Tatimet çojnë për faliment kompaninë e naftës Kuid, dikur pjesë e grupit Taçi Oil
Një ndër kompanitë më të mëdha të tregtimit të naftës deri në vitin 2013 është çuar së fundmi nga Tatimet për faliment.
Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj ka njoftuar Shoqërinë Kuid sh.p.k. për çeljen e procedurave të falimentimit.
Kuid, sipas ekstraktit historik, është krijuar në vitin 2006, me objekt projektim, ndërtim, ngritje dhe shfrytëzim të impianteve e pikave të karburantit dhe ishte pjesë e grupit të madh të naftës, tashmë të falimentuar Taçi Oil. Fillimisht ortakë ishin Rezart Taci 40%, Fatjon Veizaj 30%, Xhafer Halilaj 30%. Në 2007-n, kuota e aksioneve të Rezart Taçit arriti në 70% e më pas në 100%. Në tetor të vitit 2013, kur grupi ishte drejt rënies, Rezart Taçi i shiti 100% të aksioneve të Artan Lilos për 100 mijë lekë, sipas kontratës së shitblerjes.
Vitin më të mirë, kompania e kishte në 2012-n, kur realizoi të ardhura prej gati 123 milionë eurosh, duke u renditur ndër 100 kompanitë më të mëdha të atij viti, megjithëse humbjet llogariteshin në rreth 2.3 milionë euro, sipas të dhënave të bilancit të vitit përkatës. Në vitin 2013, xhiro zbriti në 50 milionë euro, ndërsa më pas filloi rënia e lirë.
Gjatë gjithë vitit 2014, Kuid ka qenë subjekt i urdhrave të sekuestrove nga kreditorë të ndryshëm, si furnitorë ashtu dhe organet tatimore e doganore. Por, kompania rezulton “e larguar”, siç shihet dhe në thirrjen e fundit të tatimeve.
Rritja dhe rënia e Taçi Oil
Taçi Oil International ishte një nga kompanitë më të mëdha të naftës në vend, që pas një ngjitjeje të shpejtë arriti kulmin e aktivitetit në periudhën 2011-2012, duke blerë edhe rafinerinë e naftës ARMO. Në vitin 2012, përmes kompanive të tij, Taçi Oil, Kuid dhe ARMO, Rezart Taçi realizoi një xhiro vjetore prej rreth 50 miliardë lekësh (rreth 360 milionë euro). Krahas biznesit të naftës, Taçi Group, vitet e fundit, ishte zgjeruar dhe në media, përmes blerjes së televizionit Alsat, tashmë i falimentuar.
Por, 2013-a solli një kthesë të menjëhershme në aktivitetin e grupit. Grupi u tërhoq nga blerja e Albpetrol në fillim të 2013-s, pasi nuk arriti të derdhë në shtet shumën e ofruar prej 850 milionë eurosh.
Në gusht 2013, kuotat kryesore të një prej sipërmarrjeve të tij, ARMO, iu shitën kompanisë azere Heaney Assets Corporation (shiko shkrimin në vijim për ARMO-n). Sipas kontratës së shitblerjes së ARMO-s, u ra dakord midis dy palëve që “për një periudhë 5 (pesë) vjeçare, duke nisur nga data e kësaj kontrate, as Anika ( e motra e Rezartit) e as Rezarti nuk duhet të marrin pjesë, drejtpërdrejt a tërthorazi, apo të kenë interes financiar apo tjetër, në ndonjë person juridik që merret me rafinimin, shitjen ose shpërndarjen e naftës, gazit apo çdo produkti a shërbimi energjetik në Shqipëri”.
Kjo solli rënie të menjëhershme të aktivitetit të Taçi Oil, sipërmarrja kryesore e grupit. Sipas të dhënave të bilancit të kompanisë, xhiro e saj u tkurr me 72% në vitin 2013, nga 32.8 miliardë lekë, në 9.1 miliardë lekë.
Aktualisht nga kompanitë e tjera të Rezart Taçit, Taçi Oil International është pezulluar në janar 2014, Albanian Petro Consulting është çregjistruar në janar 2012, GROUP – 6. A.I. është ende aktive, por nuk rezulton me aktivitet dhe është në sekuestro konservative, BT International Engineering është aktive, por pa aktivitet dhe në sekuestro. Televizioni AS (Albanian Screen), ish-Alsat është mbyllur, dhe asetet e tij janë në shitje përmes ankandeve.
I.S.C. Petroleum (IT Oil-tregtuesi me shumicë i Kuarta) i krijuar në vitin 2011, sipas ekstraktit të QKR-së, dhe që mori në 2013-n, aktivitetin e shumicës së Taçi Oil International, u shit në fund të vitit 2015 te një kompani e huaj, me emrin “Tamm Oil Trading”.
Në shtator 2016 edhe Kuarta, një tjetër kompani e tregtimit me pakicë të naftës së markës IT Oil (ish-Taçi Oil) ka pezulluar aktivitetin, sipas kërkesës së depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).