhe studentët e pranuar.

Në vendimin më të fundit të qeverisë, i cili është zbardhur gjatë ditës së djeshme në Fletoren Zyrtare, janë të detajuar tarifat bazë që universitetet, kolegjet profesionale, kolegjet universitare, akademitë, etj, duhet të shlyejnë për të siguruar vlerësimin e cilësisë që ofrojnë.

Tarifat do të rriten me një përqindje të caktuar në rast se strukturat e arsimit të lartë do të raportojnë numër më të lartë studentësh se sa niveli bazë i përcaktuar.

Duke iu referuar vendimit të zbardhur, akreditimi i programeve të nivelit “Master Shkencor” dhe ciklit të “Doktoraturës” do të kushtojë më shtrenjtë. Në tabelat bashkangjitur shkrimit gjenden të plota tarifat bazë për vlerësimin e cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë, proces i cili është i detyrueshëm, pasi nëpërmjet këtij vlerësimi sigurohet njohja e diplomave sipas standardeve të kërkuara.

“Tarifat, që paguajnë institucionet e arsimit të lartë për vlerësimin dhe akreditimin institucional, përllogariten sipas tarifës bazë të përcaktuar për llojin e institucionit.

Aplikohet rritje në një përqindje të caktuar në varësi të numrit të fushave të studimit që ofrojnë, nivelit të studimeve dhe numrit të studentëve që ka në momentin e paraqitjes së kërkesës për vlerësimin e jashtëm në kuadër të akreditimit. Me vendim të Bordit të Akreditimit, mund të përjashtohen nga pagesa e tarifave për vlerësimin dhe akreditimin institucional institucionet e arsimit të lartë që kanë jo më shumë se 30 studentë, në të gjitha ciklet e studimit”.

Tarifa e vlerësimit dhe akreditimit të programit të studimit është për programet pa profile, ose me një profil. Për programet e studimit që kanë më shumë se një profil dhe vlerësimi kryhet njëkohësisht, pagesa për vlerësimin e programit shtohet me 10 për qind të vlerës së tarifës bazë, për çdo profil të shtuar. Profilet, të cilat nuk vlerësohen dhe nuk akreditohen bashkë me programin, i nënshtrohen tarifës së plotë të programit në momentin e vlerësimit dhe të akreditimit të tyre”,  sqarohet në vendim.

Ligji i arsimit të lartë përcakton se institucione të huaja të arsimit të lartë të njërit prej shteteve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Australisë mund të ofrojnë programe studimi, ose formime profesionale të larta në vendin tonë.

Këto programe duhet të jenë të akredituara në shtetin e origjinës dhe të ofrohen në institucione shqiptare të akredituara të arsimit të lartë pas miratimit të tyre nga ministri përgjegjës për arsimin.

Hapja e këtyre programeve i nënshtrohet paraprakisht procesit të vlerësimit dhe njohjes nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) dhe Bordi i Akreditimit, në përputhje me Kodin e Cilësisë, si dhe detyrimet e tjera ligjore. Lidhur me tarifat e akreditimit, këto institucione do të paguajnë vetëm 50 për qind të tarifës së vlerësimit dhe akreditimit të programit të të njëjtit cikël dhe lloj.

Tarifat për paraqitjen dhe shqyrtimin e kërkesës së akreditimit

Për vlerësimin e kërkesës dhe miratimin e agjencisë së huaj të vlerësimit tarifa e përcaktuar llogaritet në masën 120, 000 lekë. Ndërsa për shqyrtimin e vlerësimit të jashtëm dhe vendimmarrjen e akreditimit tarifa është në masën 180, 000 lekë.

Tarifa për shqyrtimin e aplikimit për vlerësim në kuadër të akreditimit është në masën 3, 000 lekë.

Llogaritja e tarifës për çdo vlerësim të kërkuar nga institucioni i arsimit të lartë bëhet nga ASCAL, e cila e njofton para fillimit të procesit të vlerësimit e arkëton pranë bankave të nivelit të dytë për llogari të ASCAL-it, në degën e thesarit Tiranë.

 

Refuzimi dhe marrja e statusit të akreditimit

Procesi i vlerësimit do të kryhet nga Bordi i Akreditimit, pjesë e kësaj agjencie.

Bordi shqyrton raportet përfundimtare të vlerësimit të jashtëm të cilësisë për akreditim të parë dhe periodik, për akreditimin  institucional dhe atë të programeve të studimit dhe merr vendimin përfundimtar nëse universiteti e kalon vlerësimin për ofrimin e programeve të caktuara të studimit.

Vendimi përfundimtar, mund të jetë “pozitiv”, kur përmbushen standardet dhe kriteret përkatëse institucionale,  si dhe të programeve të studimit që ofrojnë.

Kohëzgjatja dhe afati i vlefshmërisë së akreditimit institucional përcaktohen sipas shkallës së plotësimit të standardeve të cilësisë, ndërsa për programet e studimit edhe në varësi të kohëzgjatjes së tyre.

Kohëzgjatja maksimale e vlefshmërisë së akreditimit institucional apo dhe programeve të studimit nuk mund të jetë më shumë se 6 vite.

Vendimi negativ jepet kur konstatohet një nivel i ulët i cilësisë dhe mosplotësim të standardeve, si dhe pamundësi e institucionit për t’i përmbushur ato.

Përpara marrjes së vendimit përfundimtar, mbështetur në rezultatet e vlerësimit dhe mundësitë e institucionit, bordi mund të kërkojë plotësime, të vendosë kushte dhe afate për përmbushjen e tyre.

Nëse sigurohen këto plotësime ai më pas lëshon certifikatën zyrtare të akreditimit, ose mund të kërkojë edhe mbylljen institucionit të arsimit të lartë për shkak të cilësisë së dobët që ofron.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button