Ekonomia

Tatimet: Profesionet e lira, sigurimet do të paguhen mbi pagën minimale

Profesionet e lira do të paguajnë sigurime me pagë minimale duke nisur që nga 20 shtatori i këtij viti. Është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e cila ka njoftuar profesionet e lira, me anë të një shkresë zyrtare, se kontributet e Sigurimeve Shoqërore do të paguhen me pagë minimale që nga data 20 shtator, dita kur u botua në Fletoren Zyrtare vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Si do të bëhet pagesa

Në bazë të këtyre ndryshimeve, llogaritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore për personin e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes, do të bëhet 23% mbi pagën minimale (22 000 lekë), ndërsa për kontributin e sigurimeve shëndetësore, llogaritja  do të bëhet 3.4%  mbi dyfishin e  pagës minimale (22 000 lekë), të përcaktuar nga qeveria. Ky vendim është botuar në fletoren zyrtare të datës 20 shtator të këtij viti.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 19 shtator,  ka shfuqizuar nenin 4, të ligjit nr. 143/2015, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin Nr. 9136, datë 11.9.2013, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, si dhe është shfuqizuar VKM nr. 37, datë 21.1.2016, “Për përcaktimin e pagës mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, që kryejnë veprimtari ekonomike profesionale dhe punonjësit e papaguar që punojnë e bashkëjetojnë me ta”.

Në janar të këtij viti, Ministria e Financave vendosi intervalin e pagave referencë për llogari të pagimit të sigurimeve që shtrihet nga 41,250 lekë deri 73,800  lekë në muaj sipas kategorizimit të bashkive. Në bazë të këtyre shumave, profesionet e lira (si avokatë, përmbarues, inxhinierë, veterinerë, farmacistë, dentistë etj.) do të paguajnë detyrimet mujore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e argumentoi vendimin e saj, duke gjykuar se është shkelur parimi i barazisë. Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane “Parimi i barazisë nuk lejon që të njëjtat t’i trajtosh ndryshe dhe të ndryshmet në thelb t’i trajtosh njësoj”.

Gjykata, referuar edhe aktit të ekspertimit, konstaton se “kriteret që vendosin dispozitat e mësipërme në llogaritjen dhe diferencimin e kontributeve nuk bazohen në një analizë teknike apo në eksperienca botërore të provuara më parë. Ato krijojnë elemente të reja pabarazie, barrë shtesë administrative për administratën shtetërore dhe tatimpaguesit, vështirësi teknike dhe pasiguri juridike me shumë elemente subjektiviteti.

Ligji nuk mbështetet në kritere të studiuara shkencore dhe nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të njohura përgjithësisht”. Sipas vendimit të Gjykatës kriteret e vendosura janë komplekse dhe jo të përcaktuara mirë, fakte që çojnë në zbatim jo efecient të sistemit. Vlerësimet e bëra nuk janë të mbështetura në një linjë logjike, bazuar në nivelin e të ardhurave dhe fitimeve. Sipas vendimit është e pamundur llogaritja e saktë e peshës së çdo kriteri në përcaktimin e pagës referuese, thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës.

Gjykata vlerësoi se në çështjen në shqyrtim është evidente se masa e kontributit të detyrueshëm është rritur ndjeshëm nga 230% në 350%, si pasojë e parashikimit të kritereve komplekse nga ligji dhe po ashtu të vendosjes nga KM-ja si pagë referuese vetëm të një page fikse në vend të një page minimale dhe maksimale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button